Mbështesim kandidaturën e Z. Agron Shehaj për Kryetar të PD në Shqipëri


Nga Organizata e Gruas “Shpresë & Paqe” SHBA 30 Prill 2021

Si Organizatë e Gruas “Shpresë & Paqe” në SHBA, ndjekim me kujdes ngjarjet në vend dhe jemi tej mase të indinjuara që në zgjedhjet e 25 prillit 2021, Partia Demokratike humbi përsëri fitoren e saj.

Së shpejti priten që në PDSH të mbahen zgjedhjet për kryetarin e ri. Duke qenë se pjesa dërmuese e anëtareve tona janë ish të persekutuara politike nga rregjimi komunist në Shqipëri, ish aktiviste dhe ish anëtare të PDSH, e shikojmë të arsyeshme që në zgjedhjet e reja të PDSH për Kryetar të saj të zgjidhet Z. Agron Shehaj si kandidati më i votuar i PD për Parlamentin e ri 2021.

Vlerat e virtytet pozitive të Z. Shehaj tashmë njihen nga publiku i gjerë shqiptar, si ish i persekutuar politik, biznesmen që ka hapur fronte pune në Shqipëri, ish emigrant qysh në moshë tepër të re, i cili njohu nga afër mundin, sakrificat e emigrantit për mbijetesë apo jetë më të mirë për veten, familjen dhe shoqërinë. 

Agron Shehaj nuk ishte një i ri i përkëdhelur i regjimit qē shkoi në emigrim për jetë luksi, por një i ri që njëherësh ju përvesh punës në mërgim ku edhe studjoi e sakrifikoi jetën, kohën e tij për veten e familjen. Agron Shehaj është një mbështetës i palëkundur i kauzës së drejtë të ish të persekutuarve politikë të Shqipërisë dhe kemi bindjen se do të jetë një Lider i aftë, që do të përçojë më tej me sukses programin e fitoren e demokracisë në vend.  

Disa nga emrat që e kanë mbështetur kandidaturën e tij për Kryetar të PDSH janë:

Flora Selfo ish e internuar politike
Suzana Matja ish e internuar politike
Dolora Bushati lindur e rritur në internim, përfunduar studimet universitare në SHBA, Pedagoge dhe Doktoreshë Shkencash në SHBA
Janulla Lepuri Rrapi ish e internuar politike
Leonora Lepuri ish e persekutuar politike
Viktoria Rrapi ish e persekutuar politike
Vasha Salillari ish e persekutuar politike
Marie Rexha ish e persekutuar politike
Rozana Gjergji, ish e persekutuar politike, avokate – Shqipëri
Marlin Tushe ish e persekutuar politike, ish anëtare e Forumit Rinor të PDSH
Mimoza Dajçi ish e persekutuar politike, gazetare, regjisore, ish anëtare e Këshillit Kombëtar të PD-së
Presim të na bashkohen edhe emra të tjerë….