Marjana Semini zgjidhet anëtare e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë

Tiranë, 23 dhjetor 2022 – Profesoresha e shkencave juridike, Marjana Semini, u zgjodh të premten anëtare e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, në seancën e fundit të Kuvendit të Shqipërisë për këtë vit.

Ajo mori votat 58 deputetëbe nga 80 deputetët që morën pjesë në votim, Ardian Dvorani i mori 14 vota, ndërsa Arta Vorpsi i mori 2 vota. Votat e 6 deputetëve u shpallën të pavlefshme nga komisioni i votimit.

“Nga votimi doli se asnjëri nga kandidatët nuk i ka marrë votat e kërkuara me ligj, megjithatë sipas Kushtetutës, Marjana Semini, e renditur e para nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, emërohet anëtare e Gjykatës Kushtetuese”, tha Drejtuesja e komisionit, deputetja Klotilda Bushka.

Kushtetuta, në nenin 125 të saj, përcakton që nëse asnjëri prej kandidatëve të përzgjedhur nga Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED0 nuk e merr shumicën e cilësuar prej 3/5 ose 84 vota të deputetëve, anëtar i Gjykatës Kushtetuese emërohet kandidati i renditur i pari nga KED.

Deputetët e opozitës shprehën dyshime se shumica socialiste po përpiqej të ndikonte në votimin e opozitës për anëtarin e Gjykatës Kushtetuese.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, tha se “ishte e pakuptueshme ngutja e socialistëve për të kryer këtë votim, kur Partia Socialiste nuk i ka 84 vota” dhe se “po përpiqej të peshkonte vota rreth e rrotull”.

Ndërsa deputeti Gazmend Bardhi tha se opozita ishte e shqetësuar “mbi përpjekjen e socialistëve për ta shndërruar Gjykatën Kushtetuese në seksion të Partisë Socialiste, duke porositur truke dhe presione nga oligarkë ndaj deputetëve opozitarë, për të favorizuar kandidaturën e Ardian Dvoranit”.

Kryeministri Edi Rama deklaroi se “kjo ishte një fantazi në kokën e deputetëve të opozitës”, dhe se “deputetët socialistë do të votonin krejt të lirë zgjedhjet e tyre midis kandidatëve”, sepse grupi i tyre parlamentar nuk kishte marrë ndonjë vendim për të mbështetur njërin prej kandidatëve.

Deklaratat mohuese të zotit Rama shkaktuan nervozizëm tek deputeti Bardhi, i cili këmbënguli se shumica kishte bërë presion ndaj deputetëve opozitarë dhe pas ngritjes së toneve fyese, ky i fundit u përjashtua nga seanca.

Anëtarja më e re e Gjykatës Kushtetuese, profesore Marjana Semini ishte për më se 22 vjet drejtuese dhe pedagoge në Shkollën e Magjistraturës, pedagoge në Universitetin e Tiranës dhe në Shkollën Kombëtare të Avokatisë.

Ajo është autore e një serie botimesh profesionale e akademike. Si eksperte ka marrë pjesë në një mori projektesh të institucioneve shqiptare dhe ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut, të drejtat civile, të pronësisë intelektuale dhe të drejtës tregtare.

Gjykata Kushtetuese u plotësua 10 ditë më parë me një tjetër anëtar të ri, juristi Gent Ibrahimi.

Ai u betua më 13 dhjetor përpara presidentit Bajram Begaj, në një ceremoni të posaçme. Zoti Ibrahimi ishte drejtuesi i parë i Këshillit të Lartë të Prokurorisë për 5 vite, ndërsa për një kohë të gatë ka qenë drejtues i Institutin e Studimeve Publike dhe Ligjore (ISPL), një prej organizatave të njohura, që trajtojnë çështjet e drejtësisë.

Ai u rendit i pari në listën e KED, në përfundim të një procesi të tejzgjatur verifikimesh, për gati 10 muaj.

Gjykata Kushtetuese nuk ushtroi dot funksionet e veta për disa vite, sepse procesi i rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe dorëheqjet që pasuan, e lanë atë vetëm me kryetaren Vitore Tusha.

(Ilirian Agolli, Zëri i Amerikës)