Mërgimtarët i sollën në Kosovë mbi 635 milionë euro, i shpenzuan afër 127 milionë

Prishtinë, 2 shtator 2023 – Banka Qendrore e Kosovës (BQK) e ka publikuar bilancin e pagesave për muajin qershor. Sipas BQK-së, bilanci i këtij muaji u karakterizua për një deficit më të vogël të llogarisë rrjedhëse, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit kaluar. Në qershor të vitit të kaluar deficiti ishte 623.7 milionë euro, kurse sivjet ai ra në 502.7 milionë euro, ose 19 për qind më i ulët.

Kurse, shërbimet deri në qershor 2023 kanë shënuar bilanc pozitiv në vlerë 553.2 milionë euro, që paraqet rritje prej 36% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022 (407.8 milionë euro). Rritja më e madhe ka qenë te shërbimet e udhëtimit, e që në këto shërbime më së shumti ka shpenzuar diaspora.

“Vetëm gjatë muajit qershor në Kosovë shërbimet e udhëtimit kanë arritur vlerën 141.3 milionë euro, vitin e kaluar në këtë periudhë kanë qenë 132.3 (7 % më të ulëta se këtë vit). Rreth 90% e shpenzimeve të udhëtimit në Kosovë, përkatësisht 126.6 milionë euro janë shpenzimet e diasporës. Krahasuar me periudhën e njëjtë vitin e kaluar, diaspora këtë vit ka shpenzuar rreth 15% më shumë”, ka thënë BQK-ja.

Kurse shpenzimet e udhëtimit të kosovarëve jashtë, gjatë muajit qershor kanë arritur vlerën 58.9 milionë euro që paraqet rritje prej 18% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022, prej të cilave rreth 46% janë shpenzimet në Shqipëri.

E, edhe llogaria e të ardhurave dytësore shënoi rritje për 12% sipas BQK-së, e cila thotë se transferet rrjedhëse të sektorit qeveritar dhe të sektorëve tjera, si remitancat dhe transferet ku përfshihen donacionet, pensionet, mbeten kontribuesi kryesor në zbutjen e deficitit të llogarisë rrjedhëse.

Remitancat shënuan 635.1 milionë euro deri në qershor, që paraqet rritje prej 14% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit kaluar.

Investimet direkte arritën vlerën 374.2 milion euro e që paraqet rritje prej 14% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit kaluar (327.3 milionë euro deri në qershor 2022).

“Investimet tjera (investimet në depozita, kredi dhe në kredi tregtare) deri në qershor 2023 kanë shënuar vlerë negative (135.9) milionë euro dhe cila i atribuohet kryesisht rritjes së borxhit të jashtëm në Kosovë”, thuhet në të dhënat e BQK-së.

Bilanci tregtar në mallra në kuadër të BP, deri në qershor 2023, kishte deficit prej 2.1 miliardë eurosh. BQK thekson se ky “është deficit më i madh tregtar krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak”.

(r.m.)