Maqedonci e Jashari bisedojnë me zyrtarë të lartë të NATO-s për situatën e sigurisë në Kosovë

Prishtinë, 10 tetor 2023 – Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci dhe komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, general-lejtënant Bashkim Jashari, kanë pritur sot në Prishtinë Ndihmës-sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për Operacione, Thomas Goffus.

Ndihmës-sekretari Goffus shoqërohej nga drejtori i Divizionit të Operacioneve dhe Planifikimit të Shtabit Ushtarak Ndërkombëtar në Shtabin e NATO-s, gjeneralmajori Ulf Haeussler, dhe nga drejtori i Ekipit Ndërlidhës Këshillues të NATO-s (NALT) gjeneral brigade, Ralf Peter Hammerstein.

Temë qendrore e këtij takimi ishte siguria në Kosovë, me theks në situatën e sigurisë në pjesën veriore të Kosovës, pas sulmit të fundit terrorist në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, njofton Ministria e Mbrojtjes e Kosovës.

Ministri Maqedonci e vlerësoi përkushtimin e NATO-s për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe theksoi nevojën që, bashkë me partnerët tjerë ndërkombëtarë, të përballojnë sfidat për sigurinë dhe për fuqizimin e sundimit të ligjit në pjesën veriore të Kosovës.

Maqedonci shprehu vendosmërinë e vendit tonë për bashkëpunim të ngushtë me NATO-n, për dhënien e kontributit për sigurinë rajonale dhe globale dhe për integrim në strukutrat euro-atlantike.

Ministri Maqedonci dhe Gjeneral Jashari theksuan nevojën për zhvillimin dhe forcimin  kapaciteteve të FSK-së për mbrojtjen e territorit të Kosovës, në bashkëpunim dhe bashkërendim të plotë me misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR.

(r.m.)