Masat e mara nga këshilli i patë drejtues, qysh në krijimin e shoqatës “Bijtë e Shqipes”, në Filadelfia, për ecurinë e jetës së saj, treguan se jo vetëm se ishin të domosdoshme, por edhe të suksesëshme. Kjo ishte meritë e të gjithë anëtarëve të këtij këshilli, të drejtuar nga kryetari Dr. George Ziu dhe n/kryetari z. Llazar Vero.
Nuk ishte rastësi që jeta e shoqatës filloi me Gjergj Kastriotin Skënderbeun, Ismail Qemalin, Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe Nënë Terezën, simbole këto të kombit tonë.
Për të realizuar me sukses detyrat e përcaktuara në statutin e shoqatës u përcaktuan këto masa.
Së pari, duhej shtuar numëri i anëtarëve, për të rritur tërësinë e shoqatës.
Së dyti, krahas fillimit të veprimtarive, duhej të rritej numëri i tyre, që jo vetëm të përkujtoheshin ngjarjet e rëndësishme dhe emrat e shquar të kombit tonë, por edhe tërheqjen e anëtarëve të Komunitetit Shqiptar në Filadelfia, në këto veprimtari, që direkt do të bënin të njohur sa më tepër shoqatën, por do të ndihmonin dhe në afrimin e këtyre anëtarëve në gjirin e shoqatës.
Së treti, me punën e palodhur, të ndershme dhe trasparente, sidomos në drejtim të financës, do të luftoheshin disa mendime negative që shpreheshin këtej e andej, për organizimet e tilla, si ajo e Shoqatës “Bijtë e Shqipes”.
Rezultatet nuk munguan. Nga dy veprimtari që u organizuan në vitin e parë të jetës së shoqatës, numëri i tyre u rrit nga viti në vit, në shtatë qysh në vitin e dytë, 2003, në 16 në vitin 2008, në 21 në vitin 2015, për të arritur në shifrat rekord, 36 deri 38, në vitit 2016, 2017 dhe 2018, si dhe 42, në vitin 2019.
Numëri i anëtarëve të shoqatës nga 20 që nisën jetën e saj, në 44 një vit më vonë dhe më tej, 179 në vitin 2006, 273 në vitin 2009, 323 në vitin 2014 dhe 497 në vitin 2019, shifra këto vërtetë në rritje, por që për këshillin drejtues të shoqatës, gjithmonë janë quajtur të pamjaftushme, duke patur parasysh numërin e madh të anëtarëve të Komunitetit tonë në Filadelfia. Sot ky numër e kalon shifrën 700.
Qysh me krijimin e shoqatës u mendua për hapjen e një shkolle shqipe, që fëmijët e familjeve shqiptare në Filadelfia, të mësonin gjuhën tonë të bukur, apo ta përmirësonin atë tek ata që nuk ishin fillestar. Mendimin për këtë e shprehën z. Llazar Vero, n/kryetar i këshillit drejtues dhe mësuesja nga Tirana znj. Elvira Budo.
Mbas një pune të madhe për sigurimin e librave të shkollës dhe sidomos të abetareve, të sigurimit të mësueseve dhe numërit të fëmijëve, që do të ishin nxënësit e parë të kësaj shkolle, më 7 Mars 2004, vetëm dy vjet nga krijimi i shoqatës, në 117 vjetorin e shkollës shqipe në Korçë, u bë realitet ceremonia e hapjes së shkollës së pare shqipe në Filadelfia, që mori emrin e bukur “Gjuha Jonë”. Suksesi i hapjes së kësaj shkolle, i takon këshillit drejtues të shoqatës, i drejtuar nga Dr. George Ziu si kryetar dhe z. Llazar Vero, si n/kryetar, si dhe mësueseve të para që u afruan për të dhënë mësim, pa shpërblim, zonjat Elvira Budo, Mirela Qirici, Mirjana Kina, Luljeta Toshi, Mimoza Priftanji, Lindita Hysko dhe z. Sotiraq Binjaku.
Në Gusht të vitit 2005 bëhet realitet një ëndërr e të gjithëve. Me ndihmën e familjes Risilia, të përfaqësuar nga z. Beniamin Risilia, që dhuroi shumën prej 64.000 dollarë, u ble një ndërtesë, që mbas punimeve të shumta për përshtatjen e saj për qëllimet e shoqatës, më 13 Maj 2006 u bë ceremonia e promovimit të saj, që u kthye në Qendër Kulturore të Komunitetit Shqiptar.
Synimet nuk kishin të mbaruar. Punohet shumë dhe më 1 Nëntor 2009, inagurohet Biblioteka e Librit Shqip, e para e këtij lloji në Filadelfia, që mori emrin e Prof. Anastas Dodi, një nga anëtarët shumë veprimtar në Shoqatën “Bijë e Shqipes”.
Më 7 Qershor 2014, me ratin e 10 vjetorit të Shkollës Shqipe “Gjuha Jonë”, Shoqata “Bijtë e Shqipes”, organizon një simpozium, me temë: “Përmirësimi i procesit të mësimdhënies në shkollat shqipe në emigracion, që veprojnë në pjesën lindore të Amerikës”. Për këtë qëllim, u ftuan 10 shkollat shqipe, që vepronin në pjesën lindore të Amerikës. Fatkeqësisht, me përjashtim të shkollës shqipe të “Fondit të Përbashkët Shqiptar” në Patison të Nju xhersit, shkollat e tjera shqipe, nuk u përgjigjën pozitivisht kësaj nisme. Në këtë simpozium, u referuan gjashtë tema cilësore e në fund u përcaktuan një seri masash për përmirësimin e mësimdhënies.
Nga viti në vit, vijmë në vitin 2018, kur me ndihmesën financiare të anëtarëve të Komunitetit Shqiptar në Filadelfia dhe sidomos të bizneseve të bashkatdhetarëve tanë që veprojnë në qytetin tonë, blihet një ndërtesë më e madhe se ajo që ka shoqata, për kushte më të mira për klasat e shkollës shqipe, që kanë ardhur duke u shtuar dhe veprimtaritë e jetës së shoqatës.
Në Shtator të vitit 2019, Shoqatës “Bijtë e Shqipes” i dorëzohet tituli “Ambasador i Kombit”, dhënë nga Qevreia Shqiptare në Samitin e Dytë të Diasporës, të mbajtur në Tiranë.
Nuk u zgjatëm në hollësi të jetës së shoqatës, por treguam disa ngjarje kryesore, për ta lidhur me atë që do të shkruajmë në vazhdim.
Vijmë në fundvitin 2019, në të cilin shfaqet virusi Kovid-19, që pushtoi gjithë botën. Nga dita në ditë, nga java në javë dhe muaji në muaj, nga të gjitha shtetet e globit, njoftohen shifrat në rritje të numërit të infektuarëve si dhe të viktimave.
Nuk kishte si të mos ndikonte kjo gjendje edhe në jetën e Shoqatës “Bijtë e Shqipes”. Virusi i shfaqur, që pati kulmin e veprimit sidomos në vitin 2020, e zbeu jetën e shoqatës, por nuk mundi dot ta shuante atë. U paksuan shumë veprimtaritë e shoqatës.
Në muajin Mars 2020, këshilli drejtues i shoqatës, u detyrua të mbyllte, përkohësisht, mësimdhënien në Shkollën Shqipe “Gjuha Jonë”, për të ruajtur jetën e fëmijëve të kësaj shkolle, por ndërkohë, u menduan masat për kohën dhe formën e rifillimit të mësimeve. Këshilli drejtues organizoi një takim me mësueset e shkollës shqipe dhe më vonë me prindërit e fëmijëve që ishin nxënës të kësaj shkolle, ku u përcaktuan masat për mundësinë e rifillimit të shkollës shqipe. Kështu në Shtator 2020, shkolla shqipe “Gjuha Jonë”, rifilloi mësimet duke zbatuar reptësisht, masat kundra pandemisë. Kryesisht, mësimi kaloi në online me kujdesin e madh edhe të prindërve që u qëndruan pranë fëmijëve. Ishte një përvojë e re kjo rrugë që ndoqi Shkolla Shqipe “Gjuha Jonë”, por që rezultoi e suksesëshme, në sajë të këmbënguljes, të këshillit drejtues të shoqatës, punës cilësore të mësueseve të shkollës dhe gadishmërisë së prindërve të fëmijëve.
Gjatë muajit Shtator – Tetor 2020, u zhvillua pjesa e ngelur e programit mësimor të vitit shkollor 2019 – 2020, kurse në Nëntor 2020 filloi mësimdhënia sipas programit mësimor të vitit 2020 – 2021, që u mbyll me sukses më 5 Qershor 2021. Në këtë vit mësimor mësimi u zhvillua online.
Në Shtator 2021, Shkolla Shqipe “Gjuha Jonë”, rihapi dyert për vitin mësimor 2021 – 2022, gjithmonë me masat mbrojtëse kundra pandemisë. E veçanta e këtij viti mësimor ishte se mësimi vazhdoi në dy drejtime, direkt në klasa dhe online, mbasi pati kërkesa nga prindër, familjet e të cilëve banonin në qytete të tjera të Amerikës. Qysh ditën e parë u regjistruan 16 nxënës, për mësimin online nga San Diego i Kalifornisë, Boston, Nju Xhersi, Ҫikago, Teksas, Virxhinia, Nju Jorku, Dellaueri dhe Pensilvania, numër ky që në javët në vazhdim u rrit.
Kështu edhe veprimtaritë e tjera të shoqatës. Gjatë vitit 2020, me të gjitha masat mbrojtëse, shoqata zhvilloi pesë veprimtari, ku veçohet: festimi i Pavarësisë së Kosovës dhe ngritja e flamurit Kuq e Zi në qendër të Filadelfias (27 Nëntor 2020), sigurisht me një numër të kufizuar bashkatdhetarësh.
Në vitin 2021 u organizuan tetë veprimtari, ku veçohen: festimi i Pavarësisë së Kosovës, ngritja e flamurit tonë në qendër të Filadelfias, si dhe pjesëmarrja në dy veprimtari të organizuara në Nju Jork, nga të tretët.
Me keqardhje, në këto dy vite, 2020 dhe 2021, për shkaqe të kuptushme, nuk mundëm të organizonim, festimet për 7-8 Marsin, pikniku me shqiptarët e Filadelfias dhe mbrëmjet festive të Pavarësisë së Shqipërisë.
Me zbatimin e masave kundra pandemisë, ndër anëtarët e shoqatës, me përjashtim të pak rasteve të lehta të infeksioneve, që u kaluan me sukses, nuk pati asnjë humbje jete.
Me kalimin e vitit 2021 dhe hyrjen në vitin 2022, jeta e Shoqatës “Bijtë e Shqipes”, filloi të futet në rrjedhën normale të saj. Numëri i veprimtarive filloi të rritet, kurse Shkolla Shqipe “Gjuha Jonë”, filloi mësimin normal, ashtu si shkruam pak më parë.
Gjatë gjithë vitit u organizuan 18 veprimtari, nga të cilat, dy në Tiranë dhe një në Kukës. Veçohen këtu, festimi i Pavarësisë së Kosovës, 7-8 Marsi, pikniku vjetor me shqiptarët e Filadelfias dhe rrethinave të saj, festimi me madhështi i 20 vjetorit të krijimit të shoqatës, pjesëmarrja në “Mayfair Thanksgiving Parade”, vizita në shoqatën tonë e z. Abdulla Domi, kryetar i Këshillit të Qarkut të Kukësit, që kishte ardhur për të dorëzuar vlerësimin “Nderi i Qarkut të Kukësit”, Shoqatës “Bijtë e Shqipes”, dhënë nga Këshilli i Qarkut Kukës dhe për të festuar së bashku përvjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, ngritja e flamurit tonë në qendër të Filadelfias si dhe mbrëmja festive e pavarësisë.
Kjo ecuri vazhdoi dhe në muajt e parë të vitit 2023. Vetëm në trmujorin e parë të këtij viti janë organizuar gjashtë veprimtari ku veçohet ngritja, për herë të parë, e flamurit të Republikës së Kosovës, në qendër të Filadelfias, me rastin e 15 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Ndërsa Shkolla Shqipe “Gjuha Jonë”, vazhdon jetën normale, ditën e shtunë online në ora 4.00 deri 6.00 PM dhe ditën e dielë, në klasa, në orën 10.00 AM deri 1.00 PM.
Siç shihet, Shoqata “Bijtë e Shqipes”e ka lënë pas ndikimin e pandemisë dhe ka hyrë plotësisht në jetën normale të saj, siç ka qenë para kësaj pandemie.
Vlashi Fili
Filadelfia Mars 2023