Tiranë, 2 shkurt 2026 – Socialistët pritet të miratojnë në parlament të martën një projektvendim që e ndryshon formulën e përbërjes dhe strukturën vendimmarrëse të këtij komisioni, duke i dhënë mundësinë PS-së që ta ketë shumicën e anëtarëve në komision dhe heqjen e të drejtës së vetos dhe bashkëkryesimit opozitës.
Gjatë mbledhjes së komisionit të hënën bashkëkryetari socialist, Arbjan Mazniku tha se ky ishte një “mekanizëm zhbllokues” në mënyrë që komisioni të vijojë punën dhe të arrijë të përfundojë një reformë territoriale deri në korrik të këtij viti.
“Është e rëndësishme që reforma territoriale të përmbyllet rreth korrikut, të paktën një vit para zgjedhjeve 2027”- tha Mazniku duke njoftuar se komisioni do të nisë fazën e konsultimeve me bashkitë dhe grupet e tjera të interesit për çështje që prekin qeverisjen vendore si: kompetencat, funksonet dhe financimi.
Sipas projektvendimit që pritet të miratohet të martën në seancë plenare përbërja e komisionit do të ndryshojë me shtimin e një anëtari për PS-në, duke e çuar numrin e anëtarëve socialistë në 7 nga 16 anëtarë që është ku ishte menduar një ndarje e barabartë 8 anëtarë për PD dhe 8 për PS.
Po ashtu komisioni do të humbë karakterin bipartizan të tij pasi nuk do të drejtohet me bashkëkryetarë, por me kryetar nga Partia Socialiste dhe një nënkryetar që do t’i përkasë PD-së.
Ekspertët e pushtetit vendor shprehin shqetësimin se një reformë e njëanshme do të humbasë legjimitetin politik dhe shoqëror, duke u perceptuar si akt force dhe jo si një proces reformues i përbashkët.
“Pa konsensus dhe pa përfshirjen reale të opozitës dhe të gjithë spektrit politik, reforma mbetet e brishtë dhe e paqëndrueshme, veçanërisht në klimën aktuale politike,” tha për BIRN Agron Haxhimali, drejtor i Institutit Shqiptar të Bashkive. Sipas Haxhimalit, një qasje e tillë rrezikon gjithashtu ta reduktojë reformën në ndryshim kufijsh dhe numrash, duke anashkaluar funksionimin e demokracisë vendore dhe kapacitetet për ofrimin e shërbimeve lokale.
“Kjo nuk është një qasje e shëndetshme as në kontekstin e rrugës evropiane të Shqipërisë, ku reformat strukturore ndërmerren mbi bazën e konsensusit të gjerë, si dëshmi e pjekurisë institucionale dhe aftësisë për të ndërtuar reforma integruese,” theksoi ai.
Komisioni i posaçëm për Reformën Territoriale dhe ai për Reformën Zgjedhore u ngritën me konsensus mes dy partive të mëdha, por opozita përgjithësisht ka bojkotuar punën e tyre dhe pse nuk ka një vendim politik të qartë nga Partia Demokratike për bojkot afatgjatë. Socialistët paralajmëruan të hënën se të njëjtin “mekanizëm zhbllokues” do të vendosin dhe për reformën zgjedhore në rast të një bojkoti të opozitës.
Komisioni i Posaçëm për Reformën Territoriale synon të rimarrë në shqyrtim reformën territoriale të realizuar në vitin 2014 që shkriu komunat dhe krijoi 61 bashki të mëdha dhe 12 qarqe. Në komisionin e ri parashikohet shqyrtimi i kuadrit ligjor dhe institucional të qeverisjes vendore; opsione të reja për ridizenjimin territorial dhe forcimin e kapaciteteve administrative të njësive të qeverisjes vendore;analizë e sistemit të financave vendore, etj..