Maqedonci: Investimet e reja në FSK janë fokusuar në mbrojtjen ajrore

Prishtinë, 19 korrik 2026 – Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) po vazhdon modernizimin e kapaciteteve ushtarake, me fokus në forcimin e mbrojtjes ajrore dhe sigurimin e helikopterëve.

“Duhet të kemi parasysh që ne tanimë nuk jetojmë në një situatë të themi normale globale në aspektin e sigurisë, për shkak të luftërave, sidomos pas invazionit rus në Ukrainë që e ka ndryshuar komplet aspektin e sigurisë globale, por edhe të luftës në Lindjen e Mesme. Kuptohet që luftërat vendosin kërkesa të tjera siç janë kërkesat për armatime edhe sisteme ku secili shtet obligohet dhe detyrohet që të zhvillojë më shumë industrinë e mbrojtjes edhe të punojë më shumë në këtë drejtim“, ka thënë Maqedonci, në një intervistë për Ekonomia Online.

Maqedonci ka thënë se shumica e objektivave të Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit janë përmbushur, ndonëse disa projekte janë vonuar, ndërsa disa të tjera janë realizuar edhe para afatit.

“Sot kemi shumë më shumë sisteme armatimi dhe pajisje nga ato që kanë qenë të planifikuara në listën e planit gjithëpërfshirës të tranzicionit. Pra, ky plan mbetet ende i klasifikuar, plan që është aprovuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2018. Kjo është edhe arsyeja pse shpesh nuk po mundemi që në detaje të japim, mund të themi, shifra, të japim informacione që ndërlidhen me këtë plan. Mirëpo, ato që mundemi po i ndajmë. Pra, në qoftë se ai plan ka paraparë një listë të pajisjeve, armëve, sistemeve, automjeteve që duhet të ketë Forca e Sigurisë së Kosovës. Unë mund t’ju siguroj që është tejkaluar shumëfish larmishmëria e pajisjeve. Pra, kemi shumë më shumë lloje të pajisjeve dhe armëve se sa kanë qenë të planifikuara”, ka thënë Maqedonci.

Ai ka bërë të ditur se FSK-ja po realizon me kapacitetet e veta një pjesë të investimeve, duke përmendur ndërtimin e rrugëve në poligonin taktik në Babaj të Bokës.

Maqedonci ka thënë se gjatë mandatit të tij si ministër janë zgjidhur një sërë mangësish të trashëguara, si organizimi i transportit, ushqimi, furnizimi me uniforma e pajisje të pjesëtarëve të FSK-së.

Duke folur për kompensimin e orëve shtesë të pjesëtarëve të FSK-së, Maqedonci ka thënë se legjislacioni në fuqi lejon që vetëm 1 për qind e buxhetit të përdoret për këtë qëllim, gjë që e shkakton probleme për kompensime. Ai ka thënë se ka kërkuar mbështetje buxhetore shtesë për të zgjidhur plotësisht çështjen e kompensimit të orëve shtesë të ushtarëve dhe të operacioneve.

(r.m.)

Comment

*