Sot ndërroi jetë njeriu më i dashur i komunitetit tonë shqiptar në ShBA. Xhaka Ismet ishte fjalëpak e vepërshumë. Në heshtje shfaqte bujarinë e pafund, ndihmonte me zemërgjërësinë mal duke iu përgjigjur çdo thirrjeje kombëtare për arsim, kulturë, për vendlindjen, për njerëzit në nevojë, për shpëtim jetërash, për Uskanën e përmallshme, për Kosovën, ….kudo në ball aksionesh do të ishte ndër të parët, modest e i heshtur, pa pasur nevojë të ushqejë veten me lëvdata. Nga karakteri i tij ne morëm shumë, sepse ishte një shembëlltyrë e shkëlqyer për të gjithe. Ndaj familjes së ngushtë Purellku dhe gjithë komunitetit shqiptar në ShBA i shprehim ngushëllimet tona më të thella duke lutur Zotin që ta shpërblejë me Parajsë!
Nga Afrim dhe Emine Shabani
Të dashur miq të komunitetit shqiptaro-amerikan,
Sot ndërroi jetë veprimtari ynë i palodhur Ismet Purellku. Ai një jetë të tërë ia perkushtoi çështjes kombëtare në Amerikë. Gjatë viteve të ’90-ta ishte promotori i shumë aktiviteteve për pavaresinë e Kosovës. Asnjë fushatë për ndihma Kosovës, asnjë fushatë për lobim nuk bëhej pa Ismetin. Ai ishte nismëtar dhe pjesemarrës në çdo demonstratë në Çikago, New York, Washington DC për çështjen kombëtare e për Kosovën në veçanti. Një njeri gjeneroz dhe me vyrtyte të larta kombëtare e njerëzore, që do ti mungoj fort komunitetit tonë. Pusho në paqë vëlla Ismet!
Ramazan Bekteshi
Sot kam pasur ditëlindjen më pikëlluese për 73 vitet e mia. Sot unë humba një nga shokët më të mirë, humanistin më të madh nga kërcovarët në rrethin e Chicago-s, humba shokun më të dashur të gjeneratës. Humba krahun e djathtë me të cilin kemi zhvilluar aktivitete të shumta politike dhe financiare për gjatë kohë në krizën dhe luftën në Kosovë. Lamtumirë shoku im, dhe lamtumirë për gjithmonë! Dalëngadalë rrallohemi dhe një ditë prej ditësh do të bashkangjitemi duke mos të lënë vetëm !
Pusho në qetësi shoku im I MADH !!!
ILAZ KADRIU
Chicago, 10 Gusht, 2021