Martens: Në Berlin e Paris ka qarqe që synojnë shtyrjen e votimit për Kosovën në KiE

Nga Koha.net

Gazetari i “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, Michael Martens, vlerëson se disa qarqe në Berlin e Paris, por edhe kryeqendra tjera të Evropës, po synojnë ta shtyjnë votimin për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës.

Martens në një shkrim në “FAZ” ka prekur çështjet kyçe në lidhje me aplikimin e Kosovës për anëtarësim në KiE.

Aplikimi i Kosovës po pritet të shqyrtohet në Këshillin e Ministrave në mesin e majit.

“Ka aktualisht një betejë në Evropë nëse shteti më i ri i Evropës duhet të lejohet t’i bashkohet klubit të vjetër të demokracive evropiane (Këshilli i Evropës, i themeluar në vitin 1949). Është betejë po ashtu për kredibilitetin evropian”, ka shkruar Martens në rrjetin social “X”. “Ndonëse Franca dhe Gjermania nuk vendosin vetë lidhur me këtë çështje, ato luajnë rol qendror në vendim. Kjo është edhe arsyeja pse presidenti serb Aleksandar Vuçiq së fundi udhëtoi në Paris për të agjituar kundër anëtarësimit të Kosovës. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti,  në anë tjetër udhëtoi në Berlin javën e kaluar për të bërë fushatë për pranimin e Kosovës në KiE. Ai u fokusua në diskutimet te politikanët nga SPD-ja, partia e kancelarit Olaf Scholz, por po ashtu u takua me ministren e jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock”, ka shkruar Martens.

Martens ka thënë se ndonëse shumica e madhe në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës votuan pro anëtarësimit të Kosovës, në Berlin e Paris, po ka qarqe që synojnë ta injorojnë votimin e deputetëve të tyre. Martens ka thënë se ato qarqe po kërkojnë themelimin e Asociacionit  të komunave serbe si parakusht.

“Pozita startuese duhet të jetë më se e qartë, pasi një shumicë e madhe prej më tepër se 80 për qind të deputetëve në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës votuan në favor të pranimit të Kosovës si anëtare…Mirëpo, në Berlin dhe Paris (por edhe në kryeqendra tjera) duket se ka qarqe që synojnë ta injorojnë votën e qartë të parlamentarëve të tyre dhe të shtyjnë votimin për aplikimin e Kosovës për anëtarësim, kështu duke injoruar kriteret e duke bërë që momenti të humbet. Këto qarqe thonë se para se aplikimi i Prishtinës të votohet, Kosova duhet ta lejojë themelimin e ‘Asociacionit të Komunave me shumicë serbe’ (AKS) për të siguruar të drejtat e minoritetit serb. Duket se kjo vijë e mendimit ekziston edhe në kancelarinë gjermane. Por, në një vështrim më të afërt, kjo kërkesë nuk do të thotë asgjë tjetër pos t’i jepet Serbisë e drejta e vetos kundër pranimit të Kosovës, ndonëse një veto e tillë nuk parashihet në statutet e KiE-së”, ka shkruar Martens.

Martens ka cekur se konfuziteti thelbësor qëndron te fakti po ashtu se kush duhet ta themelojë Asociacionin.

“E vërtetë Beogradi e Prishtina në vitin 2013, në një marrëveshje të ndërmjetësuar nga BE-ja në Bruksel, ranë dakord që duhet të ketë një asociacion të komunitetit serb në Kosovë.  Në rreshtin e parë të marrëveshjes së Brukselit thotë: ‘Do të ketë një Asociacion/Bashkësi të komunave me shumicë serbe në Kosovë’. Por, duket se ka mjaft konfuzion se çfarë do të thotë kjo fjali, madje edhe në mesin e njerëzve që duhet ta dinë këtë më mirë. Sepse pyetja thelbësore është: Kush është, sipas kësaj fjalie dhe standardeve evropiane, përgjegjës për themelimin e një asociacioni të tillë? Për disa arsye, duket se ka mbizotëruar një interpretim që nuk është në përputhje me standardet evropiane. Bazuar në këtë interpretim mjaft të çuditshëm, qeveria e Prishtinës duhet ta themelojë një asociacion të tillë në një qasje nga lartë-poshtë, duke prekur dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë. Por, nuk shkon kështu. Në të gjithë Evropën, ka asociacione të komunave, por asnjë nga këto asociacione nuk janë themeluar nga qeveritë. Sepse qeveritë nuk mund ta bëjnë këtë. Shoqatat komunale të themeluara nga qeveritë janë oksimorone. Iniciativa duhet të vijë nga bashkitë. Nuk mund të imponohet pa apo kundër tyre. Kontrolli (brenda ligjeve të shteteve të tyre) duhet të qëndrojë me ta”, ka shkruar Martens.

Martens ka thënë se në rastin e Kosovës po zbatohen rregulla të ndryshme. Ai ka përmendur draftin e propozuar nga QUINT-i për Asociacionin dhe ka pyetur nëse do të mund të dërgohej në Gjykatën Kushtetuese të Gjermanisë ndonjë draft i tillë pa autor dhe jozyrtar, siç po i kërkohet Kosovës ta bëjë.

“Të frustruar nga mungesa e progresit, disa akterë perëndimorë në tetorin e kaluar paraqitën jozyrtarisht draftin e tyre të AKS-së. Drafti vjen nga shtetet e QUINT-it, të përbëra nga SHBA-ja, Gjermania, Franca, Britania e Madhe e Italia (plus BE-ja). Zyrtarisht, drafti s’ka autor. Ra nga qielli si dhjetë Urdhëresat. Por, vendet e QUINT-it kërkojnë që Kosova ta dërgojë ‘non-paperin‘ e tyre, një draft jozyrtar dhe pa autor, në gjykatën e saj Kushtetuese për shqyrtim. Dikush pyet veten: a do të kërkonin ata diplomatë këtë në vendet e tyre? Gjykata Kushtetuese e Gjermanisë si shembull, me siguri do ta shpallte të papranueshme shqyrtimin ligjor të një draftdokumenti të tillë jozyrtar dhe pa autor”, ka thënë Martens.

Martens ka thënë se situata aktuale për Serbinë është perfekte.

“Ekziston edhe një detaj thelbësor: çdo asociacion i komunave me shumicë serbe mund të themelohet vetëm nga ato komuna. Dhe askush deri tash nuk është shprehur në favor të draftit të QUINT-it. Sepse Beogradi nuk e do. Për Serbinë, statusi aktual është i përsosur: Beogradi ankohet me zë të lartë se nuk ka AKS – dhe në të njëjtën kohë bën çdo gjë që mundet për të siguruar që të mbetet ashtu situata. Kush thotë se nuk mund ta hani tortën tuaj dhe ta hani atë? Beogradi tregon se mundesh, përderisa tjerët luajnë këtë lojë. Serbia i ka udhëzuar me sukses serbët e Kosovës në disa raste që t’i bojkotojnë zgjedhjet dhe të tërhiqen nga komunat me shumicë serbe në veri. Pa përfaqësues serbë nuk ka AKS dhe pa AKS nuk ka anëtarësim në Këshill të Evropës për Kosovën”, ka shkruar Martens.

Ai thotë se brenda partisë SPD në Gjermani ka rezistencë ndaj logjikës së vendosjes së këtij kushti për Kosovën. Ai ka thënë se protagonist ndaj kësaj rezistence është Frank Schwabe, kryetar i Grupit të Socialdemokratëve dhe të Gjelbërve në Asamblenë Parlamentare të KiE-së.

Ai thotë se edhe vetë raportuesja për Kosovën në KiE, Dora Bakoyannis, ka kuptuar se Asociacioni është kurth, sepse Serbia s’do që të përmbushet.

“Schwabe është i përkushtuar të sigurojë që Berlini mos ta injorojë votimin e qartë në Asamblenë Parlamentare të KiE-së për Kosovën. Ai nuk është i vetëm në SPD.  Edhe raportuesja Dora Bakoyannis, si Schwabe, e ka kuptuar se kushti i AKS-së është në thelb një kurth, sepse Serbia s’do që të përmbushet. Të tjerët në Berlin ose nuk arrijnë ta kuptojnë këtë ose janë në rregull me këtë. Nuk e di se çfarë është më keq. Është një moment si në konfliktin mes Athinës dhe Shkupit për ‘çështjen e emrit’. Në vitin 2018 pati një dritare mundësish. Po të mos e përdornin palët atëherë, konflikti nuk do të zgjidhej ende sot”, ka shkruar Martens.