
Trendet në protesta dhe bllokada në kohët e fundit janë, thënë më së buti, vërtet të pafat. Prej viteve tetëdhjetë, kur fjala “shiptar” ishte bërë fyerja më e rëndë për dikë në Serbi, ajo u teletransportua në vitin 2025. Prej se policia nisi t’i kontrollojë dhe t’i arrestojë qytetarët, rrjetet sociale dhe rrugët i vërshoi etiketimi i policëve “shiptarë”.
E pyes veten, e pyes, nëse ai që i etiketon policët në këtë mënyrë vërtet punon për policinë, sepse më keq se kaq s’mund të ketë. Disa llogari në Instagram të mbështetësve të protestave nuk i ndjek më, për shkak të krahasimit këmbëngulës të policëve me “shiptarë”, për shkak të ndjenjës së papërballueshme të të vjellit që më shkaktojnë të tilla qelbësira.
Nuk ka reklamë më të keqe për një protestë sesa një fyerje në bazë nacionale. Është kaq e mjerueshme që në vend të kaq shumë fjalëve të bukura, siç janë: “qelbësirë”, “vrasës”, “mut”, “p*dh”, “koqe” ose “mjeranë”, të zgjedhësh fjalën “shiptar”. Është kaq e mjerueshme sa nuk ka nevojë të ndash hapësirën kibernetike e pastaj edhe rrugët me ata që e thonë këtë. Dyshoj se ky ishte qëllimi i atij që ua mveshi protestuesve përshkrimin e policëve si “shiptarë”.
Amnistia e Zhvalekut
Një variant pak më i butë, por po aq i mjerueshëm, i këtij etiketimi është “Shkoni në Kosovë”. Ky slogan është marrë nga vitet e nëntëdhjeta, kur policisë ia kujtonim se nuk kishte kurrfarë kontrolli mbi krahinën jugore, prandaj do të ishte veprim i saj i guximshëm po të bënte atje atë që po na bëte neve. Kjo parullë, e cila edhe atëherë tingëllonte mjerueshëm, u bë plotësisht e pakuptimtë kur policia na dëgjoi, shkoi në Kosovë dhe atje kreu krime të panumërta. Kujt i shërben sot “Shkoni në Kosovë” nuk e dinë as ata që e thonë.
Ndërsa marrja e flamurit “Pa dorëzim” nga Zhvaleku do të mund të interpretohej si një marifet i mirë, “shiptarizimi” i nxituar na vendos munh në fundërrinë të njerëzisë. Jam i sigurt se studentët nuk kanë të bëjnë fare me këtë. Është e qartë se në internet dhe në tubime ka shumë provokatorë, detyrë e të cilëve është të largojnë nga rrugët botën normale.
Dihet kush është armiku
Nga “Vuçiq o pederast”, e cila kalon vetëm falë këndvështrimit të gjerë të komunitetit LGBT ndaj përdorimit të kësaj fjale, u fundosëm edhe më poshtë, te “Aco o Shiptar”. Ky mut erdhi nga e njëjta kuzhinë, bashkë me etiketimin e policëve “Shiptarë”. Kjo manovër tinëzare do të shërbejë për ta portretizuar protestën si shoviniste te partnerët perëndimorë të Zhvalekut, por edhe për të brohoritur sa më rrallë të jetë e mundur “Arrestonie Vuçiqin”.
“Arrestonie Vuçiqin” është slogani perfekt. Në këto dy fjalë përmblishet thelbi i problemit tonë. Ato iu dërguan prokurorisë dhe policisë, si propozim konstruktiv, nga qytetarë që protestojnë paqësisht. Sa më shumë që të përsëritet kjo mantra, aq më afër jemi realizimit të saj. Por, jo. Përsëritet “Aco o Shiptar”. Fjala “Shiptar” nuk ka të bëjë fare me protestat serbe. Ajo u ringjall në mënyrë që njerëzit në rrugë të duken primitivë të tërbuar e të dëshpëruar. Por ata nuk janë të tillë, Së paku jo shumica.
(Marrë nga revista “Danas”. Titulli është i përkthyesit)
(r.m.)