Mbrojtja: Thaçi s’ka pasur kontroll efektiv mbi UÇK-në, s’kishte mundësi t’i parandalonte krimet nëpër zona

Hagë, 4 prill 2023 – Seanca e dytë ndaj ishkrerëve të UÇk-së në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ka filluar me paraqitjen e deklaratave hyrëse të mbrojtëve tëtëakuzuarve.

Gregory Kehoe, avokat i ish-presidentit Hashim Thaçi, ka mohuar të gjitha pretendimet e Prokurorisë.

Sipas tij, e gjithë ajo që u the dje nga ZPS ishte dhunë, si pasojë e krimeve të kryera nga forcat serbe.

”ZPS kërkon t’iu thotë juve se z. Thaçi ka drejtuar një ndërmarrje të madhe kriminale, për të sunduar Kosovën”, ka thënë Kehoe.

Tutje, ai shtoi se në vitin 1998, UÇK-ja ishte një grup fillestar vullnetaresh që mbronin atë dhe luftonin për ekzistencën e tyre, duke vazhduar deri në shtator 1999 kur Thaçi së bashku me KFOR-in, e përfunduan çmilitarizimin.

Në vazhdim, avokati Kehoe, përmendi edhe kohën kur Thaçi dhe Krasniqi ishin në Rambuje dhe në atë kohë sipas tij, komandantët e zonave operative në Kosovë, e ndërruan komandantin e përgjithshëm, pa i pyetur ata.

Kehoe foli edhe për ofensivat e forcave serbe kundë UÇK-së. Ai citoi njërin nga dëshmitarët e ZPS të ketë thënë se, “ofensiva ua kishte shkatërruar tërë brigadën dhe se ata ishin shpërndarë”.

Sipas tij, kjo kishte ndodhur gjatë vitit 1998 dhe e njëjta ndodhi gjatë spastrimit etnik që ndodhi më 1999, ku sipas tij, UÇK-ja ishte eliminuar thuajse në tërësi dhe se dihet se çfarë i ndodh strukturave komanduese në raste të tilla.

Avokati Kehoe tha se Thaçi nuk e ka kontrolluar UÇK-në, por ajo është kontrolluar nga komandantët e zonave. Ai tha se Thaçi nuk kishte mundur ta nënshkruante as Marrëveshjen e Rambujesë, pa pëlqimin e komandantëve të zonave.

“Hashim Thaçi nuk mund ta nënshkruante marrëveshjen e Rambujesë, pa pëlqimin e komandantëve të zonave dhe komandantët e zonave kishin kaq shumë pushtet sa që ata shkarkuan komandantin e përgjithshëm, Azem Sylën, ndërkohë që Hashim Thaqi ndodhej në Rambuje”, ka thënë Kehoe.

Tutje, ai ka thënë se si gjatë kohës Thaçi, Azem Syla e përfaqësuesit tjerë të UÇK-së ishin në Rambuje, Azem Syla, ishte shkarkuar nga pozita e komandantit të përgjithshëm të UÇK-së dhe në vend të tij ishte emëruar Sylejman Selimi.

“Avokati Kehoe, po ashtu tha se krimet të cilat ka përmendur ZPS-ja ditën e djeshme nuk janë kryer nga udhëheqja e UÇK-së, por nga individët, e sipas tij këtë nuk e kishte mohuar as Thaçi.

Mbrojtësi tjetër i Thaçit, avokat Lluka Mishetiq, ka thënë se Thaçi nuk ka pasur pushtet ligjor e ekzekutiv në cilësinë e kryeministrit të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës.

“Hashim Thaçi nuk pati kurrë një pushtet ligjor e as ekzekutiv në cilësinë e tij si i ashtuquajtur kryeministër i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, sepse siç e shpjegoi z.Kehoe, Qeveria e Përkohshme e Kosovës nuk ekzistoi kurrë siç u parashikua me Rambuje, por u zëvendësua nga UNMIK-u”, ka thënë ai.

Sipas Mishetiq, Thaçi nuk kishte autoritet apo pushtet mbi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), gjatë kohës kur ishte kryeministër, duke shtuar se ky ishte vetëm një titull.

“Z. Thaçi nuk pati kurrë autoritet, pushtet mbi UÇK-në, si i ashtuquajtur kryeministër, e është e vërtetë që Hashim Thaçi ishte kryeministër për të përfaqësuar para ndërkombëtareve. Këto tituj ishin vetëm në letër si të thuash, sepse provat apo mungesa e provave e dëshmojnë mjaftueshëm këtë fakt”, ka thënë ai.

Mishetiq shtoi se Thaçi kishte bërë çmos që ta promovonte veten sikur ishte një person i pushtetshëm, por sipas tij, realiteti ishte që nuk ishte dhe nuk kishte kontroll efektiv asnjëherë.

Po ashtu, ai ka prezantuar disa prova ku sipas tij, shihej se Thaçi nuk ka qenë i kënaqur me krimet që janë kryer.

“Është e besueshme se udhëheqësi i UÇK-së, Hashim Thaçi, së bashku me shumë prej komandantëve të lartë të UÇK-së mund të mos jenë të kënaqur me këto sulme dhe frikësim të vazhduar kundër popullatës j shqiptare të Kosovës”, citoi ai.

Mishetiq tha se udhëheqësit e UÇK-së vazhdimisht iu kanë bërë thirrje serbëve që të qëndrojnë në Kosovë.

“Se ai është brengosur për aktet e dhunës kundër serbëve dhe për largimin e serbëve, duke thëne ‘se kemi angazhuar që ditën e parë për të krijuar një shoqëri ku sundon toleranca dhe jo hakmarrja”, shtoi ai.

(Sipas Detimi për drejtësi)