Merz pret arritjen e marrëveshjes për sanksione të reja të BE-së kundër Rusisë

Berlin, 13 qershor 2025 – Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, shpreson që kryetarët e shteteve dhe të qeverive të vendeve anëtare të BE-së do ta miratojnë javën e ardhshme paketën e re të sanksioneve ndaj Rusisë, të propozuar nga Komisioni i BE-së.

“Nëse gjithçka ecën sipas planit, atëherë javën e ardhshme do të jetë vendosur”, ka thënë Merz.

Kancelari gjerman e bëri këtë deklaratë pas paralajmërimit të Kryeministrit të Sllovakisë, Robert Fico, se vendi i tij nuk do ta mbështesë paketën e re të sanksioneve të BE-së kundër Rusisë në formën aktuale.

“Sllovakia nuk do ta mbështesë paketën e 18 të sanksioneve kundër Rusisë, nëse Komisioni i BE-së nuk parashtron një zgjidhje të vërtetë për situatën e krizës, në të cilën ndodhet Sllovakia pas ndërperjes së furnizimeve me gaz, naftë dhe lëndë djegëse bërthamore nga Rusia”, ka shkruar Fico në Facebook.

I pyetur, lidhur me rezistencën e Sllovakisë, Merz ka thënë se javën e ardhshme komisioni i përfaqësuesve të përhershëm në Bruksel do të negociojë për herë të parë lidhur me paketën e sanksioneve.

“Nëse do të jetë e nevojshme ne do të duhet të bisedojmë edhe njëherë në Këshillin Europian. Por ndoshta që javën e ardhëshme do të ketë një marrëveshje”, ka thënë Merz, transmeton DW.

(r.m.)

Comment

*