Mandl: BE ta bëjë të qartë se dialogu Prishtinë – Beogradit është dialog ndërmjet dy shteteve

Prishtinë, 4 nëntor 2022 – Eurodeputeti austriak Lukas Mandl tha të premten se dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është dialog mes dy shteteve dhe jo ndërmjet dy qyteteve.

“Duhet ta bëjmë të qartë që në fillim se ky është dialog mes dy shteteve, shtetit të Kosovës dhe Serbisë”, tha Mandl në Kuvendin e Kosovës, gjatë sesionit të dytë të Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asocim BE-Kosovë.

Mandl theksoi së edhe Bashkimi Evropian duhet ta theksojë këtë çështje.

Mandl tha se është e mirë që Bashkimi Evropian është ndërmjetësues i dialogut, por e vlerësoi si shumë të rëndësishme mbështetjen e SHBA-së.

“Ne nuk duhet të nënvlerësojmë rolin pozitiv të SHBA-së në dialogun, në mbështetjen e vërtetë të dialogut të ndërmjetësuar nga BE”, tha ai.

Mandl foli edhe për çështjen e liberalizimit të vizave. Ai tha se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret gjë që është konfirmuar disa herë nga Komisioni Evropian dhe shfaqi shpresën se liberalezimi nuk do të kushtëzohet me dialogun.

“Dje kolegu ynë Haki Abazi tha se çështja e liberalizimit të vizave mund të përdoret si levë në dialogun Kosovë-Serbi… Shpresoj që kjo nuk është e vërtetë, sepse do të ishte e padrejtë për Kosovën”, tha ai.

(r.m.)