Prishtinë, 19 shtator 2025 – Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, nëpërmjet një videomesazhi, u ka bërë thirrje qytetarëve të komunitetit serb në Kosovë që të mos bien pre e retorikës luftënxitëse të zyrtarëve të lartë të Serbisë.
Ai theksoi se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për mbrojtjen e të gjithë qytetarëve pavarësisht nga përkatësia etnike e tyre.
“Beogradi zyrtar zyrtarisht gënjen. Qeveria e Kosovës dhe institucionet e tjera shtetërore do t’ju mbrojnë edhe prej tyre. Paqja dhe siguria juaj janë obligimi ynë”, tha Kurti në videomesazh.
“Në Kosovë nuk ekziston jotolerancë ndëretnike, siç propagandojnë disa. Përkundrazi, ekziston bashkëpunimi, sidomos në ekonomi dhe në treg. Natyrisht, aty ku ka fitim ka edhe bashkëpunim, por ky bashkëpunim duhet të jetë ligjor dhe i rregullt. Megjithatë, duhet të pranojmë se ekziston një barrierë gjuhësore, pra fakti që gjithnjë e më pak shqiptarë flasin gjuhën serbe dhe anasjelltas”, tha ai
Kurti e theksoi rëndësinë e sigurimit të drejtësisë dhe mirëqenies për të gjithë qytetarët dhe ofrimin e shërbimeve publike të barabartë për të gjithë qytetarët në të gjitha viset e vendit.
“Ashtu si të gjithë qytetarëve të tjerë të Kosovës edhe juve ju takojnë shërbimet e institucioneve publike, dhe ju meritoni qasje të barabartë në të mirat e përbashkëta. Unë angazhohem për unitet dhe barazi”, tha ai.
Kurti theksoi përkushtimin e qeverisë së tij edhe për integrimin e sistemit shëndetësor parallel dhe të sistemit arsimor paralal në sistemet e Kosovës.
“Sigurisht, dualizmi i sistemit shëndetësor dhe arsimor nuk është i qëndrueshëm. Është i nevojshëm inkorporimi i tyre dhe unifikimi. Këtë nuk dua ta bëj kundër jush apo pa ju. Gjatë mandatit tonë të ardhshëm, bashkë me të gjithë, përfshirë edhe kryetarët e ardhshëm të komunave, do të punojmë për inkorporimin e shëndetësisë dhe arsimit në një sistem të vetëm”, tha ai.
“Besoj se është e mundur të kemi sistem ligjor e të drejtë dhe që funksionon shumë më mirë. Dhe e dimë sa të domosdoshme janë investimet e mëdha. Brenda një procesi të tillë do t’i bashkojmë idetë, përvojat dhe forcat me partnerët tanë ndërkombëtarë: Bashkimin Evropian dhe përfaqësuesin e tij special për dialog, vendet e Quint-it dhe KFOR-in”, tha Kurti.
(r.m.)