Gazë, 29 shkurt 2024 – Ministria e Shëndetësisë në Gazë, që kontrollohet nga Hamasi tha se si pasojë e sulmeve izraelite sot u vranë mbi 100 persona dhe u plagosën mbi 270 të tjerë. Sulmi ndodhi në qytetin e Gazës, ku palestinezët ishin mbledhur për të marrë ndihma humanitare.
Zyrtarë të Izraelit e pranojnë se ushtarët hapën zjarr ndaj banorëve të grumbulluar për të marrë ushqime, por thonë se vepruan në vetëmbrotje pasi turma e mbledhur iu afrua trupave, duke i vënë në rrezik. Zyrtarët po ashtu shtojnë se dhjetra persona u vranë dhe u plagosën pasi duke u shtyrë me njeri tjetrin, u rrëzuan dhe shtypën nga kamionët.
Ndërkohë dëshmitarët pohojnë se trupat izraelite hapën zjarr ndaj një turme të madhe që kishte shkuar pranë një autokolone ndihmash për të marrë ushqime.
Ministria e Shëndetësisë tha më herët se numri i palestinezëve të vrarë si pasojë e sulmeve izraelite ka arritur në mbi 30 mijë dhe mbi 70 mijë janë plagosur.
Shefi i OKB-së për të drejtat e njeriut Volket Turk tha në Gjenevë se të gjitha palët në konfliktin Izrael-Hamas kanë kryer krime lufte.
“Është koha për paqe, hetim dhe llogaridhënie”, tha ai.
Zoti Turk shprehu shqetësim edhe mbi planet izraelite për ofensivë në Rafah, një zonë në jug të Gazës, ku besohet se jetojnë rreth 1.5 milionë palestinezë, që janë zhvendosur nga zonat e tjera të konfliktit.
Zyrtarë izraelitë kanë përmendur planet për evakuim të civilëve në Rafah, por nuk kanë dhënë detaje se ku do të mund të zhvendosen palestinezët. Egjipti, në kufi me Rafahun, ka deklaruar se nuk do t’i hapë kufijtë.
Izraeli nisi operacionin për eleminimin e Hamasit, pas sulmit të 7 tetorit nga grupi militant, që sipas autoriteteve izraelite shkaktoi vdekjen e 1200 personave.
SHBA, Britania dhe BE e kanë shpallur Hamasin organizatë terroriste.
Kombet e Bashkuara thanë të mërkurën se ata që po përpiqen të shpërndajnë apo të marrin ndihmë humanitare në Rripin e Gazës po përballen me sfida që vënë në rrezik jetën e tyre.
(Zëri i Amerikës)