Ruben Avxhiu
Nga një anë rreth 90 përqind e votuesve në Maqedoni i thanë Po, një marrëveshjeje historike me Greqinë për çështjen emrit.
Nga ana tjetër, vetëm pak më shumë se një e treta e tyre dolën në votime.
Qeveria shpalli fitoren, po festën e bëri opozita që kishte shpresuar për bojkotimin e referendumit, ndonëse e kishte kërkuar vetëm me gjysëm zëri.
Marrëveshja për ata që nuk e kanë ndjekur kërkon ndryshimin e emrit të shtetit në Republikë të Maqedonisë së Veriut. Në shkëmbim, Athina do të heqë veton kundër Shkupit në NATO dhe Bashkimin Europian.
Pika të tjera të marrëveshjes bëjnë lëshime të tjera ndaj Maqedonisë. Populli do të njihet si maqedon dhe gjuha si maqedone. Nuk ka ndonjë gjë me interes aty për shqiptarët. A thua se shqiptarët nuk janë pjesë vendimtare e Maqedonisë dhe nuk kanë ndonjë interes sesi quhet gjuha që flet shumica e vendit. Mirëpo, shqiptarët duan që të hyjnë në NATO dhe BE që të mos ndahen nga bashkëkombasit e tyre në Shqipëri, Kosovë etj.
Marrëveshjen nuk e duan as në Greqi. Shumica e grekëve nuk e besojnë që Cipras pranoi një emër ku përmendej fjala Maqedoni. Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë është emri me të cilën njihet Maqedonia në OKB dhe nga Greqia. Po pjesa më e madhe e botës e njeh si Maqedoni. Edhe SHBA, Shqipëria e Kosova e njohin si Maqedoni.
Kalendari i zbatimit të marrëveshjes parashikon që aprovimi nga referendum të vazhdojë me aprovimin nga Parlamenti i Maqedonisë dhe pastaj nga Parlamenti i Greqisë.
Kryeministri Zaev që udhëheq një shumicë të ndërlikuar dhe shumë të copëzuar në parlament do të duhet të marrë me të mirë opozitën, ose të paktën disa anëtarë të saj me shpresë që të arrijë dy të tretat në parlament.
Po pas pjesëmarrjes së ulët të publikut në zgjedhje, opozita është më e interesuar për zgjedhje të reja e të parakohëshme sesa të ndihmojë Zaevin të arrijë një marrëveshje historike me Greqinë.
Nacionalistët maqedonas dhe ata grekë e urrejnë njëri-tjetrin po janë bashkuar kundër marrëveshjes. Sigurisht për arsye të ndryshme. Nacionalistët grekë thonë se marrëveshja favorizon Maqedoninë dhe ndëshkon Greqinë. Ata maqedonas thonë se ndëshkon Maqedoninë dhe favorizon Greqinë. Kjo është për të qeshur. Mirëpo, paaftësia e Ballkanit për të mbyllur problemet e vjetra me marrëveshje praktike është për të qarë.
Shansi i fundit i ngjashëm ishte 25 vjet më parë. Greqia ka pak për të humbur, se është tashmë në NATO dhe BE. Maqedonia ka nevojë për zgjidhje për të ardhmen e saj.
Qytetarët e Maqedonisë kanë të drejtë të refuzojnë një emër që nuk u pëlqen për shtetin e tyre, po “Maqedonia e Veriut” është emri më i mirë që mund të marrin nga grekët. Edhe për të Cipras po rrezikon fatin e qeverisë së tij.
Hyrja e Maqedonisë në BE nuk është afër, po anëtarësimi në NATO do t’ia garantonte sigurinë e kufijve.
Rezultati i sotëm u dha mundësi të gjitha palëve që të deklaronin fitore. Qeveria mori rezultatin, opozita pjesëmarrjen, Greqia shpresën se maqedonasit do të përmbysin njëri-tjetrin dhe nuk do të detyrohet të pranojë një marrëveshje që çimenton emrin Maqedoni për fqinjin e saj verior.
Shqiptarët, që në disa zona votuan më shumë se sa maqedonasit vetë, kanë mbetur në mes, duke vrarë mendjen se këtu ku i ka hedhur fati, në udhëkryq të udhëkryqeve të Ballkanit, ku tabelat e qarkullimit kundërshtojnë njëra-tjetrën, të gjitha rrugët të çojnë në vend numëro.