McGonigal drejt marrëveshjes me drejtësinë? Avokati DuCharme: “Çështja mund të zgjidhet pa gjyq”

Uashington, 4 gusht 2023 – Ish-agjenti i kundërzbulimit të FBI-së, Charles McGonigal, mund të arrijë një marrëveshje me prokurorët amerikanë, të cilët e akuzojnë për fshehje parash dhe për bashkëpunim me një oligark rus.

McGonigal, i cili ka punuar për 22 vite në FBI dhe ka dalë në pension në vitin 2018, është akuzuar për dy çështje të ndryshme në Nju Jork dhe Uashington DC, përfshirë edhe fshehjen e 225,000 dollarëve të marra nga një ish-agjent i shërbimeve sekrete shqiptare.

CNN ka raportuar se gjatë një konference të premten për çështjen e Uashingtonit, avokati i McGonigal, Seth DuCharme, ka vënë në dukje se të pandehurit kanë dy zgjedhje: ta pranojnë fajin ose të shkojnë në gjyq. Ai ka shtuar se ka një “shans të mirë që çështja të zgjidhet” pa pasur nevojë të shkojnë në gjyq.

Komentet e DuCharme sugjerojnë se prokurorët e qeverisë dhe avokatët e McGonigal mund të bashkëpunojnë për një marrëveshje mes palëve për pranimin e fajësisë në këtë rast.

Megjithatë mbetet e paqartë se si do të dukej një marrëveshje për pranimin e fajësisë midis prokurorëve dhe McGonigal dhe për cilat akuza ai mund të deklarohet fajtor.

McGonigal është deklaruar i pafajshëm për të dyja aktakuzat.

(Balkanweb)