Berlin, 8 korrik 2025 – Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, ka thënë se Serbia duhet t’i përmbushë të gjitha detyrimet e saj, përfshirë zgjidhjen e çështjes me Kosovën, për t’u bashkuar me BE-në.
Në një intervistë për Radion Deutsche Welle, Kos ka thënë se askush nuk e detyron Serbinë për asgjë, por ka theksuar se Serbia duhet t’i përmbushë detyrimet e saj.
“Zgjedhja për në BE sjell përgjegjësi. Askush nuk e detyron Serbinë, por, nëse thotë ‘po’ duhet t’i përmbushë detyrimet. Nëse arrijmë ta shpjegojmë më mirë pse BE-ja është e dobishme për Serbinë dhe sjellim investitorë që hapin vende pune, atëherë jemi në rrugë të mirë”, ka thënë ajo.
E pyetur për protestat antiqeveritare në Serbi, Marta Kos ka thënë se kërkesat e protestuesve janë të njëjta me ato të BE-së dhe se qeveria serbe duhet t’I dëgjojë ato.
“Serbia është në situatë të vështirë. Bashkimi Evropian e mbështet rrugën evropiane të Serbisë dhe të popullit të saj. Por, megjithëse është vend kandidat prej shumë vitesh, ajo nuk i ka përmbushur ende reformat e nevojshme. Ne po ndihmojmë që këto reforma të përmbushen. Protestat që shohim prej muajsh janë një shprehje e qartë e pakënaqësisë së qytetarëve. Çdo qeveri duhet të dëgjojë qytetarët e vet. Në shumë pika, protestuesit kërkojnë të njëjtën gjë që kërkon edhe BE-ja: sundim të ligjit, luftë kundër korrupsionit, liri të medias. Kemi një interes të përbashkët dhe shpresoj që do të mund të ndihmojmë në stabilizimin e vendit”, është shprehur ajo.
Marta Kos e ka komentuar edhe mungesën e flamujve të BE-së në protestat antiqeveritare në Serbi. Ajo ka thënë se ndër arsyet që i përmendin studentët dhe qytetarët është edhe kërkesa e BE-së që Serbia ta njohë Kosovën.
“Kam folur me shumë qytetarë, profesorë dhe përfaqësues të shoqërisë civile në Serbi. Ja çfarë më kanë thënë në mënyrë të përmbledhur: së pari, thonë se BE-ja e mbështet presidentin Vuçiq. Së dyti, ju na keni bombarduar – edhe pse ishte NATO. Së treti, ju doni që Serbia të njohë Kosovën. Dhe së katërti, nuk duam të zemërojmë Rusinë. Këto ndjenja duhet të merren seriozisht. Duhet të komunikojmë më mirë përfitimet e zgjerimit”, është shprehur Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos.
(r.m.)