Mbreti Charles III zotohet se do t’i shërbejë kombit siç i shërbeu Mbretëresha Elizabeth II

Londër, 9 shtator 2022 – Mbreti Charles III i Britanisë, trashëgimtari i Mbretëreshës Elizabeth II, e cila vdiq të enjten pasdite, të premten pasdite iu drejtua kombit dhe ia dha lamtumirën nënës së tij, Mbretëreshës Elizabeth II.

“Faleminderit për dashurinë dhe përkushtimin tënd ndaj familjes sonë dhe familjes së njerëzve të cilëve u keni shërbyer me kaq zell gjatë gjithë këtyre viteve”, tha ai.

“Ajo ishte ishte frymëzim dhe shembull për mua dhe për gjithë familjen time. Ne i detyrohemi me gjithë zemër, siç i detyrohet çdo familje nënës së vet, për dashurinë, afërsinë, udhëheqjen, mirëkuptimin dhe shembullin e saj”, tha Mbreti Charles III.

“Mbretëresha Elizabeth e jetoi mirë jetën e saj, e mbajti zotimin jetësor dhe ne e qajmë nga thellësia e zemrës largimin e saj”, shtoi ai.

“Unë sot jua rikujtoj të gjithë juve se zotimi i saj do t’i shërbejë përjetësisht kombit”, theksoi ai.

Mbreti Charles III njoftoi se djali i tij dhe trashëgimtari i fronit, Princi William, dhe gruaja e tij Catherine do të jenë Princi dhe Princesha e Uellsit.

“Ai do të më pasojë mua si Duka i Cornwallit dhe do të marrë përgjegjësinë për Dukatin e Cornwallit, të cilin e kam mbajtur për më shumë se pesë dekada”, tha ai.

Të premten pasdite, Mbreti Charles III u takua privatisht me kryeministren Liz Truss, në Buckingham Palace, në njërën nga detyrat e tij të para kushtetuese, si monark.

Kryeministrja Truss, e cila u emërua në këtë pozitë nga Mbretëresha Elizabeth II, të martën, tha se monarkja ishte një gur themeli i Britanisë moderne që “e siguroi stabilitetin dhe forcën që na nevojitej”.

Duke folur për mbretin e ri, Truss tha se atij i ofron “besnikëri dhe përkushtim, sikurse ato që na ka dhënë nëna e tij për kaq shumë kohë”.

“Me fundin e epokës së dytë elizabetiane, ne hyjmë në këtë epokë të historisë së lavdishme të vendit tonë të madh, ashtu siç do të kishte dëshiruar Lartmadhëria e Saj, duke iriar me fjalët “Zoti e ruajt Mbretin”, është shprehur kryeministrja e re britanike, Liz Truss.

(Sipas BBC)