Shkup, 29 gusht 2021 – Maqedonia e Veriut të dielën ka regjistruar edhe 27 viktima me COVID-19 duke e çuar në 5.869 numrin e përgjithshëm të të vdekurve.
Shtatë viktima u regjistruan në Tetovë, gjashtë në Gostivar, pesë në Shkup, nga dy në Strugë, Dibër dhe Sveti Nikollë ndërsa nga një në Kumanovë, Strumicë dhe Veles.
Sipas raportit të Institutit të Shëndet Publik, në tri javët e fundit kanë vdekur 276 persona si pasojë e koronavirusit, prej të cilëve 246 ishin të pavaksinuar dhe 30 pacientë ishin të vaksinuar ose 10 për qind e viktimave.
Sa i përket të infektuarve, raporti i Ministrisë së Shëndetësisë bën të ditur për 647 raste të reja nga testimi i 4.618 mostrave.
Numri më i madh i të infektuarve është në Shkup, Tetovë, Gostivar, Kumanovë, Strumicë, Manastir dhe Dibër.
Numri i rasteve aktive ka arritur në 14.360 ndërsa është njoftuar për shërimin e 403 pacientëve.
Drejtuesit e institucioneve shëndetësore kanë përsëritur thirrjet për vaksinimin e popullatës si mundësi e vetme për mbrojtje nga infektimi me koronavirus.
Deri të dielën, numri i vaksinave të dministruar ka arritur në mbi një milion ndërsa rreth 712 mijë qytetarë kanë marrë nga dy doza.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filiçpe ka thënë se pret që deri nga mesi i tetorit numri i të vaksinuarve me nga dy doza të arrijë në rreth një milion.
Ndërkohë në fuqi mbetet masat për mbrojtje nga pandemia, kufizimi i punës së objekteve të gastronomisë dhe restoranteve vetëm me dëshmi të vaksinimit dhe me kapacitete të kufizuara si brenda ashtu edhe jashtë lokaleve. Nga 1 shtatori pritet të hyjnë në fuqi edhe masat për që gjithashtu parashikojnë dëshmi vaksinimi pëe hyrje-daljet nga Maqedonia e Veriut.
(Isuf Kadriu, REL)