Karakas, 5 janar 2026 – Udhëheqësja e opozitës venezueliane, Maria Corina Machado, e cila ishte fituese e Çmimit Nobel për Paqe për vitin 2025, ka thënë se venezuelianët i janë mirënjohës presidentit amerikan Donald Trump dhe administratës së tij.
Në një postim në mediat sociale, të hënën, ajo ka shkruar se Venezuela “do të jetë aleati kryesor i Shteteve të Bashkuara për sigurinë, energjinë, demokracinë dhe të drejtat e njeriut”.
“Çlirimi i Venezuelës është afër dhe ne jemi gati të festojmë në tokën tonë”, ka theksuar ajo.
Machado ia ka bashkangjitur postimit disa videoregjistrime nga festimet e venezuelasve në disa qytete të Venezuelës pas rrëzimit të presidentit Nicolas Maduro.
Postimi i plotë:
Populli i guximshëm venezuelian doli në rrugë në 30 vende dhe 130 qytete anembanë botës për të festuar një hap të madh që shënon tranzicionin e pashmangshëm dhe të afërt për Venezuelën. Ne venezuelasit e falënderojmë Presidentin Donald Trump dhe administratën e tij për vendosmërinë e tyre për të mbrojtur ligjin.
Venezuela do të jetë aleati kryesor i Shteteve të Bashkuara për sigurinë, energjinë, demokracinë dhe të drejtat e njeriut.
Çlirimi i Venezuelës është afër dhe ne jemi gati të festojmë në tokën tonë. Le të bërtasim, të lutemi dhe të përqafohemi si një familje, sepse fëmijët tanë do të kthehen në shtëpi.

(r.m.)