Hagë, 13 shkurt 2026 – Ditën e pestë të paraqitjes së deklaratave përfundimtare të prokurorisë dhe të mbrojtjes së katër ish-krerëve të UÇK-së vazhdoi me paraqitjen e deklaratës së mbrojtjes së Rexhep Selimit.
Avokatja e Rexhep Selimit, Furtuna Sheremeti, tha se nuk ka prova që Selimi është fajtor për pikat e aktakuzës.
“Nuk ka prova që e mbështesin fajësinë për asnjërën prej pikave të aktakuzës për zotin Selimi. Duhet të shpallet i pafajshëm dhe nuk mund të flitet për masë dënimi”, tha ajo.
Avokatja Sheremeti tha se asnjë nga dëshmitë e dëshmitarëve të prokurorisë për akte dhune e keqtrajtime nuk mund të konsiderohet si provë ligjore
“Nuk është e mjaftueshme të thuhet se ka pasur dhunë, paraburgosje dhe traumat që janë të pranishme në shoqëritë e dala nga lufta. Asnjë nga këto nuk tregon se Selimi ka kryer krime apo se ka urdhëruar kryerjen e tyre, se ka kontribuar në to apo ka pasur njohuri apo kontroll efketiv që ta ngarkojë me përgjegjësi komanduese”, tha Sheremeti.
Ajo theksoi se provat e Prokurorisë përbëhen nga episode e jo në dëme të natyrës së përgjithshme dhe pa autor specifik.
“Po të kishte pasur një strukturë komanduese që do të çonte drejt zotit Selimi kjo do të kishte dalë nga provat. Por, nuk ka ndodhur një gjë të tillë”, tha ajo.
Mbrojtja e Selimit tha se UÇK-ja nuk ka pasur strukturë me zingjirë komandues.
“Nuk kishte strukturë me zinxhir komandues,. Kishte vetëm grumbullim të njësiteve lokale, njësiteve guerile, që vepronin në mënyrë të pavarur dhe horizontale, pa ndonjë kohezion dhe uniformitet. Në këtë pikë kohore, brenda Shtabit të Përgjithshëm nuk kishte strukturë komanduese të vërtetë dhe nuk kishte përcaktim të qartë të përgjegjësive”, tha avokati Chad Mair.
Avokati Eric Tully tha se pretendimet e Prokurorisë për rolin e Selimit si ministër i Rendit Publik, pretendimet për disa shkrime dore që pretendohet të jenë bërë prej Selimit,
Avokati Eric Tully tha se Prokuroria i ka bazuar akuzat kundër Selimit në prova dytësore. Ai tha se Prokuroria nuk e ka bërë asnjëherë të qartë autorësinë e materialeve që ia ka mveshur Selimit. Ai theksoi se nuk do të thotë që disa prej materialeve janë sekuestruar nga Selimi janë të tij.
“Duhet ta keni parasysh që kjo mund të ketë pasoja konkrete për personin. Qasja e paqartë e Prokurorisë lidhur me këto shënime në momentet e fundit të këtij gjykimi u bë edhe më e paqartë me pretendimet e tyre të forta se fjalët këtu janë të zotit Selimi”, tha ai.
Po t’i kishim ditur këto akuza specifike gjatë gjykimit, ne si mbrojtje do të kishim pasur strategji tjetër gjatë kundërpyetjeve tona dhe do të kishim bërë hetime tjera sa u përket pretendimeve të Prokurorisë. Këtu ne jemi cenuar”, tha ai.
Sipas avokatit Tully, Prokuroria nuk është përpjekur fare të provojë nëse Ministria e Rendit Publik, e drejtuar nga Selimi, ishte strukturë që kishte mundësi të ushtronte kontroll operativ mbi një forcë policie në mbarë vendin.
“Mungesa e dokumenteve është njëfarë dëshmie që nuk ekzistonte një strukturë e mirëorganizuar e Rendit Publik… Mendojeni për një çast sa i rëndësishëm do të ishte roli i shefit operativ të policisë së një vendi, edhe në një situatë pas konfliktit. Kjo do të ishte një detyrë herkuliane. Minimalisht do të kishim pritur të shihnim urdhra, udhëzime që buronin prej këtij komandanti operativ drejtuar vartësve të tij. Por, s’kemi parë asnjë të tillë, asnjë shembull të ndonjë urdhri, ndonjë udhëzimi. Në asnjë moment, në asnjë zonë të Kosovës, nuk është lëshuar asnjë dokument, as nga zoti Selimi dhe as në emër të zotit Selimi”, theksoi ai.
Ai theksoi se UÇK-ja dhe policia ushtarake e UÇK-së nuk ka qenë nën përgjegjësinë e zotit Selimi, por në përgjegjësinë e komandantëve të zonave,.
“Pas qershorit, UÇK-ja dhe policia ushtarake e UÇK-së ka qenë nën përgjegjësinë e komandantëve të zonave, nuk ka qenë nën përgjegjësinë e zotit Selimi. Nuk ka ekzistuar një polici e tillë e UÇK-së, ose ministrisë së Rendit Publik, që është mbikëqyrur nga zoti Selimi, siç pretendon ZPS-ja”, tha Tully.
Avokati kryesor i Selimit, Geoffrey Roberts, e mori në fund fjalën për të përmbyllur deklaratat e mbrojtjes. Ai tha se trupi gjykues do të arrijë në përfundimin që klienti i tij është i pafajshëm nëse shikohet tërësia e provave.
“Selimi nuk ka qenë komandant. Nuk ka ushtruar asnjë përgjegjësi eprore në asnjë mënyrë dhe asnjë formë. Këtu përfshihet edhe autoriteti i pretenduar se Selimi ka qenë anëtar i këtyre strukturave pavarësisht se ai që në fillim ka qenë një anëtar i njohur i UÇK-së”, tha Roberts.
Ai tha se pafajësia e Selimit mbështetet po ashtu në faktin që nuk kishte vartës “dhe nuk kishte lidhje me kontroll efektiv”, siç pretendon Prokuroria.
“Provat kundër tij janë kontradiktore nuk kanë besueshmëri dhe janë të pabazuara. Veçmas pretendimet që ai ka marr pjesë në ndonjë krim të pretenduar”, tha Roberts gjatë paraqitjers së deklaratës përmbyllëse.
(r.m.)