Marrëdhëniet e shqiptarëve me Kroacinë kanë në themel interesat e përbashkëta

Shkup, 18 mars 2024 – Drejtori i Arkivit Shtetëror të Kroacisë, Dinko Çutura, ka pritur sot në një takim pune në Zagreb, drejtorin e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve (ITSHKSH), Prof.dr. Skender Asanin. Kjo vizitë e drejtorit Asani vjen pas një bashkëpunimi të shkëlqyer me Arkivin Shtetëror të Kroacisë, ku u zhvilluan disa hulumtime me interes jo vetëm shkencor, por edhe kombëtar. Fryt i këtyre hulumtimeve ishte vjelja e dokumentacionit mbi veprimtarinë atdhetare të ilegales shqiptare që nga Lufta e Dytë Botërore deri në vitet tetëdhjetë të shekullit të kaluar, si dhe botimi dyvëllimësh i librit ”Ilegalja shqiptare pararendëse e rrënimit të Jugosllavisë”. Dalja në dritë e këtij botimi të posaçëm  nuk do të ishte e mundur pa fondin e pasur të dokumenteve autentike, në formë të dosjeve,  të Arkivit Shtetëror të Kroacisë, të cilat u sistemuan,  u përkthyen dhe u përgatitën për botim nga hulumtuesit e ITSHKSH.

Vizita e sotme e drejtorit Asani në Arkivin Shtetëror të Kroacisë është vazhdimësi e punës hulumtuese të ITSHKSH që pritet të zhvillohet në periudhën e ardhshme, ku do të ndriçohen disa ngjarje e persnalitete nga e kaluara, të cilët kishin pasur kontribute të jashtëzakonshme në  proceset e mëvonshme politike e kombëtare të shqiptarëve në ish-Jugosllavi.

Pjesë e këtij takimi ishte edhe mundësia e një bashkëpunimi më të avancuar shkencor e hulutumues në të ardhmen në mes të dy institucioneve dhe për rrjedhojë drejtori i Arkivit Shtetëror të Kroacisë, Dinko Çutura, paralajmëroi se në një të ardhme jo të largët do ta vizitojë ITSHKSH-në për t’u njohur më nga afër me punën dhe veprimtarinë e gjithmbarshme të tij. Drejtori Asani e ka mirëpritur këtë paralajmërim duke shtuar se marrëdhëniet e shqiptarëve me Kroacinë janë shumë më të hershme dhe ato duhet të thellohen, si një tregues i fuqishëm i respektit dhe mirëkupimit reciprok në mes dy popujve. 

Një kontribut të veçant në menaxhimi e takimeve dhe komunikmeve me personalitet dhe institucionet e ndryshme të Zagrebit, po jep edhe Ambsadori i Maqedonisë së Veriut në Kroaci, z. Milaim Fetahu, ndaj të cilit drejtori Asani ka shprehur faleminderime dhe mirënjohje të sinqerta.

(e.a.)