Memli Krasniqi jep dorëheqje nga pozita e kryetarit të PDK-së

Prishtinë, 12 nëntor 2025 – Memli Krasniqi njoftoi të mërkurën se ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të partisë së dytë më të madhe në Kosovë, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

“Sot, pas shumë kohe reflektimi, ka ardhur momenti i duhur, prandaj sot kam vendosur të jap dorëheqje nga pozita e kryetarit të partisë”, tha Krasniqi në një konferencë për medie.

Dorëheqja e tij vjen pesë muaj pasi ai ishte rizgjedhur në krye të partisë, për një mandat të dytë.

“Ky vendim nuk është as i momentit dhe nuk lidhet vetëm me zhvillimet e fundit. Është reflektim i gjatë i imi mbi atë se çfarë i duhet më shumë partisë në fazën e ardhshme”, tha ai.

Ai shtoi se PDK-ja ka nevojë për të krijuar “një momentum, dhe një mundësi të re për familjen tonë demokratike. Si dikush që nuk ka pasur asnjëherë ambicie për kryeministër, në zgjedhjet e ardhshme kandidati ynë duhet të jetë edhe kryetar i partisë”.

Gjatë udhëheqjes së tij, PDK-ja doli e dyta në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, duke i fituar 24 ulëse, me Bedri Hamzën si kandidat për kryeministër.

Krasniqi njoftoi se do ta mbledhë Konventën e partisë të hënën, më 17 nëntor, ku do të zgjidhet kryetari i ri. Ai tha se nuk e di se kush do të garojë për kryetar të partisë, por shtoi se do ta mbështesë Hamzën nëse ai garon.

“Preferencën time për Bedri Hamzën nuk e fshehi, përkundrazi me kënaqësi e bëj publike”, u shpreh ai.

Krasniqi ka qenë pjesë e PDK-së për gati dy dekada. Fillimisht ai ka qenë kryetar i të rinjve të partisë, e pastaj nënkryetar i partisë, para se të zgjidhej kryetar, në vitin 2021.

Nën udhëheqjen e tij, PDK-ja doli e dyta në zgjedhje nacionale të shkurtit dhe i fitoi gjashtë komuna në zgjedhjet lokale të tetorit. Në nivel lokal, ajo pësoi një rënie të vogël në krahasim me zgjedhjet e kaluara.

(r.m.)