Beograd, 30 qershor 2025 – Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë njoftoi se policia e shtetit ka ndërmarrë një operacion për heqjen e bllokadave të vendosura nga protestuesit në rrugët e Beogradit dhe të qyteteve tjera në Serbi, raporton Radio Evropa e Lirë.
Ajo njoftoi se në Beograd janë arrestuar disa persona që e kanë kundërshtuar heqjen e barrikadave të vendosura të dielën në mbëmje në dhjetëra lokacione si formë të “mosbindjes civile” të paralajmëruar nga lëvizja studentore. Por, numrin e saktë të të arrestuarve nuk e ka publikuar.
Në protestën me moton “Takohemi për Vidovdan” që u mbajt të dielën në Beograd vlerësohet se kanë marrë pjesë më se 140.000 protestues. Rreth 100 prej tyre janë arrestuar gjatë përplasjes me policinë, e cila ka ushtruar dhunë ndaj protestuesve.
Studentët që po i bllokojnë fakultetet në Beograd kanë publikuar në rrjetet sociale videoregjistrime të arrestimeve. Ata thonë se protestuesit “u rrahën dhe u privuan nga liria”.
Në disa pamje të publikuara shihet përdorimi i forcës nga policia në bllokadat e vendosura në afërsi të Fakultetit Juridik, në qendër të Beogradit, por edhe në lokacione të tjera të kryeqytetit të Serbisw.
Por, Ministria e Brendshme tha se policia veproi “në mënyrë shumë profesionale”, siç kishte thwnw tw dielwn presidenti i Serbisw, Aleksandar Vuçiq.
Ministria tha se policia i ka arrestuar protestuesit për shkak të sulmeve dhe fyerjeve ndaj policëve dhe për prishje të rendit publik.
Vendosja e barrikadave në Beograd dhe në dhjetëra lokacione anembanë Serbisë nisi të dielwn pasdite.
Protestat a\ntiqeveritare po organizohen nga qytetarët, me ftesë tw studentëve publike që prej shtatë muajsh e kanw bllokuar veprimtarinw normale në dhjetëra fakultete.
Protestuesit kanë paraqitur tri kërkesa për Qeverinë serbe. Ata po kërkojnë shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme, lirimin e të gjithë të arrestuarve pas protestës së 28 qershorit, si dhe po kërkojnë heqjen e kampit të ngritur në qendër të Beogradit, ku për disa muaj po qëndrojnë kundërshtarët e studentëve protestues.
Studentët protestues kanë bërë thirrje për protesta të reja në kuadër të “mosbindjes civile”, por po ashtu u kanë bërë thirrje qytetarëve që të largohen nga barrikadat “me qetësi dhe pa panik” në rast se policia shkon me pajisje për të shpërndarë protestën. Më pas, sipas tyre, protestuesit mund të rigrupohen.
Në një ueb-faqe të krijuar më herët nga studentët u publikuan rreth 50 lokacione ku ishin vendosur bllokadat një natë më parë – përfshirë në rrugët dhe urat në Beograd.
Në listë ishin përfshirë edhe 20 qytete të tjera në mbarë Serbinë ku u ngritën barrikada – nga Subotica, në Novi Sadi, Zranjanini, Çaçaku, Uzhice, Kragujevci dhe Nishi.
Protestuesit vendosën kosha të mbeturinave, goma, barrikada metalike në rrugë apo parkuan veturat e tyre.
Në tetë muajt e fundit, mijëra serbë, shpesh të udhëhequr nga grupe studentore, të cilëve gjithnjë e më shumë po u bashkohen qytetarë të tjerë, kanë protestuar kundër presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, dhe Qeverisë së tij.
Protestat u nxitën pasi 16 persona vdiqën kur u shemb një strehë betoni në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad më 1 nëntor 2024.
Protestuesit thanë se tragjedia u shkaktua nga korrupsioni dhe paaftësia e autoriteteve dhe protestat shpejt u shpërndan shpejt, duke reflektuar një zemërim më të gjerë ndaj Vuçiqit, mandati pesëvjeçar i të cilit pritet të përfundojë më 2027.
Vuçiq është president i Serbisë që nga viti 2017 dhe paraprakisht për tre vjet kishte qenë kryeministër.
Zgjedhjet parlamentare në Serbi pritet të mbahen në fund të vitit të ardhshëm.
Vuçiq dhe Qeveria e tij kanë mohuar akuzat për korrupsion dhe kanë deklaruar se janë duke hetuar tragjedinë në Novi Sad, ku dhjetëra zyrtarë janë arrestuar në kuadër të hetimeve për këtë ngjarje.
Gjatë fundjavës, grupe më të vogla të mbështetësve të Qeverisë po ashtu kanë protestuar në Beograd.
Vuçiq, i cili po përpiqet të balancojë lidhjet me aleaten tradicionale Rusinë dhe Perëndimin – duke synuar që shteti i tij të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian – ka akuzuar “fuqitë e huaja” – duke mos treguar se për kë e ka fjalën – si nxitëse të protestave të fundit.
“Shteti do të mbrohet dhe banditët do të përballen me drejtësinë”, u tha ai gazetarëve pas natës së parë të protestave.
(r.m.)