Tiranë, 11 qershor 2025 – Mbi 200 autocisterna të kompanive nga Kosova që transportojnë naftë dhe benzinë po protestojnë në portin e Durrësit, si reagim ndaj pritjeve të gjata dhe trajtimit që ata e cilësojnë si “maltretim” në pikat kufitare, raporton Telegrafi.
Shoferët e bizneseve të transportit të derivateve të naftës, shprehën shqetësimin e tyre për kontrollet e shumta dhe të përsëritura, të cilat i konsiderojnë të panevojshme dhe të paarsyeshme.
“Edhepse gjatë rrugës na shoqëron njësia antikontrabandë, përsëri, në kufi i nënshtrohemi kontrolleve të shumta, futemi në skaner, në peshore, bëhen analiza dhe, madje, për peshoren na faturohen 11 euro pa ndonjë arsye të qartë”, tha Liman Daka, njëri nga përfaqësuesit e kompanive transportuese për Telegrafin.
Shoferë protestues thanë se nuk do të lëvizin nga vendi i protestës derisa të merren masa konkrete për lehtësimin e procedurave.
Ata paralajmëruan se mbi 120 cisterna me ngarkesë karburante, në temperaturat e larta të ditëve të fundit, përbëjnë rrezik të shtuar për ndonjë incident zjarri.
Protesta në portin e Durrësit po vazhdon dhe përfaqësuesit e kompanive kërkojnë që autoritetet kompetente të ndërhyjnë me urgjencë për të zgjidhur situatën.
(r.m.)