Mbrojtja e Thaçit: Vendimi të bazohet në prova dhe jo në spekulime

Hagë, 10 shtator 2026 – Mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, në rastin për pengim të drejtësisë, e përfaqësuar nga avokatja Sophie Menegon, ka kërkuar nga trupi gjykues që vendimi për të bazohet në prova dhe jo në spekulime. Ajo ka kërkuar që Taçi të lirohet nga të gjitha akuzat.

“Ne kërkojmë që vendimi juaj të bazohet në prova dhe jo në spekulime, dhe të jetë lirim nga të gjitha akuzat”, tha Menegon.

Në seancën e sotme, gjatë fjalës përfundimtare, avokatja Menegon kundërshtoi interpretimin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) të nenit 401 të Kodit Penal të Kosovës. Ajo tha se “pengimi” nënkupton parandalimin ose bërjen të pamundur të kryerjes së një detyre zyrtare.

Menegon tha se ZPS nuk ka përcaktuar qartë se cilat detyra zyrtare janë penguar, cilët persona janë penguar dhe cilat veprime konkrete përbëjnë veprën penale.

Menegon e kritikoi dhe interpretimin e konceptit “veprim i përbashkët”, duke theksuar se bashkëpunimi me persona të tjerë nuk mund të nënkuptojë automatikisht përgjegjësi penale sipas nenit 401.

“Nuk ka asnjë provë që i lidh këto komunikime apo takime me teorinë e vet të komplotit të pretenderuar për të ndikuar te dëshmitarët. Nuk ka asnjë provë që këto hapa të kenë pasur ndonjë gjë me udhëzimet e pretenduara të Thaçit nga qendra e paraburgimit. Pambështetshmëria e transkripteve të ZPS-së që janë prova kryesore ku mbështet ZPS-ja ndaj Thaçit”, tha ajo.

“Parashtrimet e ZPS-së vënë në pikëpyetje parimet themelore”, theksoi Menegon, duke vënë në dyshim edhe autenticitetin e transkripte të bisedave.

Paraqitja e fjalëve tërfundimtare të mbrojtjes së Thaçit dhe të katër të akuzuarve tjerë në rastin për pengim të drejtësisë (Bashkim Smakajt, Fahri Fazliut, Hisni Kilajt e Hajredin Kuçit) do të vazhdojë edhe të premten dhe të hënën.

Thaçi, Smakaj, Kilaj, Fazliu dhe Kuçi akuzohen se, mes prillit dhe nëntorit 2023, kishin ndikuar te dëshmitë e dëshmitarëve të thirrur nga prokurorët për çështjen gjyqësore për krime lufte kundër vetë Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së.

Thaçi përballet me tri akuza për tentim për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe tetë akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës. Smakaj, Kilaj dhe Fazliu përballen, secili, me nga një akuzë për tentim për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe një akuzë për mosbindje ndaj gjykatës. Ndërsa, Kuçi përballet dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

(r.m.)