Me Zef Dedën na lidhen të qeshurat e para në jetë

Nga Ruben Avxhiu

Me Zef Dedën na lidhen të qeshurat e para në jetë

Një nga kujtimet e fëminisë është pritja me padurim e darkës së Vitit të Ri, që për mua fillonte me emisionin për fëmijë në televizion, në të cilin dilte Zef Deda.

Aktori humorist kishte një diapazon të gjerë teknikash humori ku spikaste aftësia për provokuar të qeshurën pa asnjë batutë, pa tekst, thjesht nëpërmjet mimikës së fytyrës.

Komedia fizike është ajo që na dhuron të qeshurat e para në jetën tonë. Kur ende nuk dimë të flasim, kur ende nuk mund të kuptojmë kontekste. Të qeshurat më të pafajshme e më të thjeshta.

Në këtë aspekt, ai ishte versioni shqiptar i aktorëve të mëdhenj që varionin nga Charlie Chaplin te Pitkini. Gjenia e humoristëve dhe aktorëve të lojës pa fjalë është se flasin gjuhën universale të shprehjes së fytyrës, të mesazheve trupore, që depërton përmes kulturave e kombeve të ndryshme duke i bashkuar në një gaz thjesht njerëzor.

Krijues i personazheve të shumtë komikë e burim humori gjatë gjithë jetës së tij, Zef Deda me të drejtë po meriton homazhe e vlerësime. Ai është nga ato figura kombëtare që i bashkojnë të gjithë shqiptarët me ikjen e tij, ashtu si i bashkonte dikur për të qeshur së bashku përpara ekranit të vogël të televizorit. Shumë më tepër do ta qajnë publiku shkodran dhe frekuentuesit e teatrove dhe estradave që e kanë parë të luajë drejtpërdrejt në skenë.

Rolet e tij në emisionet e fëmijëve mund të mos kenë qenë ato që ai ka kërkuar e përmendur më shumë, por për brezin tonë besoj se ato të qeshurat e para do të mbeten dhurata më e vyer dhe më e papërsëritshme. Kur qeshëm me gjithë shpirt, pa e kuptuar shumë e pa menduar gjatë.

Thuhej në atë koha se “e qeshura të zgjat jetën”. Besoj se po jetojmë të gjithë nga pak më shumë për shkak të Zef Dedës.