Memoriali në dy kartolina gjigande që mban 274 viktima nga 11 shtatori i zi

Nga Keze Kozeta Zylo

None of us will ever forget this day.  Askush nga ne nuk do ta harrojë kurrë këtë ditë. 

George W. Bush, 43rd U.S. President

 

Në çdo 11 Shtator Amerika përkujton me dhimbje tragjedinë më tronditëse që ndodhi në zemër të botës, në Manhattan, të shkaktuar nga terroristët botërorë.  Por kjo datë nuk është e thënë të përkujtohet vetëm në atë ditë, unë bashkë me Qemalin shkuam t’i përkujtonim sot në parkun përballë Oqeanit Atlantik në Staten Island në një ditë pushimi. 

Heronjtë frymëzojnë në çdo kohë ngase janë të pavdekshëm.

Këtë vit është 22 vjetori i përkujtimit.  Më 11 shtator katër avionë u rrëmbyen nga grupi radikal Al Kaeda dhe shkrumbuan dy kullat binjake qendrat më të mëdha tregëtare botërore.

Tremijë njerëz u dogjën, vdiqën atë ditë, midis tyre më shumë se 400 punonjës të urgjencës.

Skulptorët e memorialeve i kanë ndërtuar nga dëshira për të krijuar një vend që lidh të gjitha viktimat me ne.

Memoriali ne Staten Island në nderim të viktimave është konceptuar si dy kartolina gjigande, që simbolizojnë komunikimet private mes të dashurve. Ato janë kartolina të palosura për të pasqyruar mesazhet që janë personale dhe cilësia e saj abstrakte formale i frymëzon njerëzit që të gjejnë kuptime të ndryshme në të.

Muret janë vendosur në mënyrë simetrike në parkun përballë ujit, duke inkuadruar boshtin e pamjes që dikur lidhte komunitetin dhe Kullat Binjake përgjatë portit. Ato hapen drejt ujit në plan dhe drejt qiellit në lartësi, duke krijuar një hapësirë ​​me një ndjenjë privatësie dhe çlirimi brenda sferës publike.

Çdo qytetar i Staten Island qe ka humbur jetën në këtë ditë të zezë nderohet në mure me siluetën e profilit, emrin dhe faktet e tjera në pllakën e granitit 9″x11″.  Boshtet e dritës të futura pas çdo profili krijojnë thellësi dhe lëvizje, duke lejuar gjithashtu që dritat natyrore dhe ndriçuese të kalojnë për të nxjerrë në pah siluetat e tyre. Të gjitha profilet shikojnë përtej portit drejt vendit të WTC, Kullave Binjake, si kujtues paqësor të së kaluarës dhe shpresës për të ardhmen.

Siluetat janë të gjitha në të njëjtin drejtim, drejt Ground Zero.  Ndërkohë gjithmonë në lëvizje është anija, Ferri me Staten Island dhe Manhattanin që i ndan uji në mes.  Nga larg i përshëndet me dorën e bekuar, flakadanin, Statuja e Lirisë, Lirinë që aq shumë e ëndërrojnë miliona njerëz në botë. 

Duke qëndruar përballë tyre në heshtje, një paqe e përzjerë me nota trishtuese, efekti i qëndrimit midis mureve ishte mjaft i fuqishëm.  Si qenie humane ajo që na ndan nga kaosi,nga antihumanët që mjerisht ka plot, është aftësia jonë për të vajtuar dhe respektuar njerëzit që nuk i kemi takuar kurrë, por respektojmë heroizmin e tyre.  Nëse nuk mësojmë asgjë tjetër nga kjo tragjedi, duhet te mësojmë se jeta është e shkurtër dhe nuk ka asnjë sekondë për urrejtje.

Ata rrinë të heshtur përballë kullave, ku njera është ringritur përsëri madhërishëm çka të kujton vargjet e poetes së famshme botërore Maya Angelou e cila shkruan si: “Njësoj si Dielli, njësoj si Hëna/ Në baticat në harmoni/ Njësoj si shpresa që çohet lart/ Unë do ngrihem përsëri…”

Sulmi mbi kullat shkaktoi djegie dhe shkatërrim kaq masiv saqë pak mbetje të identifikueshme u gjetën për varrim. Ndoshta 60 për qind e atyre njerëzve, profili i të cilëve është këtu, të afërmit e tyre, të dashurit e tyre, nuk morën eshtra. Këtu janë varrezat përkujtimore të tyre.

Është një memorial i përhershëm që nderon 274 banorët e Staten Island të vrarë në sulmet e 11 shtatorit të vitit 2001 dhe në bombardimin e Qendrës Botërore të Tregtisë në vitin 1993 dhe eshte ndërtuar në vitin 2004.

Këtu janë policë dhe zjarrfikës që iu bashkuan përpjekjeve të shpëtimit dhe u vranë, kur kullat u shembën, dhe një pasagjer në fluturimin 93 të United Airlines, i cili vdiq në përplasjen në Shanksville, Pensilvani. Përfaqësohet gjithashtu një individ që u vra në bombardimin e Qendrës Botërore të Tregtisë në vitin 1993.

Ishte nder për ne qe ndodheshim përballë në nderim të veprës së tyre përjetësuar në Memorialin i cili qëndron madhërishëm në dy kartolina gjigande që mban 274 viktima nga 11 shtatori i zi dhe në bombardimin e Qendrës Botërore të Tregtisë në vitin 1993 në bregdetin e “Shën Gjergjit”.

 

11 Prill, 2023

Staten Island, New York