Maqedonci: NATO të trajtojë me seriozitet lëvizjet e Serbisë pranë kufirit me Kosovën

Prishtinë, 12 prill 2024 – Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, kërkoi nga NATO-ja që të trajtojë me seriozitet vendosjen e trupave ushtarake serbe pranë kufirit me Kosovën.

Gjatë një takimi me shefen e divizionit për operacione në Shtabin e Përgjithshëm të aleancës ushtarake perëndimore, Ariella Viehe, Maqedonci tha se dislokimi i trupave serbe përreth kufirit me Kosovën “përbën kërcënim të vazhdueshëm për stabilitetin e Ballkanit” Perëndimor.

Maqedonci tha po ashtu se Kosova është e përkushtuar që të vazhdojë bashkëpunimin e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, duke shtuar se objektivi i shtetit është anëtarësimi në NATO.

Që kur janë rritur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, pas një sulmi të armatosur të një grupi serbësh ndaj policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit shtatorin e kaluar, zyrtarët në Prishtinë disa herë kanë akuzuar Serbinë për vendosjen e trupave ushtarake pranë kufirit me Kosovën.

Në mars të këtij viti ishte hera e fundit që Kosova pretendoi se Serbia kishte dërguar njësite ushtarake pranë kufirit, por këto pretendime të bëra nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u hodhën poshtë nga autoritetet serbe.

Kosova dhe Serbia ndajnë një vijë kufitare të gjatë rreth 400 kilometra. Pas sulmit të grupit terrorist serb në Banjskë, më 24 shtator të vitit të kakluar, KFOR-i e ka rritur praninë ushtarake në Kosovë. Aktualisht ky mision i ka rreth 4.700 ushtarë.

Postimi i ministrit Maqedonci në Facebook:

Ishte kënaqësi dhe nder i veçantë të pres në takim Shefen e operacioneve aktuale, Divizioni per Operacione i Shtabit të Përgjithshëm të NATO-s, znj. Ariella Viehe.

Me këtë rast, znj. Viehe e njoftova me zhvillimet aktuale në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës, si dhe planet për të ardhmen.

Gjatë takimit gjithashtu biseduam për gjendjen e sigurisë në Kosovë, dhe theksova faktin që vendosja e trupave ushtarake serbe përreth kufirit me Kosovën përbën kërcënimin të vazhdueshëm për stabilitetin e Ballkanit, e që duhet trajtuar me seriozitet lëvizjet e tilla të Serbisë edhe nga ana e NATO-s.

Nënvizova që vazhdojmë me përkushtim të koordinohemi e të bashkëpunojmë gushtë si ministri me KFOR dhe Ekipin Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT), ndërsa ritheksova se objektivi ynë është anëtarësimi në NATO, në mënyrë që FSK të ofroj kontribut aktiv në misionet për ruajtjen e stabilitetit dhe paqes, e për këtë po angazhohemi çdo ditë.

(r.m.)