Maqedonia e Veriut e gatshme të përballet me valë të re refugjatësh afganë

Shkup, 24 gusht 2021 – Koordinatori nacional për menaxhimin e kufijve në Maqedoninë e Veriut, Vlladimir Pivovarov, ka deklaruar se paralajmërimet për një valë të mundshme të migranëve afganë drejt Bashkimit Evropian shtrojnë nevojën e forcimit të masave për përballimin e situatës edhe në Maqedoninë e Veriut.

“Bashkëpunimi mes shërbimeve të sigurisë duhet të jetë në nivel shumë më të lartë, megjithëse të gjithë e dimë se asnjë kufi në botë nuk mund të jetë hermetikisht i mbyllur. Në këtë situatë, shërbimet operative duhet të jenë në krye të detyrës në zbulimin, para se gjithash, të atyre grupeve që merren me trafikimin me qenie njerëzore, pasi ata nuk dinë vetë të lëvizin, nuk njohim as terrenin e as rrugët. Prandaj që të tani ekipet e zbulimit duhet të punojnë në parandalimin e grupeve që merren me kalimet ilegale të refugjatëve”, ka thënë Pivovarov për Radion Evropa e Lirë.

Pivovarov ka thënë gjithashtu se Maqedonia e Veriut është në kontakt të vazhdueshëm me shtetet tjera për të parandaluar një fluks të madh të refugjatëve, për të menaxhuar situatën që mund të krijohet nga refugjatë, për të ndihmuar njerëzit që ikin nga Afganistani për të shpëtuar jetën e tyre, por edhe për të zbuluar ekstremistë që shumë lehtë mund të infiltrohen në grupet e mëdha të refugjatëve dhe të arrinjnë në destinacionet e tyre.

Organizatat joqeveritare paralajmërojnë se Maqedonia e Veriut, e cila është pjesë e “Rrugës Ballkanike” të migrimit, duhet të përgatitet për një valë të mundshme të refugjatëve.

Trpe Stojanovski, njohës i çështjeve të sigurisë, kathënë se situata e re në Afganistan ka të ngjarë të prodhojë valë refugjatësh që do të lëvizin përgjatë rrugëve të përcaktuara, siç është edhe ajo ballkanike. Ai ka thënë se detyrë kryesore e autoriteteve duhet të jetë monitorimi i situatës dhe pjesëmarrja në planet e Bashkimit Evropian.

“Ne duhet të marrim pjesë në të gjitha planet që bëhen, përgjegjësitë dhe kompetencat duhet të ndahen. Prania e policëve të huaj në vendin tonë në kufirin jugor është sigurisht një avantazh në shumë aspekte, veçanërisht pasi do të thotë pjesëmarrje në sfidat globale të vendeve të Bashkimit Evropian. Në këtë kuadër, ajo që po bëhet deri më tani dhe mësimet e nxjerra nga e kaluara, duhet të vazhdojnë me intensitet edhe më të lartë”, ka thënë Stojanovski për Radion Evropa e Lirë.

Organizata joqeveritare “Legis”, e cila ka ndihmuar refugjatët në vitet e fundit, vlerëson se “Rruga Ballkanike” ende është aktive. Mersiha Smailoviq, drejtuese e kësaj organizate, e cila ka zyra në kampet e pritjes pranë kufijve me Serbinë dhe me Greqinë, ka thënë se shteti ka marrë leksione për përballje me refugjatët, andaj duhet të jetë gati për një valë të re të mundshme. Ajo ka thënë se një nga gjërat qëduhet t’i bëjë shteti tani është miratimi i kërkesave për azil.

“Deri më tani, janë tre afganë në vendin tonë, njëri prej të cilëve ka mbrojtje për një vit, ndërsa ne kemi një grua që është në rrezik të madh, pasi aplikimi i saj nuk është pranuar dhe ajo është ende këtu në pritje të procedurave”, thotë Smailoviq.

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, të premten, më 20 gusht, ka biseduar në telefon me Presidentin e Turqisë, Recep Tayip Erdogan, lidhur me gjendjen e krijuar në Afganistan dhe efektet që pritet të kenë zhvillimet e atdhjeshme në rajonin e Ballkanit.

Maqedonia e Veriut është në pritje të rreth 450 afganëve që kanë mbështetur trupat amerikane në Afganistan, të cilët për shkak të frikës nga hakmarrja e talibanëve kërkojnë strehim në vende tjera deri në vendosjen e tyre përfundimtare në SHBA. Ardhja e tyre mbetet ende e paqartë për shkak të tensioneve në Kabul.

I pyetur përse Maqedonia e Veriut bazuar në numrin e popullatës do të pranojë numër më të madh të afganëve, kreu i qeverisë është përgjigjur:

“Ne e dimë se sa e rëndësishme është t’i zgjatet dora dikujt që kërkon ndihmë. Ne i kemi parë imazhet e trazirave, marrjen e jetës, skena të tmerrshme. Pra, qëllimi ynë përfundimtar është të ofrojmë ndihmën tonë”, ka deklaruar Zaev.

Të gjithë afganët do të fitojnë të drejtën e strehimit  të përkohshëm, i cili pritet të zgjasë 90 ditë.

Maqedonia e Veriut në vitin 2015 ishte vërshuar nga dhjetëra mijëra refugjatë nga vendet aziatike, përfshirë Afganistanin, të cilët e përdornin territorin e saj për arritje në destinacionin e tyre të fundit, vendet e BE-së.

(r.m.)