Mazhoranca rrëzon 6 nisma ligjore të propozuara nga opozita

Kuvendi i Shqipërisë i rrëzoi me votën e shumicës parlamentare 6 nisma ligjore të ndërmarra nga deputetë të opozitës, duke vazhduar kështu politikën e refuzimit të çdo propozimi ligjor që vjen nga kampi kundërshtar edhe në rastet kur ato nuk kundërshtohen në parim.

Në seancën parlamentare të së enjtes, deputetët e shumicës parlamentare rrëzuan me votë 6 projektligje të propozuara nga deputetë të partive opozitare, ndryshime ligjore që u vinin në ndihmë grupeve shoqërore si ulje të TVSH për produktet bazë, rritje pagash për mësuesit, ulje të akcizës për prodhuesit artizanal të birrës, rregullimin e kuadrit ligjor për analizat ushqimore dhe për heqjen e menazhimit të siteve kulturore nga privatët.

Kështu u rrëzuan dy nisma ligjore të deputetes Ina Zhupa, e para kishte si qëllim korrigjimin e pasojave të një vendimi qeverie të vitit 2024 për pagat e mësuesve, që çoi në ulje pagash për më shumë se 11 mijë mësues të diplomuar para implementimit të sistemit të Bolonjës për diplomat.

Ndërkohë, mazhoranca duke pranuar cënimin që u është bërë pagave të mësuesve ka ndërmarrë një nismë të ngjashme ligjore që është në fazë shqyrtimi në Kuvend.

Projektligji tjetër i Zhupës “Për disa ndryshime në ligjin nr. 27/2018 “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë”, synon mbrojtje për trashëgiminë kulturore. “Nuk mund t’i lihet në dorë një privati për të interpretuar historinë e vendit, për të interpretuar gjetjet arkeologjike apo për të përfituar nga fondet publike që gjenerohen prej saj”- tha ajo në Kuvend.

Projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr. 61/2012 “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, që synonte të ulte akcizën për prodhuesit vendorë artizanalë të birrës, nismë e deputetes së PD-së, Jorida Tabaku, po ashtu u rrëzua.

Tabakut iu rrëzua dhe nisma “Për statusin e minatorit”.

Dhe të njëjtin fat patën dhe nismat e deputetëve të Partisë së Lirisë, njëri uljen e TVSH për produktet ushqimore bazë me synim mbrojtjen e shtresave të varfëra të shoqërisë nga rritja e çmimeve dhe tjetri “Për domosdoshmërinë e kryerjes së analizave laboratike për ndotësit ushqimorë”.

Ndërkohë mazhoranca miratoi dy nisma ligjore të mbështetura nga qeveria, atë “Për qeverisjen elektronike” dhe “Për shërbimin e jashtëm”.

I pari parashikon kalimin e tenderave të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, AKSHI, tek një shoqëri aksionere me pjesmarrje publike dhe private dhe i dyti parashikon përmirësimin e shërbimit të jashtëm përmes testimit të diplomatëve.

(Reporter)