Mbi vjershën «Thomsoni dhe kuçedra» të Fan Nolit

Sevdai Kastrati

Viti 1914 qe viti i mbrapshtë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Atë vit, në fillim të qershorit, në Shijak rebelët turkomanë të nxitur nga xhonturqit në njërën anë, nga myftiu i Tiranës Musa Qazimi në anën tjetër dhe të përkrahur nga dervish Haxhi Qamili, nga shehu i Shijakut Hamdi Rubejka si dhe nga refugjatët myslimanë nga Bosnja (edhe boshnjakët ishin të shqetësuar për mbretin e krishterë të caktuar nga Perëndimi) shpallin programin e lëvizjes së tyre për krijimin e një Turqie të dytë. Ata kërkojnë heqjen e pavarësisë së Shqipërisë dhe rikthim në sundimin turk; zëvendësimin e Princ Vidit me një princ mysliman; shpalljen e gjuhës turke¹ si gjuhë zyrtare, kurse shqipja të shkruhet me shkronja arabe dhe në fund fanatikët myslimanë kërkojnë që flamuri shqiptar të zëvendësohet nga gjysmëhëna turke.

Përballë fanatikëve me dinin në gojë, me helmin në bark qëndronin forcat qeveritare në krye me kolonelin Lodewijk Thomson (i dërguar nga Fuqitë e Mëdha për krijimin e xhandarmërisë shqiptare) dhe vullnetarët që kishin ardhur në ndihmë trupave qeveritare. Në agim të 15 qershorit rebelët u hodhën në sulm kundër Durrësit. Atë ditë, koloneli Thomson gjatë një inspektimi të artilerisë, jo më pak se treqind metra nga vija e armikut u qëllua nga një snajper për vdekje. Të nesërmen, më 16 qershor 1914, në ceremoninë e varrimit të kolonelit, Faik Konica në fjalën e përzieshme² në frëngjishte, ai ngriti lart figurën e tij, si mbrojtës të pavarësisë së Shqipërisë, për sakificën e lartë për mëkëmbjen e shtetit shqiptar. Konica e përfundon nderimin me këto fjalë: “Shqipëria, që ishte mësuar ta donte mbrojtësin e saj të madh të rendit publik, tani e qan si një martir të lirisë së saj. Thomsoni vdiq në fushën e lavdisë”.

Pas dy javësh nga vdekja e Thomsonit, Fan S. Noli e shkroi vjershën “Thomsoni dhe kuçedra” gjatë qëndrimit në Triesht më 1 korrik 1914 dhe e dërgon në Boston që të botohet në gazetën “Dielli”. Në rubrikën “Vini re” të gazetës “Dielli” të datës 24 korrik na bëhet me dije se numrin e ardhshëm të gazetës do të botohet vjersha “Tomsoni dhe Kulçedra” edhe pse është në kundërshtim me programin e gazetës. Sikurse dihet, gazeta “Dielli” në vitin e parë të daljes nuk boton asnjë vjershë, kurse në vitin e dytë lejon të botohen vjersha që kanë të bëjnë me ngjarje të ditës që francezët i quanin les pieces de circonstance.  

Vjersha “Thomsoni dhe kuçedra” botohet në gazetën “Dielli” më 28 korrik 1914³. Në këtë botim të parë vjersha ka 54 vargje, pra nëntë strofa gjashtëvargëshe (vargjet janë gjashtërrokëshe të dyzuara).

            Mitrush Kuteli është i pari që ka përmbledhur vjershat e Nolit në vëllimin “Mall e brengë” i botuar në Tiranë më 1943. Edhe pse sipas një dëshmie që kemi nga Noli, me rastin e botimit të vjershës Marshi i Barabbájt në gazetën Liria Kombëtare më 28 nëntor 1928, kishte në plan të botonte vëllimin poetik Tragjedia e Kryqit, siç thotë ai ‘një vepër poetike që trajtón pësimet e Krishtit’ e për fat të keq kjo përmbledhje nuk e pa dritën e botimit.

Përsëri mund të themi se është meritë e Kutelit4 që ka ndikuar në mënyrë të tërthortë për ta nxitur Fan Nolin që t’i botonte vjershat e mbetura në dorëshkrim, të cilat i kishte shkruar gjatë qëndrimit në Vjenë, Berlin dhe Hamburg më 1926-1930:  Kënga e Qirenarit, Krishti me kamçikun, Plak, topall dhe ashik, Anës lumenjeve të Babillonës. Këto vjersha do të botohen në gazetën “Dielli” gjatë viteve 1945-46 me pseudonimin Robo Rogozhina dhe Bajram Domosdova. Po në këtë kohë, më 27 shkurt 1946, Noli boton vjershën Sofakliu dhe Ferid Asllani kinse është shkruar në Venedik më 2 janar 1946 me pseudonimin Bajram Domosdova. Dy muaj më vonë Noli shqipëron vjershat Asaj që shkoj nga Charles Baudelaire dhe Jetimi nga Paul Verlaire. Po ashtu Noli riboton vjershat Hymni i flamurit, Rent, or marathonomak (e përpunon nga ana gjuhësore dhe i shton një strofë), Shën Pjetri në mangall dhe Mosiu në mal.

Disa studiues janë të mendimit se Fan Noli nuk ishte i njohur në Shqipëri si poet para botimit të Kutelit. Ata kanë parasysh botimet historiografike të viteve ’20, ’30 e ’40.

Në veprën e Àt Justin Rrotës “Letratyra shqype”, Shkodër 1925, Noli përmendet si përkthyes, vlerësohet vepra “Historia e Skënderbeut” dhe njihet si gojëtar nga studiuesi françeskan.

Në veprën e Gaetano Petrottës “Popolo, lingua e letteratura Albanese”, Palermo 1930, Noli njihet si dramaturg, përkthyes dhe si historian i Skënderbeut.

veprën “Shkrimtarët shqiptarë” vëllimi i II-të, Tiranë 1941, Noli në këtë kristomaci nuk përfaqësohet me asnjë poezi.  

            Në fakt, i pari që e ka njohur Nolin si poet në Shqipëri është Vangjel Koça, i cili në një fjalim³ që mbajti në Gjirokastër më 6 nëntor 1923, të organizuar nga shoqëria “Drita” për nder të Imzot Nolit thotë:

            «Po më pëlqen veçanërisht t’a përshëndosh si Poet nga më të mëdhenjtë që numron sot Shqipëria e Re»5.  

            Më pas ai shpreh habi në shkrimet mbi letërsinë: pse Fan Noli nuk përfshihet krahas vjershtorëve të tjerë shqiptarë?

            Është e qartë për V.  Koçën se poet mund të jesh edhe me një vjershë të vetme. A nuk ka thënë edhe ky burrë që jemi mbledhur sot ta kujtojmë se Félix Arversi u bë i famshëm me tingëllimën Dashuria e fshehët.

V. Koça përmend përkthimet e Nolit si Othellon, Skënderbeun, Korbin dhe Annabel Lee. Po kështu përmendet edhe dy vjershat e Nolit “Thomsoni dhe kuçedra” dhe “Jepni për nënën”. Ai shprehi habi: pse Fan Noli nuk merret me vjersha origjinale?  Supozojmë se edhe kjo mund të jetë një nxitje për Fan Nolin që do të shkruajë vjershat më 1926-1930.

Ribotimin e vjershës “Thomsoni dhe kuçedra” e bën Mitrush Kuteli (1943), por siç shihet e bën me disa ndryshime e përmirësime. Ai fillon që nga titulli, se në botim të parë kemi “Tomsoni dhe kulçedra” dhe duke e hequr strofën e gjashtë:

Dhe prapë petriti

Së treti e priti

Me armë, me topa, me kordh’ e me shpata,

Tomsoni kaluar me nam në rigata.

            Prej qielli dërguar, me pallë në shesh,

Luftón trim’ i huaj për né kundrë nesh

Vargu i gjashtë i strofës së katërt te botimi i parë del:

Me grusht prej rrufeje, që grin e që tret,

 kurse te Kuteli dhe në Album është:

Me grusht prej rrufeje, që ngrin e që tret.

Vargu i tretë i strofës së nëntë te Kuteli del: Po ikni, po hij’ e Kalorësit s’ikën! i njëjti del edhe tek Fan S. Noli Vepra 1 (2003), kurse tek Albumi: Ju ikni, po hij’ e Kalorësit s’ikën!

Mitrush Kuteli i shkruan me shkronjë të madhe: Ura, Gjol, Fron, Shqiponjë, Nënë dhe Flamur.

Në fakt, Kuteli ka bërë ndërhyrje edhe në vjershat e tjera si p.sh. Hymni i flamurit, nga gjashtë strofa (28 vargje) sa kishte në variantin e parë të botuar në gazetën “Liria kombëtare” më 28 nëntor 1926 boton vetëm tri strofa (10 vargje) me ndryshime të mëdha. Vjershën tjetër Moisiu në mal e boton nga 10 strofa që kishte në variantin e parë në gazetën “Liria kombëtare” të datës 27 janar 1930 në pesë strofa. Dhe kështu me radhë.

Një nga tiparet që bie në sy në vjershën “Thomsoni dhe kuçedra” dhe në gjithë krijmatarinë e Nolit është zanorja “ë”. Ai për t’u shmangur nga ky breshëri pikash dhe për të mos dalur nga vendimet e Kongresit të Manastirit, e merr zanoren “є” prej alfabetit të Stambollit, duke i dhënë një formë më arkaike (veçse ndryshon nga epsiloni), por që e përshtatet me shkronjat latine.

 Fan Noli ka vepruar drejt në përdorimin e theksit aigu,6 kur theksi bie në rrokjen e fundit: për dhé, atdhé, ajó, për né, po ashtu ai përdor theksin tek fjalët dyrrokjesore, atje ku rëndon zëri: hyén, pastáj, luftón si dhe ka vënë theksim mbi formën foljore të vetës së tretë njëjës të foljes dua: .

 Sa i përket apostrofit, Noli apostrofon rregullisht ë-në fundore të patheksuar të fjalëve para zanores e: me kordh’ e me shpata, kulçedr’ e Turqisë, hyén’ e urisë, vet’ e vratë.

Një veçori tjetër është pjesëza e mesores ai e shkruan gjithnjë të ndarë me vizë, sidomos kur ndodhet para foljes u-ngjalle, u-ngrite, u-vërvite. Po ashtu, ndan me vizë edhe trajtat e shkurtra kur vijnë pas foljes prit-më.

Një dikuri tjetër në këtë vjershë është edhe shurdhimi i bashkëtingëllorëve bp.

Mendojmë se vjershën “Thomsoni dhe kuçedra” Noli e përpunoi duke u mbështetur në botimin e Kutelit. Dhe për këtë hipotezë kemi një fakt që mbështet mendimi tonë: në fund të vjershës kemi shënim se kur është shkruar vjersha “Korrik 1914” te përmbledhja Mall e brengë, po të njëjtin shënim të ngjajshëm e gjejmë edhe në Albumin e Nolit. Megjithatë nuk gabojmë, në rast se pohojmë se kjo është dhe arsyeja pse vjersha doli me një strofë mangut. S’ka dyshim se Nolit i ka munguar dorëshkrimi i vjershës (dorëshkrimin e vjershës nuk e kemi gjetur deri më sot) në njërën anë dhe nuk mund ta përjashtojmë si mundësi edhe mungesën e kopjes së gazetës “Dielli” ku është botuar vjersha, në anën tjetër. Ashtu sikurse edhe nuk mund të besojomë se për shkak të përpunimit Noli vendosi ta fshinte këtë strofë.

Së fundi, deri më sot nuk është bërë ndonjë krahasim ndërmjet këtyre botimeve të vjershës “Thomsoni dhe kuçedra” nga studiuesit e ndryshëm që janë marrë me krijmtarinë poetike të Nolit.

¹ Më 17 maj 1914 shqiptarët e Amerikës protestuan në Boston kundër vendimit të qeverisë për futjen e turqishtes si gjuhë zyrtare: shih gazetën “Dielli” të numrave 313-314.

²Shih Fjala e z. Faik beg Konica në qivur të Thomsonit, “Zâna”, Durrës, 1 gusht 1914, nr. 3, f. 43-44.

³Këtë të dhënë, se kur është botuar vjersha për herë të parë, e gjejmë edhe në shënimet e vëllimit të parë të veprave të plota të Nolit, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, që e ka përgatitur studiuesi Vehbi Bala.

4Pra, kemi të bëjmë edhe me një letër që Kuteli i ka dërguar Nolit më 1945 kur ndër të tjera i shkruan se “ju keni krijuar këtu një shkollë letrare, ryma e të cilëve ndjehet shumë në shkrimet e të rinjve”: Mitrush Kuteli, Letër Fan Nolit, “Dielli”, 13 shkurt 1946, nr. 5710, f. 2. Po kështu, mund të supozojmë, ka ndikuar si nxitje në botimin e vjershave edhe zgjedhja kryetar nderi i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë në tetor 1945-ës.

5Krh gazetën “Dielli” ku është botuar fjala e Vangjel Koçës më 17 maj 1924, nr. 2715 (258), f. 8; 20 maj, nr. 2716 (259), f. 6.

6Shih Faik Konica – Fan S. Noli: Orthografia shqipe. Ca shënime. “Dielli”, 7 nëntor 1912, nr. 174, f. 1.

Tomsoni dhe kulçedra

Sipas «Diellit»

Te ura, te ura

Vraponi, o burra,

Me armє, me topa, me kordh’ e me shpata,

Se dolli Kulçedra e errєt nga nata,

Se ngriti bajrakun e lyer me gjak

Dhe sulet prej Shjaku nє Durrєs me vrap.

Kulçedr’ e Turqisє

Hyén’ e urisє,

E rrahur nga Greku, nga Sєrbi e Bullgari

Dó gjak tє thєthijє dhe vjen te Shqiptari,

Si gjarpєr zvarniset, i sillet pєr qark.

Me dinin nє gojє, me helmin nє bark.

Kulçedrєn e vrarє

E hasi mє parє

Tomsoni nє Vlorє, kur vinte prej detit

Me katєrqint krahє, lubi’ e Dovletit;

E zuri pєr gryke, e shtriu pєrdhé,

Nga thonjt’ i rrєmbeu tє mjerin atdhé.

Pastáj pєr sє dyti

Nє Durrєs e mbyti

Dhe kokєn i shtypi me top nga kalaja,

Kur hodhi Esadin nga froni, nga maja,

Nga forca nє pluhєr, nga bregu nє det,

Me grusht prej rrufeje, qє grin e qє tret.

Kulçedra e thyer,

Me turp e pєrlyer

Pєrmblidhet e kthehet nga toka nє Durrєs

Dhe ngrihet m’e fortє, nє gjol afєr urєs.

Shqiptar’ i verbuar vєrsulet nє det,

Shkel flamur e nєnє dhe vllezєr po vret.

Dhe prapє petriti

Sє treti e priti

Me armє, me topa, me kordh’ e me shpata,

Tomsoni kaluar me nam nє rigata.

Prej qielli dєrguar, me pallє nє shesh,

Luftón trim’ i huaj pєr né kundrє nesh

Dy herє tє theva,

Tє shtriva, tє ndeva,

Po prapє u-ngjalle dhe prapє u-ngrite!

Prit-mє, the, prit-mє!” Dhe prap’ i u-vєrvite,

Dhe hovin Kulçedrєs ia preve, po re,

Kalorєs i huaj, qє vdiqe për né.

Nga ura, nga ura

Po ikni, o burra?

Ju ikni, po hij’ e Kalorєsit s’ikєn!

Kulçedrєs tєrbuar ajó i fut frikєn,

Se urєn e ruan, se urєn e mpron

Stihia-shqiponjє, me qip e me thonj.

Te ura, te ura

Vajtoni, o burra,

Tomsonin e ngratє që ju vet’ e vratє,

Qє pas nuk i ratє, po vetєm e latє,

Kur shkonte kaluar tє vdesє pєr né,

Pєr ju, tє mallkuar, qє s’doni atdhé.

Triesht, 1 korrik 1914

Thomsoni dhe kuçedra

Sipas «Albumit»

                        Te Ura, te Ura

                        Vraponi, o burra,

Me armë, me topa, me kordh’ e me shpata,

Se dolli kuçedra e errët nga nata,

Se ngriti bajrakun e lyer me gjak

Dhe sulet prej Shjakut në Durrës me vrap.

Kuçedr’ e Turqisë

Hyen’ e urisë’

E rrahur nga Greku, nga Sërbi e Bullgari

Do gjak të thëthinjë dhe vjen te Shqiptari,

Si gjarpër zvarniset, i sillet përqark.

Me dinin në gojë, me helmin në bark.

Kuçedrën e vrarë

E hasi më parë

Thomsoni në Vlorë, kur vinte prej detit

Me katërqint krahë, lubi’ e Dovletit;

E zuri për gryke, e shtriu përdhe,

Nga thonjt’ i rrëmbeu të mjerin Atdhe.

Pastaj për së dyti

Në Durrës e mbyti

Dhe kokën ia shtypi me top nga kalaja,

Kur hodhi Esadin nga Froni, nga maja,

Nga forca në pluhër, nga bregu në det,

Me grusht prej rrufeje, që grin e që tret.

Kuçedra e thyer,

Në trup e përlyer

Përmblidhet e kthehet nga toka në Durrës

Dhe ngrihet m’e fortë, në Gjol, afër Urës.

Shqiptar’ i verbuar vërsulet në det,

Shkel Flamur dhe Nënë dhe vllezër po vret.

“Dy herë të theva,

Të shtriva, të ndeva,

Po prapë u-ngjalle dhe prapë u-ngrite,

Prit-më, the, prit-më!” Dhe prap’ iu-vërvite,

Dhe hovin kuçedrës ia preve, po re,

Kalorës i huaj, që vdiqe për ne!

Nga Ura, nga Ura

Po ikni, o burra?

Ju ikni, po hij’ e Kalorësit s’ikën!

Kuçedrës tërbuar ajo i fut frikën,

Se Urën e ruan, se Urën e mpron

Stihia-Shqiponjë, me qip e me thonj.

Te Ura, te Ura

Vajtoni, o burra,

Thomsonin e ngratë që ju vet’ e vratë,

Që pas nuk i ratë, po vetëm e latë,

Kur shkonte kaluar të vdesë për ne,

Për ju, të mallkuar, që s’doni Atdhe.

Korrik, 1914