Mërgata – shtyllë e fortë e lëvizjes për liri, pavarësi e demokraci në Kosovë

Vjosa Osmani, Presidente e Republikës së Kosovës

(Fjalim i mbajtur në Samitin e III-të të Diasporës, Tiranë)

 

I nderuar president Begaj,

I nderuar kryeministër Rama,

E nderuar kryetare e Kuvendit znj. Nikolla,

I nderuar kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, z.Talat Xhaferi,

Zëvendëskryeministra, ministra e përfaqësues nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Presheva, Medvegja, Bujanoci e treva të tjera shqiptare,

Të dashur vëllezër e motra,

Mërgata jonë është sublimim i përpjekjeve të gjata e të kahershme për liri, për pavarësi dhe për shtetndërtim.

Prandaj, jam jashtëzakonisht e nderuar që jam sot këtu në Tiranë, në qytetin, i cili na mbledhë zakonisht ne shqiptarëve kudo që jemi, aq më tepër në Samitin që i dedikohet mërgatës sonë, e cila vazhdon të jetë një katalizator i ndryshimit pozitiv kudo që jetojnë shqiptarët.

Mërgata shqiptare është simbol i qëndrueshmërisë, i forcës dhe shpirtit të palëkundur të popullit e të kombit tonë.

Gjatë historisë, shqiptarët, pa dëshirën e tyre, janë shpërndarë në mbarë globin, por gjithnjë duke mbajtur trashëgiminë tonë të pasur kulturore, traditat dhe identitetin e paepur shqiptar.

Nga ky cep i Evropës e deri në kontinentet më të largëta, shqiptarët kanë lënë gjurmë, duke u integruar e arritur suksese në shtetet në të cilat emigruan, por gjithnjë duke ruajtur themelet dhe rrënjët e tyre.

Mërgata jonë ka luajtur një rol të rëndësishëm në secilin shtet ku jeton dhe vepron, duke kontribuar me aftësitë, njohuritë dhe përkushtimin e palëkundur të punës në fushat e ndryshme.

Pavarësisht sfidave me të cilat është përballur, mërgata shqiptare ka mbetur thellësisht e lidhur me atdheun, duke i mbetur besnike rrënjëve.

Fati historik e treti nëpër botë një pjesë të njerëzve tanë, por lidhja e fuqishme me vendin e origjinës, respekti ndaj traditës, bëri që ata asnjëherë mos t’ia kthejnë shpinën atdheut, duke u bërë ura më e fuqishme lidhëse e shteteve tona me botën.

Nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Presheva, Medvegja e Bujanoci, mërgata jonë është një!

Përderisa jemi mbledhur sot të gjithë këtu mos të harrojmë se vëllezërit dhe motrat tona në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc akoma përballen me diskriminim sistematik që rezulton edhe me spastrim etnik nëpërmjet mjeteve administrative. Si gjithnjë, u themi edhe sot ju nuk jeni vetëm! Të gjithë jemi bashkë me ju, të gjithë jemi bashkë me ju në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc. Prandaj, edhe në këtë kauzë, në këtë kauzë për mbrojtjen e tyre duhet dhe do të jemi një.

Roli historik i mërgatës shqiptare është i jashtëzakonshëm. Përgjatë kohërave sfiduese, ata ishin dhe janë ambasadorë të kulturës sonë, avokatë dhe avokues të kauzave tona dhe përkrahës të vendosur të aspiratave tona kombëtare.

Mërgata shqiptare, padyshim është shtylla e lëvizjes kombëtare për liri, e për pavarësi të shqiptarëve.

Solidariteti dhe mbështetja e tyre e palëkundur kanë qenë burim force për ne në rrugëtimin tonë drejt lirisë, pavarësisë e demokracisë por edhe drejt fuqizimit të shtetndërtimit e prosperitetit të popullit tonë.

Në vitet e tetëdhjeta e nëntëdhjeta mërgata jonë ishte zëri ynë në të gjitha qendrat e vendimmarrjes, nga Uashingtoni në Bruksel, nga Berlini në Paris, e në Romë e në shumë vende të tjera. Ishte zëri i fuqishëm i një populli të shtypur që synonte dhe luftonte për lirinë. Ishte mërgata jonë ajo që qëndroi në ballë të qëndresës sonë, luftës për mbijetesë dhe luftës për shtet të pavarur e sovran.

Por mbështetja e mërgatës nuk u ndal me kaq. Kontributi i saj prej dekadash e ka shndërruar atë edhe në një krah të fortë ekonomik të familjeve dhe shtetit të Kosovës.

Ky angazhim nuk u ndërpre asnjëherë.

Falë kontributit të mërgatës sonë u arrit të mbahej gjallë edhe sistemi paralel i arsimit, shëndetësisë dhe kulturës në vitet e nëntëdhjeta, në një kohë kur populli shqiptar në Kosovë po rrezikohej nga shfarosja.

Kjo mërgatë, mbi të gjitha bëri të mundur mbajtjen gjallë të idesë politike për lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë, ngase secili mërgimtar, në fakt ishte një ambasador i Kosovës në përhapjen e të vërtetës dhe mbrojtjen e të drejtës sonë për liri e pavarësi.

Rrugëtimi i tyre është një me fatin e vendit, ndaj më 1997, kur lufta për lirinë e Kosovës mori hov, shumë të rinj e të reja nga mërgata iu bashkuan varganit të lirisë, duke u mobilizuar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, si mbrojtës të vendit tonë.

Në këtë mënyrë, mërgata jonë nuk e luajti vetëm rolin mbështetës për Kosovën, por u bë hisedare kryesore në procesin e lirisë dhe pavarësisë së vendit tonë.

Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Kadri Zeka, Agim Ramadani, Sali Çekaj, ushtarët e batalionit Atlantiku, e shumë e shumë të tjerë, janë vetëm disa, vetëm disa nga heronjtë tanë, të cilët ranë në altarin e lirisë, duke qenë së pari aktivistë të çështjes kombëtare, si mërgatë në vendet ku jetuan dhe vepruan.

Por, nuk janë vetëm individët, ka edhe shumë shoqata, të cilat grumbullojnë shqiptarët në mërgatë e që kanë bërë punë të jashtëzakonshme, qoftë ne mesin e shqiptarëve të Amerikës, pastaj në Zvicër, Gjermani, Mbretëri të Bashkuar, e në shumë e shumë shtete të tjera të Evropës e të botës. Por, asgjë ndoshta nuk dëshmon më shumë lidhjen e fortë me rrënjët se sa arbëreshët tanë, të cilët ruajtën gjuhën e traditën për shekuj të tërë.

Pra, kontributi i mërgatës shqiptare në zhvillimin e atdheut është i pamatshëm.

Sot, nëpërmjet remitancave, investimeve, filantropisë dhe shkëmbimit të njohurive, mërgata jonë vazhdon të marrë pjesë aktive në përparimin ekonomik, social e kulturor të vendeve tona. Ata nuk janë vetëm qytetarë që jetojnë në dhe të huaj, por përbëjnë potencial të rëndësishëm për transformimin e shteteve tona nëpërmjet përvojës dhe ekspertizës së tyre.

Mërgata luan rol të rëndësishëm si agjente e ndryshimit dhe avokuese për zhvillim. Përvojat e tyre krijojnë një perspektivë unike për qeverisjen, çështjet sociale dhe politikat tona.

Në fakt, imazhi më i mirë i Kosovës janë pikërisht mërgata jonë. Njerëz punëtorë, atdhetarë që busullë orientimi e kanë vendin e tyre të prejardhjes, atdheun e tyre.

Sot, kemi shumë arsye të krenohemi si shqiptarë, sepse shumë figura nga mërgata jonë janë shndërruar në referenca botërore. Nga Dua Lipa, krenaria e vendit tonë e deri të Rita Ora e artistë të tjerë të mëdhenj, na kanë bërë vazhdimisht krenarë. Nga zëri magjik i Elbenita Kajtazit e Ramë Lahajt e deri te futbollistët tanë në ekipe të ndryshme botërore si Xhaka, Shaqiri, Muriqi, e shumë e shumë të tjerë, futbollistja jonë kampione Kosovare Asllani e shumë e shumë të tjerë në sporte të ndryshme…pavarësisht se ku kanë luajtur apo performuar, zemrat tona gjithnjë rrahin një me të tyret.

Të nderuar të pranishëm,

Mërgata jonë me shumë nisma ka dëshmuar shpirtin kreativ, duke themeluar, udhëhequr biznese, por edhe duke bartur mbi supe përgjegjësi në sferën e politikës dhe diplomacisë.

Mbështetja ekonomike që marrim nga mërgata është përcaktuese edhe për qëndrueshmërinë tonë ekonomike.

Të dhënat nga Banka Qendrore e Kosovës tregojnë se trendi i remitencave për Kosovën vazhdon të rritet çdo vit.

Pavarësisht kësaj të mire nga mërgata, ajo nuk është vetëm kontribut material për vendin. Është frymëzim, është frymëzim dhe përpjekje për një Kosovë më të mirë!

Shteti i Kosovës ka krijuar kushte të favorshme për investime nga mërgata, ndaj është me rëndësi që përvojën dhe kapitalin e tyre të mund ta investojnë edhe në atdheun e tyre. E me ndryshimet e fundit që i kemi bërë në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, mërgata jonë më në fund do të ketë të drejtën të votojë edhe në ambasadat e konsullatat tona aty ku ata jetojnë. Duke njohur rolin e jashtëzakonshëm të mërgatës sonë edhe në demokratizimin e vendit tonë, realizimi sa më i lehtë e të drejtës në votë është esencial.

Prandaj, bashkërisht e çdo ditë secili prej nesh në mënyrën e tonë do ta bëjmë të mundshme një mjedis ku mërgata është jo vetëm e vlerësuar, por edhe e fuqizuar për të kontribuar edhe më tej në zhvillimin e shteteve tona.

Mërgatë e dashur, faleminderit për përkushtimin tuaj të palëkundur, faleminderit për përpjekjet tuaja të palodhura e mbi të gjitha për dashurinë e pakusht ndaj atdheut! Ndoshta nuk ua themi mjaftueshëm, por ne e kuptojmë mallin tuaj dhe sakrificën e gjithsecilit prej jush. Ne kurrë nuk do të ishim këtu ku jemi, sikur mos të ishit ju dhe mbështetja juaj.

Shteti i Kosovës, ëndrra e kamotshme e shumë brezave, mbanë edhe vulën tuaj!

Ju faleminderit!

 

Tiranë, 23 dhjetor 2023