Mbi 70 të vdekur nga zjarri në një ndërtesë në Johanesburg

Johanesburg, 31 gusht 2023 – Më se 73 persona e kanë humbur jetën nga zjarri që e ka kapluar një ndërtesë shumëkatëshe në Johanesburg, qytetin më të madh të Afrikës Jugore, njoftuan autoritetet.

Shërbimi Emergjent i Johanesburgut tha se më shumë se 50 persona të tjerë janë lënduar nga zjarri, i cili ka shpërthyer më 31 gusht, në orët e hershme të mëngjesit.

“Aktualisht i kemi 73 të vdekur. Kurse janë edhe 52 të lënduar, të cilët janë dërguar në qendra të ndryshme spitalore”, tha Robert Mulaudzi, zëdhënës i Shërbimit Emergjent.

Mulaudzi bëri të ditur se zjarri tashmë është shuar dhe se operacioni i kërkimit është duke u zhvilluar në ndërtesën e nxirë në qendër të Johanesburgut.

Në mesin e viktimave është edhe një fëmijë, theksoi ai.

“Po shkojmë nga kati në kat për t’i tërhequr trupat. Kjo është një ditë e trishtueshme për qytetin e Johanesburgut. Unë kurrë nuk kam parë diçka të tillë gjatë 20 vjetëve sa jam në shërbim”, theksoi Mulaudzi.

Ende nuk është e qartë se çfarë e ka shkaktuar zjarrin, ndërkohë që njerëzit nga ndërtesa janë evakuuar plotësisht tashmë.

Mulaudzi theksoi se ndërtesa ishte “një vendbanim joformal” ku njerëzit e pastrehë ishin vendosur në kërkim të akomodimit pa ndonjë marrëveshje kontrate formale. Sipas tij, kjo e ka bërë të vështirë kërkimin e njerëzve në këtë objekt.

Në ndërtesë mund të kenë qenë duke jetuar rreth 200 njerëz, sipas dëshmitarëve.

Uzurpimi i jashtëligjshëm i ndërtesave të papërdorura në qendër të qytetit është i madh dhe thuhet se shumë prej tyre janë nën kontrollin e sindikatave kriminale, të cilët marrin qira nga banuesit.

Në qershor, zjarri në një ndërtesë të vjetruar në Johanesburg la të vdekur dy fëmijë nën moshën 10-vjeçare, të cilët kishin mbetur të ngujuar në një banesë.

(REL)