Mbi 1.000 të vdekur nga tërmeti në Marok

Marakesh, 9 shtator 2023 – Më shumë se 1.000 njerëz kanë vdekur dhe qindra të tjerë janë lënduar si pasojë e një tërmeti të fuqishëm që e goditi Marokun të premten vonë, raportoi të shtunën televizioni shtetëror duke e cituar Ministrinë e Brendshme të Marokut.

Shumica e të vdekurve besohet se janë nga zonat malore vështirë të arritshme.

Tërmeti 6.8 ballësh goditi 72 kilometra në jugperëndim të vendin turistik, Marakesh, më 8 shtator në orën 23:11, njoftoi Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara. Lëkundje të fuqishme u ndien edhe në qytetet bregdetare Rabat, Kasablanka dhe Esaourija.

Numri i viktimave mund të rritet derisa operacionet e kërkimit po vazhdojnë dhe ekipet e shpëtimit po arrijnë në zonat e thella të vendit.

Televizioni maroken shfaqi pamje nga pasojat e tërmetit, nga i cili shumë njerëz u detyruan të flenë jashtë, duke u frikësuar nga lëkundje të tjera pas tërmetit shkatërrues.

Familje në ankth qëndruan nëpër rrugë dhe trotuare, disa prej të cilave me fëmijë, batanije apo gjëra të tjera në dorë.

“Ne e ndiem një dridhje të fortë, dhe e kuptuam se ishte tërmet”, tha për agjencinë e lajmeve AFP Abdelhak El Amrani, një 33-vjeçar nga Marakeshi.

“Mund t’i shihja ndërtesat duke lëvizur. Pastaj dola jashtë dhe pashë shumë njerëz. Ata ishin të tronditur dhe në panik. Fëmijët qanin dhe prindërit të shqetësuar”, shtoi ai.

Xhamia e shekullit të XII-të, Koutoubia, në Marakesh, njëra nga më të famshmet u dëmtua nga tërmeti, por nuk është e qartë se deri në çfarë shkalle, raportuan mediat marokene. Minarja e saj 69 metra e lartë njihet si “çatia e Marakeshit”.

Marokenët postuan në rrjetet sociale video që shfaqën dëmtimin e disa pjesëve të mureve të kuqe të famshme, të cilat e rrethojnë qytetin e vjetër Marakesh, një zonë e trashëgimisë botërore të UESCO-s.

Kryetari i një qyteti afër vatrës së tërmetit tha për televizionin maroken 2M se disa shtëpi në qytetet përreth janë shembur pjesërisht apo plotësisht, ndërsa rryma është ndërprerë dhe rrugët janë mbyllur në disa vende.

Mediat marokene raportuan se ky ishte tërmeti më i fuqishëm që e ka goditur vendin e Afrikës Veriore deri më sot.

Më 2004, së paku 628 persona u vranë dhe 926 të tjerë u lënduan si pasojë e një tërmeti në verilindje të Marokut, ndërsa më 1960, një tërmet 6.7 ballës në Agadir, i vrau më shumë se 12.000 njerëz.

(REL)