Më në fund, përmbyllet procesi i konstituimit të Kuvendit të Kosovës

Prishtinë, 10 tetor 2025 – Kuvendi i Kosovës është konstituuar të premten, në vazhdimin e seancës konstituive që ishte hapur qysh më 15 prill.

Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, e ka shpallur të konstituar organin ligjvënës, pasi nënkryetar nga radhët e komunitetit serb është zgjedhur deputeti Nenad Rashiq.

Emri i Rashiqit është hedhur në votim pasi që 9 deputetët e Listës Serbe kanë dështuar t’i marrin votat e mjaftueshme. Për Rashiqin kanë votuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosjes dhe disa deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës kanë abstenuar.

Pas përfundimit të seancës, Basha ka thënë se zgjedhja e Rashiqit e legjitimoi konstituimin e Kuvendit, Ai ka thënë se procedura për zgjedhjen e nënkryetarit serb është zhvilluar plotësisht sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Mendoj që ka qenë një procedurë e rregullt”, ka deklaruar ai në një paraqitje për medie, pas përfundimit të seancës.

Lista Serbe ka paralajmëruar se ajo do të ushtrojë ankesë në Gjykatën Kushtetuese për procedurën e ndjekur me rastin e zgjedhjes së Rashiqit. Deputeti i saj, Igor Simiq, ka thënë se procesi i konstituimit të Kuvendit nuk ka përfunduar.

“Sot nuk ka përfunduar konstituimi i të Kuvendit dhe mos lejoni t’ju gënjejnë”, u ka thënë ai gazetarëve.

Sipas tij, në Kuvenditn e Kosovës të premten “është shkelur aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, si edhe Kushtetuta dhe Rregullorja e punës së Kuvendit”.

Ndërkaq Memli Krasniqi, Kryetari i Partisë Demokratike e Kosovës që ka absetnuar në votimin për Rashiqin, ka thënë se nuk e di nëse zgjedhja e Rashiqit për nënkryetar nga radhët e komunitetit serb është kushtetuese.

Por, Kryeparlamentari Basha ka thënë se është e drejtë e secilës parti që ka dyshime në rregullsinë e zgjedhjes së Rashiqit që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

(r.m.)