Më 15 prill do të nisë gjykimi i Trumpit për çështjen e blerjes së heshtjes të aktores Stormy Daniels

Nju Jork, 25 mars 2024 – Një gjykatës në Nju Jork ka caktuar datën 15 prill për fillimin e gjykimit të çështjes ndaj ish-Presidentit Trump lidhur me akuzat për pagesa parash për të siguruar heshtjen e një aktoreje filmash pornografikë.

Vendimi u mor të hënën nga gjykatësi Juan M. Merchan, i cili qortoi më herët avokatët e zotit Trump ndërsa shqyrtonte caktimin e fillimit të gjyqit pasi dalja në dritë minutën e fundit e disa dokumenteve të reja shkaktoi ndryshimin e datës së caktuar më parë për gjyqin.

Gjykatësi u rezistoi atyre që i konsideroi se ishin pretendime të pabaza të ekipit mbrojtës për “veprime të parregullta të prokurorisë”. Zoti Merchan duket se nuk u bind nga argumentet e avokatëve mbrojtës të zotit Trump që prokurorët kishin mbajtur të fshehta deri së fundmi mijëra dokumente me të dhëna nga një hetim i mëparshëm federal.

Prokurorët thonë se vetëm një pjesë e vogël e të dhënave të reja ishin të rëndësishme për çështjen ndaj zotit Trump. Avokatët mbrojtës pretendojnë se mijëra faqe janë të rëndësishme për çështjen dhe se kërkojnë një rishikim të përpiktë.

Gjykatësi, i cili në fillim të muajit e shtyu çështjen të paktën deri në mes të prillit, i tha palës mbrojtëse se duhet të kishin vepruar më shpejt nëse besonin se nuk i kishin të gjitha dokumentat që mendonin se kishin të drejtë.

“…..pretendimi që ngre mbrojtja për dokumentet është vërtet shqetësuese”, tha zoti Merchant. “Ju po akuzoni zyrën e prokurorit të përgjithshëm të Manhatanit dhe njerëzit e përfshirë në këtë rast për veprime të parregullta të prokurorisë dhe përpjekje për të më bërë mua bashkëpunëtor në të. Ju nuk keni asnjë provë të vetme për të mbështetur këtë qëndrim”.

Çështja e pagesave për të siguruar heshtjen u ngrit vitin e kaluar nga prokurorët e Manhatanit.

Zyra e prokurorit të qarkut tha se kishte të dhëna të reja të pakta në dokumentet në fjalë dhe nuk kishte arsye për shtyrje të mëtejshme të gjykimit. Prokurori Matthew Colangelo tha në gjykatë të hënën se numri i dokumenteve të reja që kanë lidhje me çështjen “është mjaft i vogël” – rreth 300 ose më pak.

Avokati mbrojtës, Todd Blanche, tha se ishte e kundërta dhe flitet për mijëra dokumente, shifër që vazhdon të rritet. Avokatët e zotit Trump argumentuan se fshehja e dokumenteve nga akuza duhet të çojë në pushimin e çështjes, ose të paktën shtyrjen e saj me tre muaj.

“Ne nuk po bëjmë punën tonë nëse nuk i shqyrtojmë në mënyrë të pavarur materialet”, tha avokati Blanche. “Çdo dokument është i rëndësishëm”.

Por zoti Merchan dukej i patundur, duke e pyetur avokatin Blanche se pse ekipi i mbrojtjes, i cili kërkoi në rrugë ligjore dokumente në janar, nuk ngriti shqetësime lidhur me dokumente që mund të mungonin javë më parë.

Zoti Trump ka deklaruar se është i pafajshëm lidhur me akuzat se ka falsifikuar të dhënat e biznesit.

Prokurorët e Manhatanit thonë se zoti Trump falsifikoi të dhënat e biznesit si pjesë e një përpjekjeje për të mbrojtur fushatën e tij të vitit 2016, duke i “varrosur” ato që ai thotë se ishin histori të rreme të lidhjeve intime jashtëmartesore.

Çështja përqendrohet në pretendimet se zoti Trump regjistroi në mënyrë të rreme, si shpenzime ligjore të kompanisë pagesa që kapin totalin 130,000 dollarë “për të maskuar sjelljen kriminale të tij dhe të të tjerëve”, thuhet në dokumentet që prokuroria ka paraqitur në gjykatë.

Paratë iu paguan avokatit të atëhershëm personal të zotit Trump, Michael Cohen. Prokurorët thanë se pagesat nuk ishin për punën e tij ligjore, por thjesht për të zëvendësuar paratë që zoti Cohen i kishte paguar aktores së filmave pornografikë Stormy Daniels në emër të zotit Trump për të blerë heshtjen e saj lidhur me pretendimet se ajo kishte patur një takim intim seksual një vit më parë me të.

Avokatët mbrojtës thonë se pagesat për zotin Cohen ishin shpenzime ligjore.

Zoti Cohen e pranoi fajësinë në vitin 2018 lidhur me disa akuza federale, përfshirë shkeljet në financimin e fushatës në lidhje me pagesën për aktoren Daniels. Ai ka thënë se ishte udhëzuar nga zoti Trump për ta paguar aktoren në fjalë dhe prokurorët federalë lanë të kuptohet se e besonin atë, por ata nuk ngritën akuza ndaj zotit Trump për ndonjë krim në lidhje me këtë çështje.

(Zëri i Amerikës)