McKee: Përkushtimi i USAID-it ndaj Kosovës mbetet i palëkundur, pavarësisht prej mosmarrëveshjeve me qeverinë

Prishtinë, 5 mars 2024 – Ndihmësadministratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Erin E. McKee, ka thënë se përkushtimi i kësaj agjencie ndaj Kosovës dhe popullit të saj do të mbetet i palëkundur, pavarësisht prej mosmarrëveshjeve e caktuara me qeverinë.

“Edhe pse mund të përballemi me mosmarrëveshje apo sfida me qeveri të veçanta, përkushtimi ynë ndaj popullit të Kosovës mbetet i palëkundur dhe i qëndrueshëm”, ka thënë McKee, të martën në Prishtinë, në një konferencë për medie me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Zonja McKee ka folur edhe për dialogun mes Kosovës e Serbisë. Ajo e ka cituar sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, i cili e ka ilësuar dialogun si rrugë të vetme drejt integrimit të Kosovës në strukturat euro-atlantike.

“E ardhmja e Kosovës është brenda Evropës. Sekretari Blinken kohët e fundit përsëriti se dialogu i lehtësuar nga BE-ja është i drejtë dhe rruga e vetme përpara për Kosovën për të avancuar integrimin e saj me institucionet evropiane dhe euroatlantike”, ka thënë ajo.

Zonja McKee ka theksuar se USAID-i është i përkushtuar të vazhdojë mbështetjen e reformave të nevojshme dhe për fuqizimin e institucioneve demokratike të Kosovës. Ajo ka vënë theksin në fuqizimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë.

“Duke siguruar një gjyqësor të fortë dhe të pavarur, ne kontribuojmë në zhvillimin dhe ofrimin e shërbimeve gjyqësore të drejta dhe të paanshme, gjë që është kritike. Sundimi i ligjit është jetik, jo vetëm për një demokraci në zhvillim, por për të ofruar siguri për investitorët, për qytetarët, për ata që e dinë se e ardhmja e tyre është këtu në Kosovë dhe jo gjetkë”, ka theksuar zonja McKee.

Ndihmësadministratorja e USAID-it i ka vlerësuar përpjekjet e Kosovës për krijimin e mundësive ekonomike për të gjitha komunitetet.

“Kosova po bën përparim të madh në krijimin e mundësive ekonomike për të gjitha komunitetet, veçanërisht për gratë dhe për sipërmarrësit nga radhët e pakicave. USAID-i është i përkushtuar për krijimin e mundësive për të shfrytëzuar frymën e tyre sipërmarrëse për t’u bërë liderë në sektorin privat të Kosovës”, ka deklaruar McKee.

Presidentja Osmani ka thënë se veprimtaria e USAID-it në Kosovë është shembull i përkushtimit të palëkundur të SHBA-së për zhvillimin e Kosovës. Ajo ka thënë se USAID-i dhe SHBA-ja kanë investuar në Kosovë rreth 2 miliardë dollar.

“USAID-i ka qëndruar besnikërisht përkrahë shtetit tonë, duke investuar mbi 1 miliardë dollarë në Republikën e Kosovës e që bashkë me projekte tjera të Qeverisë Amerikane investimet arrijnë rreth 2 miliardë dollarë”, ka thënë ajo.

Presidentja Osmani ka thënë se USAID-i ka mbështetur realizimin e një sërë projektesh për zhvillimin e përgjithshëm të Kosovës. Ajo ka theksuar se sukseset e Kosovës prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës janë arritur me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Ne sapo kemi shënuar 16 vjet si shtet i pavarur. Gjatë këtyre viteve sukseset tona të njëpasnjëshme janë arritur me mbështetjen e SHBA-së dhe të aleatëve tanë”, ka theksuar ajo.

(r.m.)