Gazë, 3 korrik 2025 – Sulmet ajrore dhe të shtënat vranë 94 palestinezë në Gaza gjatë natës, përfshirë 45 që po përpiqeshin të merrnin ndihma humanitare shumë të nevojshme, thanë spitalet dhe Ministria e Shëndetësisë të enjten.
Ushtria izraelite nuk komentoi menjëherë për këto sulme.
Pesë persona u vranë pranë vendndodhjeve të lidhura me Fondacionin Humanitar të Gazës – (GHF) ndërsa 40 të tjerë u vranë duke pritur ndihma në lokacione të tjera.
Të enjten, organizata për të drejtat e njeriut Amnesty International publikoi një raport ku akuzon Izraelin dhe GHF-në se po përdorin urinë si mjet për të vazhduar gjenocidin ndaj palestinezëve në Rripin e Gazës.
Dhjetëra persona u vranë nga sulmet ajrore që goditën Gazën të mërkurën në mbrëmje dhe të enjten në mëngjes, përfshirë 15 persona që u vranë nga sulmet mbi tendat në zonën e gjerë të Muwasit, ku janë strehuar shumë palestinezë të zhvendosur.
Një sulm tjetër ndaj një shkolle në qytetin e Gazës, ku po strehoheshin të zhvendosur, vrau po ashtu 15 persona.
Ministria e Shëndetësisë në Gaza tha se numri i palestinezëve të vrarë që nga fillimi i luftës më 7 tetor 2023 ka kaluar 57,000.
Kjo shifër përfshin edhe 223 persona që ishin zhdukur por tani janë shpallur të vdekur. Ministria nuk bën dallim midis civilëve dhe luftëtarëve, por thotë se më shumë se gjysma e të vrarëve janë gra dhe fëmijë.
Viktimat vijnë në një kohë kur Izraeli dhe Hamasi po afrohen drejt një armëpushimi të mundshëm që do të përfundonte luftën 21-mujore.
Presidenti amerikan, Donald Trump tha të martën se Izraeli kishte rënë dakord për kushtet e një armëpushimi 60-ditor në Gaza dhe i bëri thirrje Hamasit ta pranonte marrëveshjen para se situata të përkeqësohej.
Por përgjigjja e Hamasit, që theksoi kërkesën për përfundimin e luftës, ngriti pikëpyetje nëse kjo ofertë do të mund të konkretizohej në një ndalim real të luftimeve.
Ushtria izraelite fajëson Hamasin, organizatw e shpallur terroriste nga SHBA dhe BE, për viktimat civile, duke thënë se grupi operon nga zona të banuara, raporton AP.
Ajo tha se kishte sulmuar militantë të Hamasit dhe lëshues raketash në veri të Gazës, të cilët kishin lëshuar raketa drejt Izraelit të mërkurën.
Organizata për të drejtat e njeriut Amnesty International me seli në Mbretërinë e Bashkuar dënoi si Izraelin, ashtu edhe Fondacionin Humanitar të Gazës, të cilin SHBA dhe Izraeli e kanë caktuar për të marrë përsipër shpërndarjen e ndihmave në Gaza, duke ia marrë këtë rol rrjetit të udhëhequr nga Kombet e Bashkuara.
Raporti i Amnesty thotë se Izraeli e ka “kthyer kërkimin për ndihmë në një kurth për palestinezët e dëshpëruar dhe të uritur” përmes pikave të shpërndarjes të militarizuara.
Kushtet kanë krijuar “një përzierje vdekjeprurëse urie dhe sëmundjesh që e kanë çuar popullsinë përtej pikës së durimit,” thuhet në raport.
Ministri i Jashtëm i Izraelit e dënoi raportin e Amnesty International, duke thënë se organizata “është bashkuar me Hamasin dhe ka përvetësuar plotësisht të gjitha gënjeshtrat propagandistike të tij.”