Meloni: Kurtit e Vuçiqit u bëmë thirrje t’i zbatojnë marrëveshjet e arritura

Bruksel, 26 tetor 2023 – Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka deklaruar se Presidenti francez Emmanuel Macron, Kancelari gjerman Olaf Scholz dhe ajo, në takimet e sotme me liderët e Serbisë dhe Kosovës, kanë kërkua zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tash.

“Kemi kërkuar nga të dy liderët që të bëjnë hapa përpara në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në vitet dhe muajt e fundit”, ka thënë Meloni, pas takimeve me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

“Ne shpresojmë se do të ketë përparim,” ka theksuar ajo.

Kurti dhe Vuçiq kanë pasur të enjten në Bruksel takime të veçanta me Presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel, shefin e diplomacisë evropiane Josep Borrell, përfaqësuesin special të BE-së për Ballkanin Perëndimor Miroslav Lajcak dhe liderët e Francës, Gjermanisë dhe Italisë – Emmanuel Macron. Olaf Scholz dhe George Meloni. Takimet kanë përfunduar pa ndonjë pajtim.

Borrell tha se Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë është pengesa më e madhe.

“Ekziston një pengesë e madhe e ajo është themelimi i Asociacionit tëkomunave me shumicë serbe në veri të Kosovës”, tha Borrell.

Ai tha se palëve u është bërë një propozim “shumë serioz dhe të balancuar” për themelimin e Asociacionit, por palët nuk janë pajtuar dhe kanë parashtruar kushte.

(r.m.)