Mbi 100 ushtarë të Gardës Kombëtare të Idahos nisen për në Kosovë

Boise (Idaho, US), 26 gusht 2024 – Mbi 100 ushtarë amerikanë nga Batalioni i Parë i Helikopterëve Sulmues të Regjimentit 183 të Gardës Kombëtare të Idahos janë nisur për në Kosovë për ta mbështetur misionin paqeruajtës të NATO-s, KFOR.

Komandanti i Gardës Kombëtare të Idahos, gjeneral-majori Tim Donnellan, u ka uruar sukses ushtarakëve në këtë mision.

“Kam besim të plotë që ju do ta kryeni këtë mision me sukses dhe do të ktheheni të sigurt në shtëpi. Ju jeni ndër ushtarët më të mirë dhe përkushtimi juaj ndaj detyrës dhe ndaj njëri-tjetrit do t’ju ndihmojë. Ne do të vazhdojmë t’ju mbështesim nga këtu dhe mezi presim t’ju mirëpresim në shtëpi, me krenari dhe me nder”, “, u ka thënë ai ushtarëve.

“Kam besim në gatishmërinë tuaj. Ju keni kryer një trajnim intensiv dhe jeni pajisur me mjetet dhe njohuritë më të mira në dispozicion. Përkushtimi juaj ndaj këtij misioni është i qartë dhe e di që ju do ta kryeni me profesionalizmin dhe ekspertizën që e definon Batalionin e Parë të  Helikopterëve Sulmues të Regjimentit 183 të Gardës Kombëtare të Idahos”, u ka thënë ushtarëve gjenerali Donallan.

Garda Kombëtare e Idahos njoftoi se mbi 100 ushtarë janë stërvitur rreth 30 ditë në Teksas, para se të niseshin për në Kosovë, në misionin 11-mujor në mbështetje të KFOR-it.

“Ushtarët e Task Forcës Sawtooth kanë punuar me zell gjatë 18 muajve të fundit për këtë dislokim”, ka thënë komandanti i Brigadës 183, nënkoloneli Bryan C. Reid.

“Udhëheqja është krenare për çfarë kemi arritur. Ne jemi të fokusuar në misionin që kemi përpara dhe jemi gati të shkojmë”, ka thënë ai.

Prej vitit 2003, kjo është hera e parë që kjo njësia vendoset në Ballkanin Perëndimor. Batalioni i parë i Helikopterëve Sulmues të regjimentit 183 të Gardës Kombëtare të Idahos ishte vendosur në Bosnje në  vitin 2002, në një mision humanitar.

(r.m.)