Prishtinë, 14 dhjetor 2025 – Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka njoftuar se kontigjenti i ndihmave humanitare të popullit të Kosovës për popullsinë e Gazës ta mbërritur në destinacion të shtunën.
Ajo ka thënë se ka marrë konfirmimin se dërgesa me ndihma humanitare, me vlerë prej 500 mijë eurosh, ka nisur t’u shpërndahet familjeve në nevojë, përmes partnerëve humanitarë në terren.
“Dje pasdite morëm konfirmimin se ndihma humanitare e ndarë nga Qeveria e Republikës së Kosovës, e dedikuar për popullin e Gazës ka mbërritur në Gaza dhe menjëherë ka nisur shpërndarja për familjet në nevojë, përmes partnerëve humanitarë në terren…”, ka shkruar Gërvalla në Facebook.
Kjo ndihmë humanitare është dërguar me një anije nga porti i Mersinit në Turqi. Ministrja Gërvalla ka falënderuar për mbështetjen Republikën e Turqisë dhe Gjysmëhënën e Kuqe Turke.
“Shpreh mirënjohjen time të sinqertë për Republikën e Turqisë dhe Gjysmëhënën e Kuqe Turke për bashkëpunimin dhe mbështetjen që e bënë të mundur këtë operacion humanitar”, ka shkruar ajo.
Pakoja e ndihmës humanitare nga Kosova përfshin tenda, pako ushqimore, batanije dhe 158 mijë racione të ushqimit të ngrohtë.
Postimi i ministres Gërvalla:
Dje pasdite morëm konfirmimin se ndihma humanitare e ndarë nga Qeveria e Republikës së Kosovës, e dedikuar për popullin e Gazës ka mbërritur në Gaza dhe menjëherë ka nisur shpërndarja për familjet në nevojë, përmes partnerëve humanitarë në terren.
Dërgesa jonë, në vlerë prej 500 mijë euro, përfshin tenda, pako ushqimore, batanije dhe 158 mijë racione të ushqimit të ngrohtë.
E dimë që asgjë nuk e zëvendëson humbjen dhe dhimbjen atje. Por shpresojmë që kjo ndihmë modeste t’u japë sadopak mbështetje e lehtësim familjeve, sidomos fëmijëve dhe të moshuarve, në ditë kur edhe gjërat më bazike mungojnë.
Shpreh mirënjohjen time të sinqertë për Republikën e Turqisë dhe Gjysmëhënën e Kuqe Turke për bashkëpunimin dhe mbështetjen që e bënë të mundur këtë operacion humanitar.
(r.m.)