MCC dhe Kosova lansojnë programin “Kompakt” për energjinë, m vlerë 236 milionë dollarë

Prishtinë, 30 prill 2024 – Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) dhe Qeveria e Kosovës kanë lansuar programin Kompakt, i cili do të mundësojë zgjidhje të energjisë së pastër, për të përmirësuar gjendjen e energjisë në Kosovë.

Ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier, është shprehur se programi e fuqizon Kosovën në sektorin e energjisë, duke shtuar se SHBA synon zgjerimin e investimeve private.

“Është e rëndësisë së madhe sepse këto marrëveshje financojnë programe për të mundësuar mjedise për investime në sektorin privat. Këtu kemi ‘Kompaktin” e MCC-së me 236 milionë, duke përfshirë 202 milionë dollarë nga Qeveria amerikane. Investimet tona substanciale e demonstrojnë konfidencën dhe zhvillimin e Kosovës e rritjen e saj”, ka thënë Hovenier.

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se ky program ndihmon në fuqizimin e vendit dhe se ai ndikon në transformimin e sektorit të energjisë.

“’Kompakt’ përveç një grant, është simbol i mbështetjes pakompromis në marrëdhëniet strategjike mes shteteve tona. SHBA-ja ka mbështetur Kosovën në ditët më të vështira. Kompakti që po e lansojmë nuk është vetëm investim në energji, por është investim në të ardhmen dhe njerëzit e saj”, ka thënë Osmani.

E, kryeministri Albin Kurti ka theksuar se programi është arritje e tranzicionit të energjisë.

“E vendos Kosovën në ballë të zhvillimit të energjisë së ripërtëritshme. Përmes partnerit tonë, Kosova do të ketë së paku 350 MË rezerva, duke e bërë shtetin me ruajtje të energjisë ndër vendet që ruajnë më së shumti energji”, ka thënë Kurti.  

Ndërsa, zv.presidenti i MCC-së, Cameron Alford, e ka vlerësuar të rëndësishëm për sigurinë e energjisë programin “Kompakt”. Ka shtuar se me program u ofrohen mundësi karriere të rinjve që duan të jenë në sektorin e energjisë.

Më 2022, Kosova kishte arritur marrëveshje me MCC-në për programin kompakt. Sipas marrëveshjes, projekti kyç i këtij programi është ai i ruajtjes së energjisë. Përmes tij, Kosova do të ketë rezerva të energjisë përmes baterive të kapacitetit të lartë prej 170 megavatësh. Këto bateri do të mundësojnë sigurimin e rezervave prej rreth 347 megavatësh në orë.

Kosova prodhon shumicën e energjisë përmes djegies së thëngjillit. Sipas Strategjisë për Energjinë, që Kuvendi i Kosovës miratoi në marsin e vitit 2023, Kosova synon që deri në vitin 2031 të arrijë që 35 për qind të nevojave për energji, t’i gjenerojë nga energjia e ripërtërishme.

Strategjia, po ashtu, parasheh që thëngjilli të hiqet tërësisht nga përdorimi deri në vitin 2050.

(r.m.)