Maqedonia e Veriut kërkon nga Turqia ekstradimin e autorit të dyshuar për vrasjen e 14 vjeçares

Shkup, 6 dhjetor 2023 – Ministria e Drejtësisë në Maqedoninë e Veriut ka kërkuar nga autoritetet turke që Lupço Palevskin, të dyshuarin kryesor për vrasjen e vajzës 14-vjeçe në Shkup dhe të një 74-vjeçari në qytetin e Velesit, ta mbajnë në paraburgim derisa të përfundojnë procedurat për ekstradimin e tij.

Mediet nga Shkupi raportuan se ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, e ka nëshkruar kërkesën për ekstradim që do t’i pëcillet Ministrisë së Drejtësisë së Turqisë dhe pret që Ankaraja të veprojë me shpejtësi në përgjigje të kërkesës.

Maqedonia e Veriut dhe Turqia kanë një marrëveshje të përbashkët për ekstradim. Pasi të miratohet ekstradimi, do të merret një vendim për kohën dhe mënyrën e transferimit të të dyshuarit, Lupço Palevski.

Lupço Palevski është kapur të martën pasdite në qytezën Balikesir, në jug të Stambollit.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, pas kryerjes së krimeve, ai ishte arratisur në Serbi e prej atje ishte larguar për në Bullgari e pastaj në Turqi.

Avokati i tij, i cili i kishte ndihmuar të lagohej nga Maqedonia e Veriut, ka deklaruar në polici se ai nuk ishte në dijeni për përfshirjen e klientit të tij në ndonjë vepër penale.

14 vjeçarja Vanja Gjorçevska ishte rrëmbyer më 27 nëntor, në hyrje të ndërtesës ku banonte, në qendër të Shkupit. Autoritetet bënë të ditur se asaj i ishin lidhur duart dhe këmbët, ishte mbështjellë në një thes dhe ishte future në bagazhin e makinës me të cilën ishte dërguar afër fshatit Brazdë, në veri të Shkupi.

Organet hetuese thanë se 14-vjeçarja ishte ekzekutuar me revole, rreth tri orë pas rrëmbimit.

Pesë persona janë të dyshuar për veprën e vrasjes apo ndihmën në vrasjen e 14 vjeçares. Midis të dyshuarve është edhe babai i saj, Aleksandar Gjorçevski, i cili dyshohet se të dyshuarit kryesor, Palevskit, i kishte dhënë informata lidhur me lëvizjet e vajzës së tij. Babai e ka mohuar përfshirjen e tij në vrasjen e vajzës, ndërsa njëri nga të arrestuarit ka pranuar se ka marrë pjesë në këtë akt të rëndë kriminal.

Të gjithë të arrestuarve u është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Sipas dyshimeve të policisë, motivi i rrëmbimit dhe vrasjes së Vanja Gjorçevskës mund të jetë përfitimi material apo zhvatja e nënës së saj, e cila e kishte shitur së fundmi një banesë të trashëguar nga prindërit e saj. Prindërit e vektimës ishin të divorcuar.

Vetura me të cilën është kryer ky krim makabër ishte pronë e 74 vjeçarit nga Velesi, Pençe Zhezhovski, i cili ishte vrarë po nga Lupço Palevski, më 24 nëntor. Sipas prokurorisë, ai është vrarë për një borxh prej 500 eurosh.

Procedurat e autopsisë kanë përfunduar, por konstatimet përfundimtare të të dyja rasteve nuk janë bërë ende publike.

Vrasja e 14 vjeçares Vanja Gjorçevska e ka tronditur opinionin publik në Maqedoninë e Veriut, i cili po kërkon që autorët të marrin dënimin maksimal.

Dënimi më i lartë në Maqedoninë e Veriut është burgim i përjetshëm.

(r.m.)