Nga Ruben Avxhiu
Kongresisti Joseph Crowley që mendohej se mund të zëvendësonte Nancy Pelosin, në postin e fuqishëm të udhëheqësit Demokrat të Dhomës së Përfaqësuesve humbi përballë një kandidate fare të panjohur.
Përveç mbështetjes nga shqiptaro-amerikanët, Crowley gëzonte mbështetjen e të gjithë demokratëve kryesorë të partisë si dhe kishte mbledhur 10 herë më shumë fonde për fushatën sesa rivalja e tij Alexandria Ocasio-Cortez.
E megjithatë, ajo mori gati dy herë më shumë vota se ai. Një shembull i demokracisë në veprim.
Kandidatja e re demokrate për zonën NY14 kishte disa arsye që doli fitimtare. Ajo bëri një fushatë jashtëzakonisht të zjarrtë. Nëse ecje në rrugët e distriktit kishte më shumë shanse që të takoje një prej miqve po mbështetësve të saj që të luste të votoje për të.
Një socialiste, ish-organizatore për fushatën e Bernie Sanders, ajo pati një mbshtetje të madhe vullnetare nga të rinj demokratë nga mbarë qyteti që vrapuan të bëjn fushatë për të.
Ajo është 28 vjeç dhe me një energji që dallonte nga kongresisti 57-vjeçar që shpesh dukej si i hutuar, i kapur papritur në një garë që nuk e priste, më i vjetër se vitet që kishte mbi supe, më i shëndoshë se pak vite më parë. Qysh nga 2004, ai nuk kishte pasur asnjë rival demokrat në garë dhe duket se e kishte humbur sensin e betejës së ashpër për vota. Talenti i tij në këto vite ishte zhvilluar më shumë në Dhomën e Përfaqësuesve ku ishte bërë Demokrati numër 4, si dhe një lloj mbreti i makinës partiake të Demokratëve në Queens. Demokratët kanë nevojë për ligjvënës me përvojë në Washington, po në fund të fundit është vota e popullit që vendos.
Ocasio-Cortez, siç mund të dallohet nga emri, është hispanike. Ashtu është edhe shumica masive e banorëve të zonës NY14. Raca padyshim që luajti rol në këtë garë, shumë më tepër se sa mund ta pranojnë mbështetësit e fitueses së re. Mesazhi ishte copë aty pë rata që donin ta shihnin. Pse një burrë i bardhë duhet të përfaqësojë hispanikët e lagjeve tona.
Kandidatja e re shënon edhe një lëvizje majtas të Partisë Demokrate. Crowley kishte marrëdhënie të mira me korporatat e firmat e fuqishme që nga Facebook te Google që kishin investuar fuqishëm në kandidaturën e tij. Këto firma kanë përqafuar prej kohësh ideologjinë liberale po kjo nuk mjafton më, për bazën socialiste që ende kërkon hakmarrje për humbjen e Sandersit në zgjedhjet paraprake presidenciale brenda Partisë Demokrate.
Ocasio-Cortez ishte radikale në pikëpamjet e saj. Ajo ka bërë thirrje për mbylljen e ICE-s, departamentit që zbaton me forcë ligjet e emigracionit, të krijuar pas sulmeve të 11 Shtatorit, e që sot akuzohet për teprime në zbatimin e mndatit të tij. Asnjë nga Demokratët kryesorë nuk e ka bërë këtë thirrje, por ajo ka mbështeteje mes të rinjve radikalë.
Kandidatja kërkonte edhe sigurim shëndetësor falas për të gjithë si dhe kërkesave të tjera që ngjajnë me ato të fushatës së Bernie Sanders, e cila vazhdon të jetojë në frymë dhe letër mes mbështetësve të tij më të zjarrtë.
Nuk është e lehtë të rrëzosh një kongresist në SHBA. Në ato raste të rralla kur ndodh është më shumë faji i vetë kongresistit sesa merita e kundërshtarit të tij në zgjedhje.
E megjithatë ka periudha historike në të cilat shumë prej legjislatorëve amerikanë ndjehen të rrezikuar. Kjo është një nga ato. Të dy partitë janë në proces tranformimi. Partia Republikane duke u bërë më pak konservatore e më shumë nacionaliste e proteksioniste, ndërsa Partia Demokrate duke u bërë më pak liberale e më shumë kolektiviste.
Është interesante se një nga intervistat e para që kemi bërë kur kam filluar me gazetën Illyria në vitin e largët 1999 ka qenë pikërisht me kongresistin Joseph Crowley.
Në atë kohë ai ishte në vitin e tij të parë në Kongres. I sapozgjedhur. Fytyra e re e Partisë Demokrate. Më liberal se kolegët e tij. Ai ishte Ocasio-Cortez e kohës së tij. 20 vjet më vonë, kohët kanë ndryshuar. Partia Demokrate ka ndryshuar. Amerika ka ndryshuar.
Crowley që përfaqësonte në Kongres edhe zona ku ka shumë shqiptarë si në Bronx, Astoria etj, ishte mbështetës i kauzës së Kosovës dhe iu bashkua Kaukusit për Çështjet Shqiptare.
Një fotografi që i bëra, atë ditë në redaksinë e gazetës “Illyria” u botua, në faqen e parë të numrit të intervistës. Ai kishte dalë më duart e ngritura. Rastësisht në atë kohë, reklamonim një ofertë, çmimin e numrit të ditës, për vetëm 1 dollar në vend të 1.50 që ishte rregullisht.
Dukej nga pozicionimi në faqosje sikur kongresisti kishte zgjatur duart drejt logos së një-dollarëshit. Charles Caruso, që ishte redaktori i seksionit të anglishtes, me shpotinë e zakonshme të ultraliberalit që ishte, tha se mirë paska dalë se për të kapur ndonjë dollar kishte ardhur.
Për ironi, radikalët e rinj që e rrëzuan nga posti këtë javë e kishin akuzuar pikërisht se ishte përqendruar më shumë te mbledhja e fondeve sesa te kontaktet me votuesit e zonës.
Humori i asaj dite ishte sigurisht i padrejtë për kongresistin e ri, që në fund të fundit, iu përshtat sistemit amerikan ku mbledhja e fondeve është vendimtare për mbijetesën në politikë.
Crowley nuk ishte më aq i afërt sa dikur me komunitetin shqiptar, por edhe ne nuk kemi pasur më shumë nevojë për të, pas pavarësisë së Kosovës, hyrjes së Shqipërisë në NATO dhe marrjen nga diplomacia të drrejtimit të duhur në Ballkan.
Po shumë shqiptarë me të drejtë kanë mbetur besnikë dhe mirënjohës ndaj këtij kongresisti me të cilin kemi bashkëpunuar në vite të rëndësishme. Nëse do të vihej në krye të Demokratëve në Kongres, do të kishim një kongresist shumë të fuqishëm nga një zonë me banorë shqiptarë.
Kishte plot arsye për të mbështetur edhe një herë kandidaturën e tij, për t’i dhënë edhe njëherë shansin në Washington DC. Mirëpo, ky është një vend në ndryshim. Dhe nuk është ide e keqe që të paktën një pjesë e madhe e kongresistëve, në most ë gjithë, të ndërrohen pas disa vitesh. Puna e kongresistit nuk duhet të jetë një punë e përjetshme.
Një tjetër mik i shqiptarëve në Kongres që ndodhet aty që prej 30 vjetësh, ka qenë jashtëzakonisht aktiv. Eliot Engel nuk e ka humbur asnjëherë sensin e realitetit dhe fitoi edhe mbrëmë në sfidën e tij më të fundit. Po Engel është një përjashtim.
Si u shpreh me të drejtë Ferik Ferizaj, një aktivist i ri shqiptaro-amerikan, nga Kosova: “Në vend që të vajtojnë ikjen e miqve të vjetër, shqiptaro-amerikanët duhet të angazhohen që të krijojnë lidhje me brezin e ri të politikanëve amerikanë”. Fjalë me vend.