Mazhoranca e rrëzon kërkesën e opozitës për shkarkimin e Presidentit Begaj

Tiranë, 31 tetor 2025 – Deputetët e mazhorancës në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike rrëzuan të premten kërkesën e grupit parlamentar të Partisë Demokratike për nisjen e procedurave për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj.

Demokratët pretendojnë se Begaj ka kryer disa shkelje të rënda të Kushtetutës, referuar disa dekreteve të tij, disa të rrëzuara nga Gjykata Kushtetuese, dhe se ka marrë përfitime në konflikte të hapura interesi.

PD po ashtu e akuzon presidentin se ka qenë i njëanshëm politikisht gjatë ushtrimit të detyrës dhe nuk ka arritur të jetë në lartësinë e rolit që i kërkon Kushtetuta si “unitet i Kombit”.

Procedura parlamentare parashikon ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar, i cili në fund të shqyrtimit vendos për të dërguar një raport në Gjykatën Kushtetuese, organi që vendos për shkarkimin ose jo të Presidentit.

Por socialistët morën përsipër që të argumentojnë vetë antikushtetueshmërinë e argumenteve të opozitës, duke ‘’rrëzuar’ shkeljet e pretenduara prej tyre si të pabazuara.

Kryetari i komisionit, Ulsi Manja tha Presidenti nuk mund të gjykohet pse nxjerr dekrete pasi ajo është kompetencë e tij kushtetuese dhe se rastet e shkarkimit të një presidenti ishin parashikuar qartë në Kushtetutë. Duke cituar dispozitat kushtetuese, Manja këmbënguli se këto raste lidheshin vetëm kur ai cënonte vlerat themelore kushtetuese me pasoja reale në jetën publike dhe kur dëmi kushtetues të kishte natyrë të pakthyeshme dhe shkelja të ishte kryer me faj dhe pa pendim.

Një nga shkeljet ku bazohej kërkesa e PD-së lidhej me dekretin për shpalljen e zgjedhjeve në Tiranë, ndërkohë që Gjykata Kushtetuese kishte pranuar ankesën e kryetarit të bashkisë Erion Veliaj kundër shkarkimit të tij nga qeveria në bazë të një neni kushtetues që pezullon këtë akt deri në vendimin e kësaj gjykate.

“Është absurd juridik që presidenti të konsultohet me Gjykatën Kushtetuese para shpalljes së një dekreti,” tha Manja.

Edhe relatorja e çështjes, Aulona Bylykbashi argumentoi se nëse do të ngrihet komisioni hetimor për këtë kërkesë, do të vendosej një “precedent i rrezikshëm që cënon garancinë juridike”.

Demokratët argumentuan se duhej nisur procedura parlamentare dhe të lihej në diskrecionin e gjykatës vendimi nëse shkeljet e pretenduara përbënin apo jo shkak për shkarkim.

“Procedura e kërkon që të ngrihet komisioni hetimor. Nëse çdo gjë vendoset këtu, s’do kemi kurrë mundësi të përdorimin instrumentat që kemi në dispozicion,” tha nënkryetari i komisionit, Oerd Bylykbashi.

Kërkesa e PD-së denoncon gjithashtu “një konflikt permanent interesi” të Presidentit për përfitime personale të tij dhe të të birit në shkelje të Kushtetutës.

“Ka vijuar të ushtrojë detyra publike në Akademinë e Forcave të Armatosura dhe veprimtari private në Spitalin Acibadem në kundërshtim me detyrimin e tij kushtetues për të hequr dorë nga çdo lloj detyre publike apo veprimtarie private…,”-thuhet në kërkesë.

Neni 89 i Kushtetutës i ndalon Presidentit të Republikës që të mbajë detyra të tjera publike, të jetë anëtar i ndonjë partie ose të kryejë veprimtari të tjera private.

Por pavarësisht këtij detyrimi, Begaj ka deklaruar në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ILDKPKI, interesa të tjera private përveç detyrës së Presidentit.

Në deklarimet e viteve 2022 dhe 2023, Begaj ka deklaruar të ardhura nga spitali privat “Acibadem” në Tiranë në vlerën totale të 4398 eurove. Presidenti ka deklaruar gjithashtu të ardhura nga Akademia e Forcave të Armatosura për vitet 2022 dhe 2024 në vlerën e 252,130 lekëve gjithsej.

Në kërkesën e PD-së  kreu i shtetit akuzohet se ka kultivuar një lidhje të konfliktit të interesit me kompaninë ku ishte punësuar i biri. Sipas të dhënave nga ILDKPKI, djali i Presidentit, Klajdi Begaj është i punësuar në kompaninë e sigurimeve, ANSIG sh.a me një pagë vjetore neto prej 30 mijë eurosh. Presidenca e ka kontraktuar kompaninë ANSIG sha për polica sigurimi shëndeti dhe automjetesh me një vlerë totale prej 1.3 milionë lekësh gjatë viteve 2022-2025, sipas të dhënave të siguruara nga Thesari i Shtetit.

Në kërkesën për shkarkim PD pretendon gjithashtu se Begaj ka dekretuar në mënyrë antikushtetuese ligjin për komisionet hetimore, ministren virtuale “Diella”, si dhe ka refuzuar që të ndalojë përfshirjen e trupit diplomatik në fushatë elektorale, ndërsa ka ndërhyrë në administrimin e procesit zgjedhor nëpërmjet kabinetit të tij. Pretendimi i fundit lidhet me faktin që këshilltari i tij ligjor, Ilir Rusmali është njëkohësisht anëtar i Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve, një organ i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

(Reporter)