Hagë, 13 shkurt 2026 – Mbrojtja e Jakup Krasniqit, i cili Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës me seli në Hagë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit tha se Krasniqi duhet të shpallet i pafajshëm dhe të lirohet nga paraburgimi.
“Parashtrojmë që është vetëm një opsion: të merrni vendim pafajësie për të gjitha akuzat e ngritura ndaj Jakup Krasniqit. Në fund të parashtrimit do t’ju bëjmë thirrje, të nderuar gjykatës, që ta shpallni të pafajshëm Krasniqin dhe ta lejoni këtë zotëri 75-vjeçar që të kthehet në familjen e tij dhe të kalojë me familjen e tij vitet që ia ka caktuar Zoti”, tha Avokatja Venkateswari Alagendra, në fillim të fjalës përfundimtare lidhur me akuzat ndaj Krasniqit.
Avokatja Alagendra tha se akuzat e saj ndaj Krasniqit bazohen vetëm në “spekulime dhe pretendime të pambështetura” në akuzat ndaj Krasniqit.
“Të nderuar gjykatës, ju kërkoj që kur të shqyrtoni provat e paraqitura nga Prokuroria të mos harroni këto fakte. Në të gjitha provat nuk ka qoftë edhe një dëshmitar të vetëm që pretendon se Krasniqi e ka rrahur, e ka keqtrajtuar apo torturuar. Nuk ekziston një viktimë e vetme nga qindra dëshmitarë të Prokurorisë që pretendojnë ose e akuzojnë Krasniqin që i ka rrahur abuzuar ose ka qenë i pranishëm kur ata janë keqtrajtuar. Kjo prokurori mbështetet kryesisht në spekulime dhe pretendime të pambështetura”, tha ajo.
Avokatja Alagendra e akuzoi Prokurorinë se ka përzgjedhur dokumente dhe pjesë të dëshmive të dëshmitarëve sipas interesave të saj dhe i ka injoruar pjesët e dëshmive që nuk i përshtaten ZPS-së.
Ajo tha gjithashtu se ZPS nuk ua ka dhënë peshën e duhur provave shfajësuese dhe ka përzgjedhur vetëm pjesë të dëshmisë së tij dhënë Prokurorisë më 2019. Në këtë kontekst ajo e përmendi një urdhër të lëshuar nga shefi i shtabit të UÇK-së, Bislim Zyrapi më 28 nëntor 1998. Sipas saj, Zyrapi kishte thënë se urdhrin e kishte marrë pasi ishte konsultuar me komandantin e përgjithshëm, Azem Syla.
“Ajo çfarë nuk merr parasysh Prokuroria është dëshmia e Zyrapit që komandanti i përgjithshëm Azem Syla e jo Jakup Krasniqi ishte ai me të cilin ai kishte diskutuar ankesat përpara se të nxirrte urdhrin e 28 nëntorit 1998”, tha Alagendra.
Ajo theksoi se Zyrapi e kishte konfirmuar qartësisht se ai ishte konsultuar vetëm me Sylën dhe jo Krasniqin.
Avokatja Alagendra tha gjithashtu se Prokuroria nuk ka arritur të vërtetojë lidhjen e pretenduar të Krasniqit me krimet e përfshira në aktakuzë .
“Prokuroria ka dështuar të vërtetojë lidhjen mes Krasniqit dhe krimeve të pretenduara dhe në veçanti që komunikatat dhe rregulloret e hartuara nga Jakup Krasniqi kanë ndihmuar, inkurajuar ose kanë pasur ndonjë lidhje me krimet e ngritura në aktakuzë”, tha ajo.
Avokatja Alagendra tha gjithashtu se Prokuroria nuk e ka bërë punën siç duhet, pasi nuk i ka ftuar dëshmitarët kyçЍqë do të ofronin informacione për kontekstin e luftës dhe do të ofronin informacione për hierarikën e UÇK-së.
Ajo tha se trupi gjykues do të përballet me hetime selektive të kryera nga organi i ndjekjes.
Avokatja e Krasniqit tha se ZPS-ja i ka mbyllur sytë para “çdo prove që nuk i është përshtatur” narrativit të saj. Ajo tha se Prokuroria nuk i ka përfillur dëshmitë e dëshmitarëve të mbrojtjes lidhur me emërimin e Krasniqit si zëvendës-komandnat i UÇK-së.
“Dëshmitarët e ZPS kanë konfirmuar se Krasniqi e ka mbajtur këtë post për një periudhë të shkurtër kohore, përafërsisht 3 muaj, dhe ka dhënë dorëheqje më 27 shkurt 1999. Të njëjtit dëshmitarë të Prokurorisë thanë se emërimi i Krasniqit nuk është pranuar asnjëherë, më saktë është kundërshtuar nga komandantët e zonave. Prokuroria në dosje nuk i ka kundërshtuar këto fakte”, shtoi ajo.
Avokatja Venkateswari Alagendra tha se ZPS-ja nuk e ka verifikuar autorësinë, autenticitetin apo besueshmërinë e materialeve që janë sekuestruar në shtëpinë e Krasniqit në nëntor të vitit 2020. Ajo tha se Prokuroria “nuk i merr parasysh provat se Krasniqi po mblidhte materiale në lidhje me UÇK-në pas luftës për të shkruar librin e tij”.
Sipas saj, Krasniqi e dinte që ZPS po hetonte në Kosovë shumë më dhe fakti se nuk i ka shkatërruar këto materiale duhet të shihet se ai është i pafajshëm.
“Nëse Krasniqi do të kishte menduar se materialet hulumtuese dhe dokumentet e tjera në shtëpinë e tij do të ishin pjesë e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale, ku bënte pjesë dhe ai apo që ishin inkriminuese për të, pse do t’i mbante ato. Fakti që i ka mbajtur dhe nuk i ka shkatërruar duhet parë në favor të tij, sepse ai është i bidur që është i pafajshëm”, tha ajo.
Avokatja Alagendra foli edhe për materialet që Prokuroria i ka marrë nga Serbia. Ajo tha se ato materiale janë përdorur pa iu nënshtruar një kontrolli.
“Prokuroria është bazuar shumë mbi dokumentet që ka marrë nga shteti serb pa një kontrollim të tyre. Pa këtë kontroll, trupi gjykues nuk mund të vlerësojë ligjshmërinë apo edhe autenticitetin dhe besueshmërinë. Prandaj vetëm ky gabim duhet të ngre shqetësime për këto dokumente”, tha ajo.
Ajo tha se dokumentet janë marrë nga Veogradi në kohën kur Serbia ishte dënuar nga ndërkombëtarët për “për krime ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe për dhunë në Bosnje dhe Kroaci.
“Kjo e rrit rrezikun që materialet të jenë të politizuara dhe falsifikuara”, tha Alagendra
Trupi gjykues njoftoi se mbrojtja e Krasniqit do të ketë në dispozicion edhe një orë e gjysmë të hënën dhe më pas do të shtrojë pyetje për prokurorinë dhe për mbrojtjen.
(r.m.)