Memoriali i Kardinalit të parë shqiptar Mikel Koliqi do të qëndrojë në Gjazë të Lushnjës, aty ku kaloi 10 vite internim

TIRANË, 31 maj/ Simbas ATSH/ Memoriali i Kardinalit të parë shqiptar Mikel Koliqi do të qëndrojë nga sot në Gjazë të Lushnjës, ku ai jetoi si i internuar për 10 vite gjatë diktaturës komuniste.

Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast morën pjesë autoritetet fetare të Kishës katolike dhe ortodokse, autoritetet e bashkisë Lushnjë dhe qytetarë të shumtë që nderuan veprën e kardinalit Koliqi, një prej figurave të shkëlqyera të rezistencës fetare dhe antikomuniste.

Obelisku prej mermeri u vendos në vendin e vuajtjeve të internimit ndërsa në ceremoni ishte i pranishëm ambasadori i Vatikanit në Shqipëri Luixhi Bonaci si dhe arqipeshkv i dioqezës Shkodër Anxhelo Masafra.

Ambasadori i Vatikanit lexoi mesazhin e papës ditën e vdekjes së Mikel Koliqit, ndërsa bashkëvuajtesit e internimit folën mbi kujtimet e tyre dhe figurën e Koliqit.

Mikel Koliqi lindi në Shkodër më 29 shtator 1902. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, për t’i vijuar studimet në Milano të Italisë, ku edhe u diplomua në degën e inxhinierisë mekanike, në Politeknikumin e Milanos.

Ishte në moshë të pjekur, kur ndjeu thirrjen për rrugën meshtarake, thirrje që e kurorëzoi duke u shuguruar meshtar më 30 maj 1931. U kthye menjëherë në Atdhé dhe nisi shërbimin, më parë si ndihmës-famullitar, e pastaj si famullitar i katedrales së Shkodrës.

U shqua edhe për veprimtarinë e tij muzikore e publicistike. Muzikoi melodramat e para në historinë e muzikës shqiptare, në bashkëpunim të ngushtë me Dom Ndré Zadejën. Qe kryeredaktor i revistës “Kumbona e së Dieles”. Gjatë regjimit komunist u burgos tri herë dhe u dënua me 40 vjet heqje lirie.

Papa Shën Gjon Pali II e emëroi prelat nderi (monsinjor) në janar 1992, e takoi personalisht gjatë vizitës së tij në Shkodër, më 25 prill 1993 dhe e krijoi kardinal më 26 nëntor 1994 në Vatikan.

Menjëherë pas fillimit të proceseve demokratike të Shqipërisë, kardinali Mikel Koliqi u nderua së pari me titullin “Pishtar i demokracisë”, më pas me titullin “Nënë Tereza” dhe, vetëm pak ditë para vdekjes, me titullin më të lartë “Nderi i Kombit”. 

Vdiq në Shkodër, më 28 janar 1997.

Një jetë e veçantë ajo e dom Mikel Koliqit, që shtrihet në gjithë hapësirën e shekullit të kaluar, një jetë e jashtëzakonshme për fé e atdhé që mbeti hallkë e pashkëputur nga tmerri i persekutimit ateist të komunizmit.

Simon Miraka, një ish i internuar në kampin e interrnimit në Gjazë, i cili kalojë më shumë se dy dekada në GJazë, mori pjesë në ceremoninë e vendosjes së obeliskut, dhe solli kujtimet me Dom Mikel Koliqin, në kampin e tmerrshem të Gjazës 

Mirakaj shkroi ne statusin e tij në Fb, se ne kampin e internimit Gjaz (Lushnje) ne inagurimin e memorialit kushtuar kardinalit te pare Shqiptar  Dom Mikel Koliqit, përcjell një fragment nga libri i tij Ai thotë : ” Ne librin tim botuar para pak kohë kam shkruajtur dhe per momentin e arrestimit te Dom Mikel Koliqit.ne moshën 77 vjeqare arrestuar ne 6 Prill 1976 dhe i denuar me 15 vjet burg.Vitet e burgut i kaloj ne burgun e Ballshit”

Rrespekt per nipin qe i hapi derën dhe e priti, Dom Mikeli do kujtohet gjithmone me shume respekt e mall shkruan Simon Mirakaj