Mbretëria e Arabisë Saudite është e gatshme të ndihmojë në zhvillimin ekonomik të Kosovës

Tiranë, 17 tetor 2025 – Kosova e ka kaluar tashmë fazën e rindërtimit nga konflikti i armatosur dhe tani gjendet në fazën e zhvillimit dhe progresit, sidomos të zhvillimit ekonomik. Në Mbretërinë e Arabisë Saudite, njërin ndër vendet më të zhvilluara të Gjirit Persik, me ndikim të gjerë në botën arabe, mbështetësen e fuqishme e procesit të shtetformimit në Kosovë dhe të  anëtarësmit të saj në organizata ndërkombëtare, ka vullnet të fortë për zgjerimin e bashkëpunimit me Kosovën dhe për mbështetjen e zhvillimit ekonomik të Kosovës, përfshirë nxitjen e investimeve në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.

Ky qëndrim u theksua nga Shkëlqësia e Tij, Ambasadori i Mbretërisë së Arabisë Saudite në Republikën e Shqipërisë dhe Ambasador Jorezident në Republikën e Kosovës, z. Faisal Ghazi Hifzi, të enjten në Tiranë, në një takim miqësor me z. Vehbi Bajrami, botues i gazetës shqiptaro-amerikane “Illyria” në New York, njëri ndër promovuesit dhe afirmuesit e mëdhenj të çështjes së Kosovës dhe të kauzave shqiptare në Kongres, në Senat dhe në administratën e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Z. Bajrami tha se Mbretëria e Arabisë Saudite, si aleate e ngushtë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka pasur dhe vazhdon të ketë rol shumë të rëndësishëm në përpjekjet ndërkombëtare për paqe dhe stabilitet global, përfshirë ato për paqe dhe stabilitet në rajon.

“Mbretëria e Arabisë Saudite meriton mirënjohje të thella për bashkëpunimin e ngushtë me Shtetet e Bashkuara në interes të paqes në botë. Kjo u dëshmua fuqishëm edhe gjatë vizitës së fundit të Presidentit Trump në Arabinë Saudite”, tha Bajrami, i cili jeton në SHBA prej më shumë se 35 vjetësh.

Bajrami, pronar dhe udhëheqës i një biznesi të suksesshëm në SHBA, e vlerësoi lart mbështetjen bujare të Mbretërisë së Arabisë Saudite për popullin e Kosovës gjatë luftës së viteve 1998-1999 dhe për rindërtimin e vendit të shkatërruar nga kjo luftë.

Ai theksoi se Kosova tani është në një fazë tjetër, në fazën e zhvillimit ekonomik dhe se Mbretëria e Arabisë Saudite mund të japë mbështetje të madhe në këtë fushë.

“Kosova ka burime dhe potencial të jashtëzakonshëm zhvillimor, por ka nevojë për mbështetje financiare dhe për investime të huaja për të aktivizuar plotësisht këtë potencial. Investitorët sauditë mund të luajnë një rol të rëndësishëm në nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik”, u shpreh ai.

Bajrami vlerësoi se Mbretëria e Arabisë Saudite, si vend me potencial të fuqishëm ekonomik, mund të japë mbështetje të madhe në zhvillimin ekonomik të Kosovës përmes investimeve nga Fondi për Zhvillim dhe nga kompanitë private të këtij vendi.

Ambadori Faisal Ghazi Hifzi tha se Mbretëria e Arabisë Saudite dhe lartmadhëria e tij Mbreti Salman bin Abdulaziz Al Saud mbeten të përkushtuar ndaj paqes, stabilitetit dhe mirëqenies globale. Ai kujtoi mbështetjen që vendi i tij ia ka dhënë popullit të Kosovës gjatë dhe pas luftës së vitit 1999.

Ai theksoi se Mbreti dhe Princi i Kurorës, përmes diplomacisë aktive, kanë lobuar në vendet me ndikim për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe për integrimin e saj në organizatat ndërkombëtare. Ai kujtoi se vendi i tij ka kontribuar financiarisht edhe në përmirësimin e infrastrukturës dhe të shërbimeve publike në Kosovë, përfshirë edhe zgjerimin dhe modernizimin e rrugës Prishtinë–Mitrovicë.

Ambadori Hifzi shprehu interesin e vendit të tij për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe për rritjen e vëllimit të shkëmbimeve tregtare e të investimeve të ndërsjella. Ai tha se qeveria e vendit të tij e ka themeluar një zyrë të veçantë për mbështetjen e investitorëve sauditë në vendet e Ballkanit Perëndimor. Ndër të tjera e përmendi hapjen e linjës ajrore direkte mes dy vendeve.

‘’Linja e re ajrore direkte midis Prishtinës dhe Xhidhes, e cila është hapur në fillim të këtij muaji, do të jetë një urë e rëndësishme e lidhjes dhe bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve dhe dy popujve tanë”, tha ai.

Ambasadori saudit tha se Mbreti, Princi i Kurorës dhe investitorët sauditë kanë informacione për resurset natyrore dhe për potencialin ekonomik në Kosovë. Ai u pajtua se tani është e nevojshme që të dyja palët të hartojnë projekte konkrete me interes për të dyja vendet.

“Tani është koha për të kaluar nga miqësia politike në partneritet ekonomik konkret. Mbretëria e Arabisë Saudite është e gatshme të mbështesë çdo projekt të përbashkët që i shërben zhvillimit të Kosovës dhe interesit të përbashkët ekonomik,” u shpreh ambasadori Hifzi.

Ai tha se personalisht, në rrugë diplomatike dhe konsullore, do të angazhohet për lehtësimin e procedurave dhe për nxitjen e bashkëpunimit, por edhe për shkëmbime në fushë të arsimit, kulturës, sportit, etj.

Në takim mori pjesë edhe z. Beqir Ismaili, ish-ambasador i Republikës së Kosovës në Egjipt, njohës shumë i mirë i letërsisë dhe kulturës arabe, i cili ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në afrimin kulturor midis botës arabe dhe botës shqiptare. Ai shprehu bindjen se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Arabisë Saudite do të zgjerohen edhe më tej në të gjitha fushat e interesit të ndërsjellë. Po ashtu, e vlerësoi me interes për dy vendet dhe dy popujt ndërtimin e urave të bashkëpunimit kulturor dhe shpirtëror.

Në takim mori pjesë edhe Ramadan Muçolli, redaktor i gazetës “Illyria” për Kosovë. Ai i piketoi disa nga resurset kryesore të Kosovës dhe potencialin për investime në Kosovë.

(Illyria)

Në fotografinë lart:

Ambasadori Faisal Ghazi Hifzi (i dyti nga e djathta), Vehbi Bajrami (i pari në të djathtë), Beqir Ismaili (i treti nga e djathta) dhe Ramadan Muçolli (i fundit nga e djathta)